Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Metrologjia, hetim cilësisë së karburantit

Skandali i quajtur “Metrologjia”, ku disa pika karburanti vidhnin konsumatorët në sasi, është zgjeruar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur verifikimet edhe për cilësinë, ku ka dyshime se lënda djegëse është e përzierë. Veprimet e fundit hetimore kanë nxjerrë në dritë edhe këtë problem të mbartur prej vitesh, por që në fakt askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore. Madje, edhe denoncimi i ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për skandalin e naftës virgin, është shfryrë në maksimum në prokurori e gjykatë, teksa janë dënuar vetëm disa drejtues kamionësh. Tashmë, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës pohon se ka të njëjta probleme si më parë me cilësinë e karburantit, ku ka dyshime se tonelata me virgin (naftë e papërpunuar) përzihet me naftën e importuar dhe u shitet shqiptarëve me një çmim të kripur. Në këtë rast, automjetet amortizohen së tepërmi, ndërsa pronarët e tyre paguajnë me tepër për këtë lëndë djegëse, e cila ka mjaft probleme. Këtë kontroll duhet ta bëjë pikërisht Drejtoria e Metrologjisë, e cila duhet se ka kryer vetëm verifikime selektive, madje ka marrë masa qesharake, kur në fakt pronarët e këtyre pikave të karburantit mund të akuzohen për mashtrim, por edhe për vjedhje.

Cilësia e karburanteve

Veprimet e fundit të grupit hetimor të Task-Forcës po konsistojnë te cilësia e karburantit që është treguar nga disa pika në Tiranë, por edhe në rrethe. Ka dyshime se kontrollorët e Metrologjisë kanë “mbyllur” sytë para shkeljeve të tilla, ndërsa nuk i kanë denoncuar. “Nga verifikimi i dokumenteve, por edhe nga dëshmia e kontrollorëve e zyrtarëve të tjerë të Metrologjisë, kemi ngritur dyshime se shqiptarët mashtrohen në sasi dhe në cilësi për karburantet e mjeteve. Ka disa dokumente ku firma të ndryshme kanë abuzuar me cilësinë e karburantit, i cili, nga analizat paraprake, rezulton i përzier”, pohojnë burimet nga prokuroria, sipas së cilave, nën akuzë mund të vihen pronarë të pikave të karburantit, por edhe punonjës të Metrologjisë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Hetimet për sasinë

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se kanë vijuar hetimet për mashtrimin me karburantet. Megjithatë, asnjë i arrestuar, i pandehur apo i hetuar për këtë skandal. Grupi hetimor ka verifikuar materialet e marra nga Metrologjia dhe ka rezultuar se nga 14 pika në të gjithë vendin, katër prej tyre janë në Rrethin e Tiranës. “Dy pika karburanti janë brenda qytetit të Tiranës dhe dy në periferi”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas saj, pikat e karburanteve mashtrojnë qytetarët duke i mbajtur për çdo blerje mbi 1000 lekë nga 100 lekë. Mësohet se qytetarëve për çdo 10 litër karburant i vidhej gjysmë litri. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në total janë 14 pika karburantesh në mbarë vendin, të përfshirë në rrjetin e mashtrimit dhe vjedhjes, nga të cilat katër pika në kryeqytet dhe 10 pika në rrethe. Nga ana e organit të akuzës është marrë në dorëzim i gjithë dokumentacioni përkatës i Drejtorisë së Metrologjisë. Sipas burimeve nga Drejtoria e Metrologjisë, mësohet se është vënë në dispozicion të prokurorisë i gjithë dokumentacioni që disponohej lidhur me pikat e karburanteve që abuzonin me sasinë që u shisnin klientëve. Mësohet se katër pika të evidentuara si të tilla ndodhen në qytetin e Tiranës, ndërsa disa të tjera në Kavajë dhe në rrugën nacionale Durrës-Lushnjë. Lidhur me këto pika, Prokuroria e Tiranës nuk ka kompetencën të hetojë, por konfirmohet se do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme.

Gazeta Shqip, 27.09.2013