Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Largohet frika për sulme në Siri, bien çmimet e naftës

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë ndjeshëm në dy sesionet e fundit, pasi është larguar një pjesë e frikës për një sulm të mundshëm ushtarak në Siri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mbrëmjen e së Hënës Presidenti, Barack Obama tha se ka gjetur një rrugëdalje të mundshme të krizës në Siri, pasi Rusia ka propozuar që aleati i saj, Damasku, të dorëzojë armët kimike për shkatërrim tek ndërkombëtarët. Nëse arrihet kjo marrëveshje atëherë do të shmanget sulmi ushtarak nga Shtetet e Bashkuara.

Vetëm në sesionin e së Hënës, nafta Brent e Londrës ra me 2.1%, ndërsa ka zgjeruar më tej humbjet edhe në sesionin e sotëm dhe tregtohet në rreth 113 dollarë për fuçi, nga 117 dollarë që tregtohej javën e kaluar. Sipas analistëve, një sulm i mundshëm në Siri do të çrregullonte furnizimin global me naftë nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe do të rriste çmimet e arit të zi. Efekti zinxhir do të transmetohej në ndagalësimin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale, sidomos të vendeve në zhvillim, që janë konsumatorë të rëndësishëm të energjisë.

Rënia e çmimit të naftës do të kishte qënë në masë më të madhe, por u kufizua nga disa të dhëna pozitive ekonomike në Kinë, që konfirmuan se ekonomia e dytë më e madhe në botë është stabilizuar, pas ngadalësimit të 9 nga 10 tremujorët e fundit. Obama tha se propozimi i ri i Rusisë vjen si pasojë e kërcënimit amerikan për të sulmuar Sirinë për shkelje të ligjeve ndërkombëtare të përdorimit të armëve kimike, që administrata e tij pretendon se ka ndodhur më 21 gusht në periferitë e Damaskut. Në një reagim të dukshëm ndaj disa ligjvënësve, të cilët kanë vënë në diskutim interesat amerikane rreth një sulmi ushtarak të mundshëm, Obama tha se armët kimike të Sirisë “përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm ndaj të gjithë kombeve, por edhe Shteteve të Bashkuara në veçanti”.

TV Scan, 10.09.2013