Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndërtimi i termocentralit të ri pritet të fillojë në 2015

Investitorët e parakualifikuar për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë, vazhdojnë interesimin për këtë projekt. Ata tashmë i kanë dhënë komentet e tyre, që pritet të përfshihen në strukturën e transaksionit. Udhëheqësi i projektit, Liridon Mavriqi, tha për Radio Kosovën, se këtë proces qeveria po e zhvillon në konsultim me faktorët vendorë e ndërkombëtarë dhe çdo ndryshim duhet të jetë i harmonizuar me ta. Njëkohësisht janë duke u konsultuar me investitorët, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë sa më e madhe, thotë Mavriqi.

“Për momentin janë tre investitorë që kanë duke vazhduar të shprehin interesim për projektin. Përfundimisht nuk mund të paragjykojmë se sa do të ofertojnë, por nëse vazhdon në bazë të interesit të cilin e kanë shprehur deri më tash, shpresojmë se do të kenë interes edhe më tutje”, thekson ai.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë me bazë thëngjillin, ishte marrë në vitin 2005, por projekti është zvarritur, duke iu ndërruar fillimisht emri, e pastaj edhe struktura. Mavriqi nuk jep ndonjë afat të saktë se kur do të përzgjidhet kompania fituese, por thekson se projekti do të fillojë të ndërtohet pas dy vjetësh.

“Gjasa për të filluar ndërtimi i projektit në vitin 2015 ka, dhe ende është plani të cilin e kemi. Ne tani nuk kemi një datë të saktë për arsye se kur i kemi marrë komentet prej investitorëve kemi parë se ka disa ndryshime të cilat ata potencialisht kërkojnë që të bëhen”, tha ai.

Mavriqi sqaron se investitorët kanë kërkuar fleksibilitet, që të sigurohet se projekti është i financueshëm dhe të reduktohet kostoja e tij. Sipas tij procedura e ndërtimit pritet të marrë rreth 4 vjet, dhe kjo lë të kuptohet se termocentrali Kosova A nuk do të mund të mbyllet në vitin 2017.

Nga ana tjetër, shoqëria civile ende e kundërshton ndërtimin e një termocentrali me thëngjill. Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi shfaq dyshime se qeveria do të mund të menaxhojë një projekt kaq të madh.

”Duke parë se qeveria e Kosovës nuk ka arritur të menaxhojë projekte më të vogla, nuk do të arrijë të menaxhojë as këtë projekt, që është një prej projekteve më të mëdhenj jo vetëm për Kosovën, por për secilin vend në zhvillim. Termocentralet janë çështje komplekse, dhe ne kemi kërkuar që duke parë këtë formë të menaxhimit dhe tërë këto probleme që më mirë të mos ndërtohet fare një termocentral i ri nga qymyri, por të shikohen format alternative të prodhimit të energjisë”, Demi për Radio Kosovën.

Sipas tenderit, termocentrali i ri pritet të ketë dy blloqe me kapacitet prej 600 megavatesh. Kurse ofertues të para-kualifikuar për këtë projekt janë: PPC dhe Sithe Global, konsorcium nga Greqia dhe SHBA-të; Park Holding Ciner Group nga Turqia dhe Contour Global nga Anglia.

Gazeta Koha Ditore, 22.09.2013