Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Patton Boggs braktis lobimin për Shqipërinë pas humbjes së Berishës

Lobistët pro Kryeministrit Sali Berisha japin dorëheqjen nga puna e tyre për mbrojtjen e imazhit kreut të Ekzekutivit shqiptar. Një vendim i tillë është marrë siç duket menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku Partia Demokratike dhe koalicioni i saj dolën të humbur. Një dokument zyrtar është depozituar pranë zyrës së zyrës së regjistrit të financave të SHBA, që mban firmën e kompanisë së njohur lobiste “Patton Boggs”, e cila njofton institucionet amerikane përkatëse se ajo nuk përfaqëson qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka ndonjë marrëveshje. “Ju lutem bëni efektive këtë kërkesë, të çregjistroni këtë firmë nga FARA(Foreign Agents Registration) si përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë. Firma nuk ka një marrëveshje me këtë aktor të huaj dhe ka pushuar kryerjen e veprimtarisë regjistruese në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në dokumentin e depozituar nga “Patton Boggs”. Shkresa zyrtare mban datën 23 gusht. Kjo është shkëputja e bërë nga kjo firmë, e cila në të njëjtën kohë njofton se punonjësit e saj, ekspertët e kësaj firma nuk punojnë për qeverinë “Berisha”. “Përveç kësaj, ju lutem ndërprisni formularin e regjistrimit (Short-Form Registration) të Graham Wisner, Taryn Frideres dhe Matthew Oresman për punën e ardhshme në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në pikën 5 të formularëve të “Patton Boggs”.

Kontrata e 2013

Në fillim të këtij viti “Patton Boggs” ka depozituar pranë institucioneve përkatëse financiare amerikane një kontratë pune me qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Ajo është nënshkruar më 7 dhjetor të vitit 2012, porse ka shtrirë efektet për vitin pasardhës, pra për vitin 2013. Marrëveshja për palën shqiptare ka pasur dy përfaqësues, përkatësisht Gjegj Lezhja, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe Emelinda Muho, përfaqësuese e Ministrisë së Inovacionit, që drejtohet nga Genc Pollo. Ndërsa marrëveshja me pikat është firmosur nga Gjergj Lezhja dhe W. Caffey Norman. Gazeta “Shqip” ka zbuluar se marrëveshja-formular mes “Patton Boggs” dhe qeverisë shqiptare është dorëzuar më 14 janar të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare, “Patton Boggs” thekson në materialet e saja, se nga janari deri më qershor të këtij viti ka mbrojtur interesat e qeverisë shqiptare pranë institucioneve amerikane në Senat, Kongres, apo dhe në takimet në Departamentin e Shtetit. “Gjatë pjesës së parë të vitit, të regjistruarit këshilluan Komitetin e Jashtëm të Kongresit, çështjet dhe rregullat e SHBA. Ky monitorim përfshin, hartimin e informacionit dhe duke analizuar deklaratat e qeverisë amerikane në lidhje me çështjet e interesit të principalit të huaj (qeverisë shqiptare). Për më tepër, regjistruesit (Patton Boggs) këshilluan Shqipërinë në marrëdhëniet e saj bilaterale me qeverinë e SHBA. Regjistruesit gjithashtu informuan zyrtarët e Kongresit dhe agjencitë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe diskutuan për mënyrat për të cilat zgjeronin marrëdhëniet e ndërsjella”, thuhet në dokumentin zyrtar. Frank Wisner ka qenë një emër i njohur për qarqet politike të Ballkanit. Ai ka pasur disa herë vizita në Tiranë, ku është takuar dhe me Kryeministrin Sali Berisha. “Patton Boggs” ishte një ndër firmat konsulente për qeverinë shqiptare për procesin e privatizimit të aseteve të rëndësishme kombëtare publike, si ARMO dhe “Albpetrol”. Për çështjen e “Albpetrol”, privatizimi u cilësua si një dështim i plotë, ndërsa për ARMO-n, “Patton Boggs” krenohet, pasi e cilëson si një sukses të plotë. Pas mbi 5 vitesh mbështetje, lobistët amerikanë janë detyruar të heqin dorë nga qeveria shqiptare, kjo pasi bashkëpunëtori i tyre, përfaqësuesi i së djathtës në Shqipëri humbi zgjedhjet parlamentare. Kontratat 300 mijë dollarëshe janë nënshkruar përgjatë gjithë vitit mes qeverisë shqiptare të Kryeministrit Sali Berisha. Të gjitha kontaktet për mbrojtjen e imazhit të qeverisë së Berishës janë kryer përgjatë kësaj periudhe nga dy kompanitë lobuese “Podesta Group” dhe “Patton Boggs”. Sikur të mos mjaftonte vetëm një kompani, shteti shqiptar ka lidhur dy kontrata me të njëjtën fizionomi, duke shpenzuar rreth 600 mijë dollarë amerikanë në vit. Përgjatë këtyre viteve, qeveria shqiptare ka derdhur në arkat e këtyre dy kompanive mbi 3 milionë dollarë amerikanë.

Përfaqësuesit
Në kërkesën zyrtare si përfaqësues të kompanisë amerikane përmenden emrat e Graham Wisner, Taryn Frideres dhe Matthew Oresman

Kontrata tjetër mes qeverisë dhe “Podesta”-s, si u përdorën për zgjedhjet

Qeveria “Berisha” ka përdorur arkën e shtetit për të paguar kompaninë “Podesta”, në këmbim të asistencës së ofruar për fushatën elektorale të 23 qershorit. Në këtë drejtim janë përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi kjo kompani e ka kryer këtë shërbim në mënyrë intensive, pikërisht në muajin e fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Gazeta “Shqip” ka zbuluar shpenzimet e kryera nga kontrata e qeverisë në ikje, e cila është firmosur në një vit zgjedhor. Vlera e pagesës në arkën e “Podesta”-s është 360 mijë dollarë amerikanë për një periudhë 6-mujore. Ashtu si dhe në të gjitha kontratat e tjera të zbuluara nga gazeta “Shqip”, ajo mes “Podesta”-s dhe qeverisë “Berisha” ka si qëllim kryesor forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe qeverisë shqiptare, pa pasur në konsideratë një kauzë, apo një finalizim të ndonjë projekti, si p.sh. konkretizimin e marrëveshjes mes dy qeverive, apo përfitimin e ndonjë fondi të posaçëm nga qeveria e SHBA-së. Qeveria shqiptare, sipas materialeve që disponohen, ka bërë dy pagesa në llogari të “Podesta”-s, të kryera pikërisht në dy data të ndryshme të muajit prill. Dokumentet zyrtare të “Podesta”-s janë depozituar në zyrën përkatëse të Tatimeve në SHBA më 31 korrik të këtij viti, ku pasqyrohet e gjithë puna e kryer për këta 6 muaj. Disa ditë më parë, gazeta “Shqip” zbuloi dokumentin në të cilën vërtetohej se pagesa e parë është bërë më 16 prill të këtij viti në një vlerë prej 180 mijë dollarësh. Pas tetë ditësh, “Podesta” ka marrë shumën tjetër prej 180 mijë dollarësh. Nga këto shpenzime mësohet se rreth 8 mijë dollarë janë përdorur për udhëtime, transport, ndërsa rreth 3 mijë dollarë amerikanë për materiale zyre dhe ushqime.

Gazeta Shqip, 01.09.2013