Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Impetusi ri ne energjetiken shqiptaro-greke

Ministri i Energjisë Gjiknuri mori pjesë dje në tryezën e bashkëpunimit Shqipëri-Greqi në fushën e ekonomisë dhe energjisë.

Faleminderit që gjendeni në këtë takim shumë të rëndësishëm, por njëkohësisht edhe interesant. Megjithëse stafi im kishte përgatitur një fjalim, unë nuk po i referohem atij, po dua të flas gjëra konkrete që i ndjej në punën time dhe them se ia vlen për t’u përmendur kur vjen puna për bashkëpunimin mes Shqipërisë edhe Greqisë. Në fakt, shumë njerëz vrasin mendjen se ku do të gjejë një impetus të ri marrëdhënia shqiptaro-greke.

Një marrëdhënie e vjetër, shpesh herë e mirë, por nganjëherë edhe e komplikuar. Dhe në fakt, nuk gjej më mirë sesa sektori i energjisë, një dritare të re për bashkëpunimin tone, një impetus të ri që të dyja vendet e meritojnë, pasi si dy fqinjë të vjetër kanë një nevojë të përbashkët, atë që quhet energji. Pa energji, vendet nuk mund të ecin përpara, energjia është sfidë e përbashkët e të dyja vendeve. Prandaj, është edhe shembulli më i mirë ku të dyja vendet tona mund të ndërtojnë një erë të re bashkëpunimi mes tyre.

U fol shumë dhe më vjen mirë që të gjithë u ndalën tek projekti TAP, vepra konkrete, sinergjia e bashkëpunimit të dy vendeve përtej çdo interesi tjetër politik, por e një interesi shumë të madh, ajo që quhet siguria energjetike. Vendet që konkuruan luftuan bashkë për të sfiduar edhe projekte të tjera më të rëndësishme siç ishte NABUKO apo interesesa të tjera në lojë. Pse? Pikërisht nga bashkëpunimi i përbashkët në interesa të përbashkëta. Kjo është fusha e së ardhmes! Le të ndërtojmë mbi këtë shtrat dhe të gjejmë urat e tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Në fakt, TAP-i është strategjik dhe ekonomik, gjithçka që hap një mundësi të re. Shumë u thanë këtu, por unë nuk dua të përsëris benefitet që ka ai projekt. Mbi të gjitha është një projekt që ne duhet ta vlerësojmë, sepse hap hapësira të reja ekonomike bashkëpunimi mes dy vendeve, hap hapësira të reja ekonomike, kryesisht edhe për vendin tonë. Vendi ynë është një lojtar i ri në fushën e energjisë, me burime të shumta, por jo shumë mirë të shfrytëzuara, me krizë të madhe energjetike, me probleme të mëdha energjetike, për shkak edhe të asaj që thamë, që nganjëherë njerëzit konsumin e energjisë e marrin “for grantit”, nuk i japin rëndësinë e duhur. Shpesh kujtojmë se energjia është një gjë që do ta kemi vazhdimisht, por edhe ajo ka një çmim. Shtetet duhet t’i japin një rëndësi të madhe politikës energjetike, pikërisht këtë duam të bëjmë edhe ne. Këtu janë edhe mundësitë e mëdha të bashkëpunimit, por edhe për të mësuar nga Greqia, megjithë të mirat dhe gabimet e saj.

E di që kriza ekonomike në Greqi mund të ketë shkaktuar problemet e veta, por pikërisht këtu, vendet duhet të nxjerrin mësime nga njeri-tjetri për bashkëpunimin dhe për të bërë më të mirën në këtë sektor kaq delikat, por të rëndësishëm. Në fakt, TAP-i krijon mundësi të mëdha për biznese në Shqipëri, jo vetëm në aspektin e asaj që quhet efekti anësor i një investimi por hap një mundësi të re dhe ne mund të mësojmë shumë nga Greqia në këtë drejtim. Greqia për vete ka qenë një lojtar i futur vonë në fushën e gazit por së fundmi Greqia ka realizuar dhe një privatizim të suksesshëm të rrjetit të gazit. Ne duhet të mësojmë nga kjo ekesperiencë! Ne duhet të ftojmë pikërisht ata aktorë që kanë hyrë edhe në Greqi, qoftë edhe ata që janë jashtë hapësirës europiane siç është kompania SOCAR e Azerbajxhanit, për të parë këto mundësi, duke u afruar në rajon, duke u shtrirë në Shqipëri, duke u shtrirë edhe më tutje.

Ka edhe një projekt që u përmend këtu, projekti i gazsjellësit të Adriatikut dhe të Jonit, i cili shtrihet deri në Kroaci. Disa janë skeptik. Kështu ishin njerëzit, skeptikë edhe për TAP-in disa vjet më parë, por kur kompani investitorësh strategjik si SOCAR apo edhe të tjerë hynë në fushë, shikojnë hapësirën e Europës Lindore si një treg në rritje dhe nevojën e vazhdueshme për kërkesa për gas, aty krijohet dhe mundësia dhe vendi ynë nuk duhet ta humbasë këtë. Mund të bashkëpunojmë shumë mirë me Greqinë në këtë drejtim, për të mësuar nga kjo eksperiencë e mirë, por edhe për të ftuar edhe aktorë ekonomikë vendas grekë, por qoftë edhe të tjerë për të marrë pjesë në atë që në të ardhmen do të jetë mundësi e re për ekonominë shqiptare siç është gazifikimi.

Mbase jo deri në familje, sepse Shqipëria si një vend i ngrohtë nuk është shumë atraktiv për familjet shqiptare për përdorimin e gazit, por jam i bindur se industria do të ketë nevojë të madhe dhe do të ndikojë direkt në uljen e kostove ekonomike për këtë vend. Bashkëpunimi mund të jetë i gjerë edhe në shumë fusha të tjera. Ne mund të mësojmë shumë nga eksperienca greke, përsa i përket energjive të rinovueshme, megjithëse ato janë në një periudhë të vështirë në të gjithë Europën, por e ardhmja, TAP është aty. Na takon ne që të ndërtojmë modelet e duhura, të krijojmë incentivat e nevojshme, por njëkohësisht të mos rëndojmë konsumatorin. Kjo, pikërisht për t’i bërë këto burime të pafundme si gjenerim i vazhdueshëm i energjisë tonë.

Greqia ka eksperienca të mira në atë fushë, ne mund të mësojmë, ne mund t’i vëmë shumë mirë burimet tona në funksion të këtij zhvillimi dhe patjetër si investitorët grek dhe kushdo është i ftuar. Ne, si qeveri jemi të angazhuar në këtë drejtim, puna nuk është e lehtë. Është e bukur ta thuash po bëj një punë të madhe për të arritur, por ja ku jemi për të filluar në këtë drejtim. Ashtu siç Shqipëria dhe Greqia si pjesë e komunitetit të energjisë, Shqipëria si kandidate shumë shpejt e Bashkimit Europian, duhet të punojnë së bashku edhe në funksion të atij kuadri të bashkëpunimit për energjinë në Europë. Energjetika nuk është një fushë e shkëputur.

Energjia nuk i përket vetëm Shqipërisë, nuk i përket Ballkanit, energjia është në interes të të gjithë Europës. Presidenca greke mund të japë një ndihmë të madhe për këtë, që edhe projekte te tjera të rëndësishme që janë në Shqipëri dhe që integrojnë më shumë Ballkanin me Europën, të marrin vëmendjen e duhur. U fol këtu për kabllin që lidh Izraelin me Greqinë, në fakt një projekt gjigand, shumë i rëndësishëm. Ndërkohë, ne jemi shumë afër me Italinë dhe vetëm një kabëll nënujor na mungon, një investim që unë them shumë shpejt do të ketë vlerën ekonomike kur gazi të jetë në Shqipëri, pasi do të krijojë potenciale të tjera gjeneruese, jo vetëm nga burimet tona ujore, të cilat janë të mira por janë dhe vulnerabël, por edhe nga prodhimi i energjisë nëpërmjet gazit, i cili është një burim ekonomik, por njëkohësisht burim më i pastër nga të gjithë hidrokarburet e tjera.

Pra rritja e kapaciteteve gjeneruese hap hapësira për investim mes Shqipërisë dhe Italisë dhe ne duhet ta shikojmë këtë. Le të mësojmë nga eksperienca greke, le të bëjmë çmos për t’ja shpjeguar çdo investitori që këtu do të ketë një mundësi të artë shumë shpejt dhe njerëzit duhet të vijnë të tregojnë interes edhe për këtë investim.

Dhe për ta mbyllur, sepse shumë gjëra edhe u përsëritën, unë po i kthehem asaj që në fakt e thashë edhe më parë dhe që e dëgjova sot në mëngjes nga Presidenti Papulias, një fjalë shumë e mençur: “Jemi fqinjë, tha, fqinjin nuk mund ta ndërrosh, as nuk mund ta zgjedhësh, fqinjët janë aty, fqinjët kanë interesa jetike dhe duhet të bashkëpunojnë”. Unë nuk mendoj fushë më të mirë dhe jetike se sa është energjia, ku dy vendet tona mund të krijojnë sinergji dhe nga sinergjia në harmoni për të shkuar së bashku drejt së ardhmes europiane.

energjia.al, 05.11.2013