Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pretenca e gjyqit të 77-s: Takimi Këllezi-Balluku në 1973 në Fier, dyfishoi sabotimin në naftë

Një takim i fshehtë në Fier në vitin 1973 dhe biseda e zhvilluar midis Abdyl Këllezit dhe Beqir Ballukut(ish-Ministër i Mbrojtjes) lidhur me shfrytëzimin e zonave naftëmbajtëse, sipas Prokurorit Rrapi Mino, forcon më tej bashkëpunimin midis dy grupeve armiqësore dhe sjell dyfishimin e sabotimeve e dëmit ekonomik në sektorin e naftës. Në provat që sjell Prokurori Mino në pretencë, renditen zonat konkrete ku u bë sabotimi dhe fatura ekonomike e dëmeve…

* * *

(Kryeprokurori Rrapi Mino lexon pretencën)

Rrapi Mino:(Prokuror i Përgjithshëm): Shokë gjyqtarë! Në vazhdim të veprimtarisë armiqësore për të mos dhënë naftë Atdheut, një punë e gjerë sabotuese është kryer gjithashtu në përqendrimin në kërkimin pa kriter në zona të ndryshme të vendit. Kështu, pa studime komplekse, pa përgatitjen e nevojshme dhe në kundërshtim të hapur me Vendimet e Partisë dhe të Qeverisë, që në kërkime, orientonin për të kaluar nga e njohura tek e panjohura, të pandehurit Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi i kanë drejtuar këto kërkime në rajonin e Shushicës, Prishtës, Vargut, Nënshkodrës, Bistricës, Osmanzezës, etj, të cilat ishin tërësisht të panjohura. Si pasojë e kësaj pune armiqësore, të gjitha investimet e bëra për kërkime në këto zona, kanë shkuar kot, pasi në drejtim të naftës nuk u dha as gjë. Dhe po të kemi parasysh, shokë gjyqtarë, se vetëm për kërkimet e Shushicës investimet kanë qenë 78.000.000 lekë, del qartë se çfarë veprimtarie e gjerë sabotuese është kryer nga këta armiq kundër ekonomisë popullore.

Si në çdo çështje, ashtu edhe në këtë veprimtari sabotuese, taktika e ndjekur nga të pandehurit ka qenë mashtrimi i organeve të Partisë dhe të shtetit, euforia fiktive se në zonat e kërkimeve po zbulohej naftë, në një kohë që rezultatet kudo ishin negative. Kështu u veprua, ndërmjet rasteve të shumta, me njoftimin ireal të zbulimit në sasi ‘kolosale’ të naftës në zonën e Vurgut të Sarandës, ose me njoftimin për zonën e pusit të Prishtës-1, ku shenjat e dhëna të naftës u njoftuan si zbulim i rëndësishëm të një vendburimi të ri nafte.

Shokë gjyqtarë! Për më tepër, për të fshehur këtë veprimtari, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe armiqtë e tjerë që vepronin në sektorin e naftës, paraqitën edhe sasitë që do të merreshin nga zonat e kërkimeve, duke i caktuar kështu zonës së Sarandës për vitin 1974 një plan prodhimi prej 27000 ton naftë.

I pandehuri Abdyl Këllezi, duke pohuar këtë vepër mashtruese dhe me qëllime të caktuara, deklaroi: “…Për të fshehur këtë veprimtari armiqësore, jam bashkuar me Koço Theodhosin e grupin e tij dhe bashkërisht kemi raportua sasitë e naftës që do të jepnin burimet e reja si Saranda 270.000 ton, etj”.

Sabotimi i punimeve të kërkimit të gazit ishte një objektiv tjetër, të cilin u munduan ta realizonin të pandehurit në bashkëpunim me grupin sabotator që vepronte në këtë degë, të drejtuar nga Pirro Gusho e Filip Nashi. Duke sabotuar direktivat dhe orientimet e Partisë për kërkimet e gazit, këta armiq i kufizuan kërkimet vetëm në zonën e Divjakës dhe të Frakullës, ndërsa mënjanuan kërkimet në zonat naftëmbajtëse me perspektivë si Seman, Ardenicë, Kryevidh, Bishtpallë, etj… Kështu, në periudhën e viteve 1970-1975, nga 35 puse të shpuara për kërkim gazi, 36 prej tyre ishin dhënë vetëm në zonën e Divjakës dhe të Frakullës. Ky sabotim u bë edhe në drejtim të orientimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr 472 datë 2/4/1970, që shtronte si detyrë për zhvillimin e kërkimeve në det si dhe në strukturën Durrës-Bishtpalla, në të cilën këta armiq nuk bënin asnjë kërkim.

Në vështrim të fakteve të parashtruara tërhiqet konkluzioni se në fushën e kërkimeve të naftës dhe të gazit, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe bashkëpunëtorët e tjerë në krim kanë kryer një veprimtari të gjerë dhe të thellë sabotuese, duke ndjekur si qëllim lënien e Atdheut pa naftë, përqendrimin e investimeve në drejtim të padobishëm, dobësimin e ekonomisë popullore dhe dobësimin e fuqisë mbrojtëse të vendit, shkatërrimin e pushtetit popullore dhe ndërtimin socialist të vendit.

2)- Shfrytëzimi barbar i vendburimeve ekzistuese të naftës, duke çuar në përmbytjen e parakohshme të shumë puseve ekzistuese, me qëllim të linin vendin pa naftë, ishte një drejtim kryesor i veprimtarisë armiqësore dhe sabotuese të të pandehurve.

Në këtë drejtim, gjithë provat e mbledhura argumentuan se armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe sabotatorët e tjerë në industrinë e naftës Filip Nashi etj, kanë biseduar, kanë unifikuar mendimet dhe bashkërenduar të gjitha veprimet që puseve ekzistuese tu bëhej një shfrytëzim barbar, duke arritur deri në inondimin e tyre dhe daljen jashtë përdorimit. Këtë plan të përbashkët kriminal dhe thellësisht armiqësor e vunë në dukje të gjithë të pandehurit… Ja deklarimet e tyre:

Abdyl Këllezi deklaroi:”Bashkërisht, unë, Koço, Lipja, Beqir Alija etj,) ishim dakord për të ngarkuar vendburimet ekzistuese megjithëse i dinim pasoja e kësaj pune. Që në vendburime, shumë puse po inondoheshin dhe në mjaft të tjera po avanconte shpejt kontakti ujë-naftë. Pranonim kështu bashkërisht shkatërrimin e vendburimeve dhe lënien e atdheut pa rezerva nafte”.

I pandehuri Koço Theodhosi, po ashtu, pranoi:”Unë, Abdyl Këllezi e Filip Nashi, në kundërshtim me Vendimet e Partisë dhe të Qeverisë dhe me rregullat shkencore, shfrytëzonim me mbingarkesë vendburimet gëlqerore, kjo sidomos në vitet 1973-1974 dhe 1975. Kjo metodë shfrytëzimi mbyllte perspektivën”.

Nga kjo veprimtari armiqësore, dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë tonë popullore kanë qenë të pallogaritshme. Sipas akt-ekspertimit del se në vendburimin e Visokës 70% e puseve në shfrytëzim që përfshijnë 85% të sipërfaqes naftë mbajtëse të jenë inonduar, në Ballsh 67% e tyre baraz me 70% të sipërfaqes naftëmbajtëse gjithashtu të jenë inonduar dhe në Goricë e Kocul, me gjithë kohën e shfrytëzimit të shkurtër të tyre, 20% e puseve që përbëjnë 18% të sipërfaqes naftë mbajtëse të jenë inonduar, duke i bërë në këtë mënyrë këto krejtësisht pa asnjë shfrytëzim

Veprimtaria sabotuese e zhvilluar nga grupi i sabotatorëve në naftë dhe grupi armiqësor i kryesuar nga i pandehuri Abdyl këllezi bëri të qartë se në realizimin e veprës kriminale , një sabotim i thellë është bërë gjithashtu në drejtim të vënies në shfrytëzim të puseve të vrojtimit, duke u ndjekur si qëllim mënjanimi i tyre nga destinacioni, nga detyra që kanë lidhur me studimin e avancimit të kontaktit naftë-ujë, të mënjanimit të kontrollit të puiseve të tjera për një shfrytëzim racional dhe përmbytjes së tyre me unë. Mbi këtë veprimtari sabotuese në vendburimet Visokë-Ballsh dhe Gorisht-Kocul, janë vënë në shfrytëzim 37 puse vrojtimi, duke sjellë kjo si pasojë inondimin te ujë të sipërfaqeve të mëdha të fushave nafte e gazmbajtëse.

I pandehuri Abdyl Këllezi, duke pranuar këtë veprimtari theksoi: ”Unë kam orientuar për vënien në shfrytëzim të puseve të vrojtimit”.

I pandehuri Koço Theodhosi deklaroi për këtë: ”Në bashkëpunim me Abdyl Këllezin e Filip Nashin, kemi vënë në shfrytëzim puset e vrojtimit”. Të njëjtën gjë e ka deklaruar dhe Filip Nashi..

Gjithë provat e administruara në çështje argumentuan se gjithë kjo veprimtari sabotuese ishte rezultat jo vetëm i veprimtarisë të grupit që gjykojmë, por i punës së koordinuar të gjithë komplotit të madh që i përgatitej Atdheut nga armiqtë e Partisë dhe të shtetit. Në këtë drejtim u provua se si midis armiqve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi Kiço Ngjela e Vasil kati, ashtu edhe midis tyre, dhe komplotistëve në ushtri, të kryesuar nga tradhtari Beqir Balluku, ka ekzistuar një ekzistuar një plan i përbashkët për të kryes sabotimin e shfrytëzimin në mbingarkesë të vendburimeve, mos zbulimit të rezervave dhe mbylljes së perspektivës të naftës në përgjithësi.

I pandehuri Abdyl Këllezi, duke folur për këtë problem deklaroi:”Në vitin 1973 në Fier, në një takim ku kam qenë unë, Beqir Balluku, Koço Theodhosi e Filip Nashi, kur unë i bëja presion Koços e Filipit për të intensifikuar shfrytëzimin barbar të vendburimeve ekzistuese të naftës, duke thënë se mua më duhet me çdo kusht realizimi i planit vjetor dhe nuk dua të di për inondimin dhe përmbytjen e puseve. Beqir Balluku ndërhyri duke më mbështetur mua:’Drejt e ka Abdyli, shikoni të realizoni planin vjetor e mos shikoni të ardhmen’” Më tutje, ky i pandehur pohoi: “Në vitin 1973 kur hartonim projekt-planin e vitit 1974, kam biseduar me Kiço Ngjelën e Vasil Katin për eksportin e naftës, se do të pakësojmë eksportin pasi vendburimet po i shfrytëzojmë me mbingarkesë dhe jashtë rregullave teknike. Kiço tha se pavarësisht nga kjo duhet të mbajmë tregun dhe të bëjmë ç’ mos që ta eksportojmë naftën”.

Shokë gjyqtarë! Në vështrim të këtyre thënieve dhe gjithë fakteve të tjera të mbledhura në këtë çështje, del qartë se të gjithë të pandehurit që gjykojmë janë në unitet mendimi dhe veprimi mes tyre, se veprimtaria e tyre është në lidhje të ngushtë dhe të organizuar me ata të sektorit të naftës të kryesuar nga Pirro Gusho e Filip Nashi dhe të gjithë së bashku, për realizimin e veprimtarisë armiqësore në dobësimin e ekonomisë popullore dhe likuidimin e diktaturës së proletariatit, kanë një plan të bashkërenduar me komplotistët në ushtri të kryesuar nga tradhtari Beqir Balluku dhe gjithë grupet e tjera armiqësore. Në këtë sabotim dhe veprimtari të thellë armiqësore, ashtu sikurse u pranua dhe nga vetë të pandehurit dhe u konkretizua nga gjithë faktet e tjera, drejtuesi i gjithë veprës kriminale apo ‘koka dhe trungu’, sikundër e përcaktuan vetë ata, është armiku Abdyl Këllezi bashkë me Koço Theodhosin, ndërsa ekzekutorët e kësaj vepre barbare dhe thellësisht armiqësore, janë armiqtë Beqir Alija, Filip Nashi, etj…

Puna e gjerë armiqësore e kryer nga të pandehurit që gjykojmë, natyrisht, solli pasoja për ekonominë popullore. Por sado të mëdha të ishin këto dëme, nga veprimtaria e tyre sabotuese, nën udhëheqjen dhe kujdesin e Partisë, klasa punëtore dhe gjithë punonjësit e sektorit të naftës, po i riparojnë me shpejtësi dëmet e ardhura dhe po i japin Atdheut naftë dhe gaz gjithnjë e më shumë. Dhe s’ ka se si të ndodhë ndryshe. Në vendin tonë, qëllimi i vetëm i Partisë dhe popullit është ndërtimi i shoqërisë socialiste dhe duke pasur para sysh se nafta zë një vend të rëndësishëm në ekonomi dhe mbrojtjen e Atdheut, rezultatet do të jenë gjithmonë në rritje, si kudo, ashtu dhe në këtë degë të rëndësishme të industrisë.

Gazeta Dita, 23.10.2013