Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ceremonia e çertifikimit të hoteleve të para ECOPROFIT në Shqipëri

Bit Albania, finalizoi me sukses çertifikimin e 5 hoteleve të parë në Shqipëri, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Sistemit për Treguesin e Cilësisë mbi Mjedisin dhe Shfrytëzimin efikas të Energjisë për Bizneset Shqiptare të Turizmit”.

Ceremonia e çertifikimit u organizua ditën e enjte, më datë 3 tetor 2013, në ambientet e Hotel Theranda, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e GIZ (Shoqërise Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), përfaqësues të Cleaner Production Centre Austria, si dhe përfaqësues të hoteleve me potencial të madh turistik për Shqipërinë.

Hotelet që implementuan me sukses sistemin ECOPROFIT, si Hotel Theranda (Tiranë), Hotel Kaduku (Shkodër), Hotel Viktoria (Tiranë), Hotel Arbër (Tiranë) dhe Hotel Castle Park (Berat), kanë diskutuar, mësuar, implementuar dhe punuar, të shoqëruar nga ekspertë dhe konsulentë kombëtarë dhe ndërkombëtarë masa të suksesshme ekologjike dhe me përfitim ekonomik.

Ceremoninë e aktivitetit e hapi, zj.Bianca Duro – drejtore ekzekutive e bit Albania. Shumë entuziaste për punën e bërë deri tani me këto hotele, vlerësoi interesimin dhe pjesëmarrjen e bizneseve të tjera turistike për t’u bërë pjesë e ECOPROFIT CLUB.

Z.Ismail Beka, drejtori ekzekutiv i GIZ në Shqipëri, theksoi rëndësinë e implementimit të standardeve mjedisore në Shqipëri si dhe synimin e GIZ për t’u angazhuar dhe përkrahur në vazhdimësi nisma që do të kontribuojnë në ofrimin e standardeve ndërkombëtare bizneseve shqiptare.

Gjatë aktivitetit, drejtori ekzekutiv i ECOPROFIT në Austri, z.Christoph Holzner, prezantoi sistemin dhe bashkëpunimin me GIZ në kuadër të këtij projekti publiko-privat për të sjellë në Shqipëri sistemin ECOPROFIT, i cili është cilësuar si nje model “best-practice në Europë”. Ai hodhi një vështrim mbi zhvillimin e ECOPROFIT në vitin 1991 në Graz të Austrisë dhe se si ky model sot vjen edhe në Shqipëri si një model shumë i suksesshëm.

Gjithashtu, partner i rëndësishëm në promovimin e markës ECOPROFIT në këtë projekt, është dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA). Drejtoresha ekzekutive zj.Matilda Naco përshëndeti gjithë të pranishmit dhe i inkurajoi përfaqësuesit e hoteleve të ndërmarrin një hap të rëndësishëm, si ky, në përmirësimin e imazhit të turizmit në Shqipëri.

Në periudhen 2012-2013, për herë të parë në Shqipëri, këto hotele nisën procesin e implementimit të sistemit për menaxhim mjedisor ECOPROFIT, duke u bërë promotor në përhapjen, ndërgjegjësimin dhe implementimin e standardeve mjedisore sipas kërkesave të Bashkimit Europian.

Me ndihmën e workshope-ve dhe këshillave të konsulentëve në vend, deri në asistim në implementimin e masave përmirësuese, bizneset u njohën me mënyrat dhe instrumentet nëpërmjet të cilave ata mund t’i arrijnë synimet e tyre, siç janë shmangia e emetimeve, përdorimi efiçient i materialeve (lëndës së parë), përdorimi efiçient i energjisë, ulja e konsumit të energjisë, menaxhimi i mbetjeve të krijuara. Të gjitha këto masa, kur implementohen në kuadër të një sistemi efikas për menaxhim mjedisor, i sjellin biznesit ndikim të drejtpërdrejtë në kursimin e kostove.

Në tetor të këtij viti, Klubit ECOPROFIT iu bashkua dhe Guesthouse RUPA në Theth, si një nga zonat turistike më atraktive për turistët e huaj. Ky bashkëpunim do të ndiqet nga konsulenti Pirro Cajupi.

Kjo iniciativë e rëndësishme me fokus zhvillimin e një tregu dhe klime të qëndrueshme në bizneset shqiptare të turizmit, u realizua falë bashkëpunimittë ngushtë ndërmjet GIZ, ATA dhe bit Albania. Që prej vitit 2012, bit Albania është Pika Kombëtare e Kontaktit për ECOPROFIT në Shqipëri dhe është përgjegjëse për zbatimin me sukses të këtij sistemi në bizneset shqiptare.

Energjia.al 08.10.2013