Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zhvillohet seminar ndergjegjesues mbi helmimin nga plumbi

Instituti I Shëndetit Publik organizoi sot një seminar ndërgjëgjësues mbi ndotjen nga plumbi. Seminari u hap nga Lindita Tafaj, specialiste pranë ISHP-së.

Sipas Zj. Tafaj, mbrojtja nga plumbi ka shumë rëndësi për shëndetin, sidomos atij të fëmijëve, për këtë arësye nga Aleanca Globale për Mbrojtjen nga Plumbi në Bojra është inicuar një javë ndërgjegjësimi për mbrojtjen nga helmimi me plumb sidomos nga plumbi që përmbahet në bojëra. Rreth 143,000 vdekje në vit në botë, I atribuohen helmimit nga plumbi.

Shumë bojrave plumbi u shtohet si pigment, ose për të shtuar rezistencën ndaj korrozionit ose si tharës. Sipas një studimi të vitit 2009 bojrat e vajit kanë 600 pjesë për milion plumb (në statistikat për përmbajtjen e plumbit në bojra, % e plumbit jepet në përbërjen e thatë të bojës). Cipat e bojrave me kalimin e kohës degradojnë në mjedis dhe fëmijët ekspozohen ndaj plumbit të tyre. Këto bojra mund të jenë burim ekspozimi për 50-75 vjet.

Legjislacioni shqiptar nuk kërkon që bojrat të kenë etiketë. Nga një vëzhgim I shpejtë në treg duket se produktet e bojrave nuk kanë etiketë. Ka një VKM nr. 824 dt.11.12.2003 “Për klasifikimin, etiketimin dhe ruajtjen e substancave dhe preparateve të rrezikshme”. Sipas saj bojrat me peshë të metalit kundrejt peshës së përgjithshme më të lartë se 0.155 duhet të kenë të shkruar në etiketë “Përmban plumb, të mbahet larg fëmijëve”. Në rastet e amballazheve që përmbajnë më pak se 125 ml preparat udhëzimi duhet të jetë “Kujdes! Përmban plumb”.

Gjithashtu është përgatitur një draft rregullore “Për mbrojtjen e sigurisë dhe të shëndetit të punonjësve nga risqet e lidhura me agjentët kimikë në punë”, ku vlera kufi e ekspozimit ndaj plumbit parashikohet 0.15 mg/m3, kurse vlera kufi biologjike parashikohet 7 mikrogram/100 ml gjak.

Sipas Zj. Tafaj shteti nuk ka informacion se bojrat në Shqipëri çfarë përmbajtje plumbi kanë.

Më pas e mori fjalën mjekja Lindita Molla, e cila shpjegoi burimet dhe pasojat shëndetësore të plumbit. Sipas saj burimet kryesore të Pb janë karburantet, minierat, bojrat, amballazhet metalike dhe qeramike, tubacionet prej plumbi të ujit të pijshëm, mbetjet elektronike etj.. Burime të plumbit janë dhe disa produkte kozmetike, si disa marka të kuqi buzësh. Ekspozimi ndaj plumbit ndodh nëpërmjet ajrit (nga smogu), aparatit gastrointestinal (ushqimi, uji), lëkurës (bojrat, pluhuri). Fëmijët janë më të brishtë ndaj helmimit nga plumbi, për shkak se e përthithin më mirë atë se të rriturit. Fetusi po ashtu është I eskpozuar ndaj plumbit, ku nivelet e plumbit në gjakun e fetusit janë të njëjta me nivelin e plumbit në gjakun e nënës. Lajmi I mirë është që Pb nuk kalon në qumështin e gjirit.

Pasojat e plumbit në trup fillojnë të ndjehen kur niveli i tij në gjak është mbi 10 mikrogram/dl. Pasojat janë: prapambetje mendore, imunitet I dobësuar, anemi, çrregullime në vitaminën D etj. Sa më I lartë niveli i Pb-së në gjak, aq më të theksuara pasojat.

Mirela Buhuri, specialiste mjedisi pranë bashkisë Berat, tregoi problemet mjedisore të ish-Uzinës së Baterive në fshatin Uznovë. Kjo uzinë është ndërtuar në 1980, ka punuar deri në 1992. Si pjesë ë uzinës ka qenë dhe metalurgjia e plumbit. Në 1997 uzina u plaçkit dhe pjesë të saj të ndotura me plumb u përdorën nëpër shtëpitë e banorëve. Po ashtu filtrat e e uzinës u dëmtuan. Në 2003 uzina rifilloi punën, pa filtra, por në 2008 u mbyll. Mbyllja e fabrikës u bë me ndihmën e policisë në mes të kundërshtimeve.

Bashkia ka kryer herë pas here analiza mbi nivelin e plumbit në gjak të banorëve rreth uzinës. Në vitin 1985 në fëmijët e zonës kishte nivele Pb prej 25 mikrogram/dl (nivel I lartë). Në vitin 1991 në 107 fëmijë të testuar, 22.6% e kishin nivelin e Pb në gjak më të lartë se 22 mikrogram/dl. Prandaj në ’92 fabrika u mbyll. Në vitin 1994 vetëm 4 fëmijë kishin mbi 22 mikrogram/dl. Në vitin 2003 u gjet nivel I lartë plumbi pranë banesave. Në 2005-ën u monitoruan puset e ujit, kullotat, territori rreth uzinës dhe këto dolën të ndotura me Pb. Në zonën e Uznovës banojnë ~7000 banorë dhe rreth uzinës ka 100 banesa. Në zonë ka numër të lartë të personave me aftësi të kufizuar, të fëmijëve me epilepsi, me probleme të shëndetit mendor, të rasteve me kancer gjiri etj. Kopshti në Uznovë, ndryshe nga kopshtet e tjera në Berat, ka një kënd të veçantë për fëmijët me sëmundje mendore.

Një burim I rëndësishëm plumbi për banorët janë dhe bateritë që ata mbajnë në oborret e shtëpive dhe I çmontojnë për skrap.

Bashkia e Beratit lobizoi pranë UNDP-së që zona rreth Uzinës të njihej si zonë e nxehtë dhe kjo u arrit.

Ermelinda Mahmutaj, drejtore e Qendrës “Eden”, prezantoi rezultatet e projektit “Reduktimi i rrezikut për shëndetin dhe mjedisin në Shqipëri nga bateritë e përdorura plumb acid”. Sipas saj në Shqipëri 80% e baterive të përdorura ricikohen duke u eksportuar jashtë. “Eden” gjatë projektit mori 100 mostra toke në Tiranë dhe 200 mostra toke në Uznovë. Rezultatet e analizave treguan se tokat rreth Uznovës janë tepër të ndotura. Edhe pas një testimi të përsëritur këto toka vazhdonin të ishin të ndotura. Kurse në Tiranë 44% e mostrave kishin nivele të konsiderueshme Pb. “Eden” analizoi dhe nivelin e plumbit në gjakun e fëmijëve, por analizat e gjakut nga dy laboratorë erdhën kontradiktorë me njëri-tjetrin dhe nuk u arrit të vlerësohej niveli I vërtetë I Pb në gjakun e fëmijëve.

Laboratorët shqiptarë nuk kanë pajisje për matjen e Pb në gjak, por I çojnë mostrat jashtë shtetit për matje.

Problematike është dhe mungesa e mbajtjes së statistikave nga qendra shëndetësore e Uznovës. Në përgjithësi mungon dëshira e kësaj qendre për të dhënë informacion.

Në mbyllje të seminarit, pati pyetje nga salla. Pyetjes së gazetares së “Ekolëvizjes” nëse do të ketë një regjistër të kimikateve që prodhohen dhe importohen në Shqipëri, sikurse ndodh ne Europë, Zj. Tafaj ju përgjigj se ka plane të tilla dhe draft-legjislacion në përpilim e sipër.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 26.10.2013