Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria ua fal serbëve 125 milionë € (për energjinë e Veriut)

(E plotësuar)Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga 125 milionë euro, që serbët e Kosovës ia kanë borxh Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Rreth 105 milionë euro, është borxh i serbëve të veriut ndaj KEK-ut. Ndërkaq, pjesa tjetër prej rreth 20 milionë euro, është borxhi i enklavave tjera serbe ndaj Korporatës më të madhe publike në vend. Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Bashkimi Evropian i ka sugjeruar Qeverisë së Kosovës që të hesht çështjen e borxheve të serbeve, pasi që në agjendën e tyre për momentin janë gjëra tjera me prioritet.

“Ka pasur iniciativa nga të dyja palët edhe Prishtina edhe Beogradi që të flasin në Bruksel mbi borxhin e serbëve, ndonëse kërkesat e të dy anëve kanë qenë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Serbia ka tendenca që ta shlyejë këtë borxh, ndërsa pala Kosova ka kërkuar kthimin e tyre. Por, BE-ja i ka sugjeruar Qeverisë së Kosovës që kjo temë për një periudhë të caktuar të mos diskutohet, me arsyetimin se do të nxitë tensione kryesisht në veri”, tha burimi i gazetës.

Sipas këtij burimi, shqetësimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë se me këtë borxh, me përzierjen e palës serbe në asetet e KEK-ut, po i dalin probleme edhe gjatë procesit të privatizimit të saj.

Sidoqoftë, Qeveria ka zgjedhur heshtjen, ndërkaq edhe më tej vazhdon të detyrohet që të furnizojë me energji veriun, edhe pse nuk ka qasje aty. Por, njëkohësisht edhe qytetarët që jetojnë në atë anë, edhe më tutje nuk po i paguajnë fare faturat për energjinë e shpenzuar

Por, pasojat për këtë tani po i bart kompania kosovare për distribuimin dhe furnizim me energji elektrike KEDS, e cila tashmë nuk është pronë publike, por është private e kompanisë “Limak”.

Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, thotë se si ndërmarrje private janë në kontakte të vazhdueshme me ekipin e negociatorëve për shkak se KEDS-i është i vetmi operator i sistemit të distribuimit dhe pronar i aseteve në rrjetin e distribuimit.

“Përndryshe ne jemi i vetmi furnizues publik në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun”, tha Shkodra.

Në anën tjetër, kryenegociatorja për Kosovë për temat teknike me Serbinë, Edita Tahiri, nuk ka pranuar të flasë për gazetën. Nuk kanë pranuar të flasin as edhe zyrtarët tjerë të Qeverisë, të cilët edhe para mediave kanë zgjedhur heshtjen kur janë pyetur nëse vërtet kanë hequr dorë nga ky borxh.

Në anën tjetër, Maja Kocijancic, zëdhënëse e zyrës së ndërmjetësueses së bisedimeve në Bruksel, baroneshës Catherine Ashton, nuk ka njohuri nëse për këtë temë është folur ndonjëherë mes Prishtinës e Beogradit.

“Është hera e parë që dëgjoj për këtë çështje”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, faji mbi këtë papërgjegjësi nuk hedhet te BE, por te Qeveria e Kosovës.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, thotë se asnjë çështje e Kosovës nuk është shtruar në Bruksel, të gjitha kanë qenë tema në interesat e Serbisë të cilat kryeministri Thaçi ka shkuar t’i dëgjojë e më pas t’i zbatojë, ndërsa i cili asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesat e Kosovës.

“Ky borxh nuk besoj se do kthehet ndonjëherë, për shkak se politika kosovare ka hequr dorë tashmë prej territorit administrativ në pjesën veriore, dhe ka dëshmuar edhe para ndërkombëtarëve se nuk mund ta administrojë këtë pjesë, dhe normalisht që tani as nga BE nuk presim që ta marrë me seriozitet këtë çështje”, tha Zogiani.

Edhe Muhamet Sadiku nga ana tjetër, thotë se BE-ja asnjëherë nuk ka parashtruar interes që të përfshijë në negociata çështjet e dëmeve materiale të Kosovës, qoftë këto KEK-ut, qoftë të tjerat gjatë luftës.

“Sidoqoftë unë mendoj se borxhi ndaj KEK-ut, nuk guxon t’u falet serbëve, e nëse eventualisht ndodh kjo, atëherë Qeveria Kosovës duhet t’i falë borxhet e të gjithëve, sepse kjo mënyrë është diskriminuese ndaj popullatës tjetër”, tha Sadiku, i cili shtoi se as kjo Qeveri as të tjerat nuk kanë të drejtë që t’i amnistojnë serbët e Kosovës.

Po ashtu, këto borxhe tani janë problem edhe për privatizimin e aseteve tjera të KEK-ut.

“Është e pamundur që Kosova të ecë përpara në sektorin e energjisë, kur nuk kemi akoma qartësi në të gjitha asetet e saj, ku një pjesë e tyre është jashtë kontrolli të saj, ashtu siç janë edhe një pjesë e konsumatorëve”, përfundoi Sadiku.

Ndryshe, qysh nga viti 2009, Qeveria e Serbisë pati kërkuar që borxhi i serbëve të veriut të falet, diçka që Qeveria e Kosovës atë kohë pati kundërshtuar.

Gazeta Zeri, 26.10.2013