Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Puset e injektimit te ujit te Bankers Petroleum pa leje mjedisore

Sipas ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, në fuqi në kohën e vënies në punë të puseve të injektimit të ujit të Bankers Petroleum, vendet e depozitimit të mbetjeve industriale (si të tilla funksionojnë dhe puset e injektimit të mbetjeve të ujit) duhet ti nënshtrohen një vlerësimi të përmbledhur të ndikimit në mjedis. Po ashtu, skemat artificiale te rimbushjes së ujerave nëntokësore duhet të kenë vlerësim të ndikimit në mjedis. Pra puset e injektimit të mbetjeve të ujit duhet të kenë leje mjedisore.

Në lejet mjedisore të publikuara nga Ministria e Mjedisit në faqen e saj, për Bankers Petroleum gjejmë leje mjedisore për shpim pusesh, për shfrytëzim pusesh nafte dhe për gropë ekologjike për depozitimin e mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta të naftës, por nuk gjejmë leje mjedisore për depozitim të mbetjeve industriale në puse injektimi. Që këto puse ekzistojnë konfirmohet dhe në raportin e BERZH-it për aktivitetet e Bankersit, publikuar në shkurt.

Puset e injektimit të ujit të BP-së funksionojnë pa leje mjedisore dhe Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë reagim publik ndaj problemit të tërmeteve të shkaktuara nga këto puse. Ministria e Mjedisit duhet të marrë masa të shpejta për realizimin e një vlerësimi të ndikimit në mjedis, mundësisht me përfshirjen e ekspertëve që nuk kanë konflikt interesi dhe që kanë eksperienca botërore në këtë fushë.

Nëse këto puse kanë leje mjedisore që nuk është publikuar nga Ministria e Mjedisit, kjo duhet të ushtroje kompetencat e saj dhe të rishikojë lejet mjedisore duke përdorur ekspertët e saj, pavarësisht opinionit të dhënë nga Instituti i Gjeofizikës.

Dëmi në mjedis që potencialisht shkaktojnë këto puse injektimi është ndotja e ujërave nëntokësore nga tërmetet.

Në SHBA, vendi me eksperiencë më të vjetër në nxjerrjen e naftës, puset e injektimit të ujit marrin leje mjedisore. Agjensia e Mbrojtjes së Mjedisit, SHBA ka publikuar së fundmi një draft-raport ku vlerëson masat që mund të merren për puset e injektimit që shkaktojnë tërmete. Sipas këtij drafti 341 faqsh kjo agjensi jep disa opsione për zgjidhjen e problemit të tërmeteve të shkaktuara nga puset e injektimit të ujit, në rend prioriteti. Ndër opsionet përmendet pakësimi i ujit të injektuar në pus, mbledhja e më shumë të dhënave, edukimi i publikut mbi “kompleksitetin e sizmicitetit të shkaktuar nga injektimi i ujit”. Nëse masat e marra nuk kanë sukses, opsioni i fundit është mbyllja e puseve të injektimit të ujit.

Dokumenti është rezultat i shqetësimeve mbi tërmetet e shkaktuara nga nxjerrja e naftës. Në dy shtete të SHBA-së, Arkansas dhe Ohajo, puset e injektimit që janë implikuar në tërmete, janë mbyllur. Në Teksas vetë kompania e naftës mbylli një pus injektimi uji që po shkaktonte tërmete afër një aeroporti.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 27.09.2013