Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KLSH: 86% e abuzimeve në shtet kryhen në “Albpetrol” dhe KESH

Totali – Në raportin që pritet të prezantohet në muajin shtator, rezulton se dëmi i zbuluar nga KLSH, prej 13.5 miliardë lekësh, vlerësohet se është afro 93 për qind më i lartë se ai i evidentuar në 2011 

Prokuroria – Duke marrë shkas nga abuzimet e shumta, KLSH ka çuar për kallëzim penal në prokurori 12 persona, ku 2 janë në nivel të lartë drejtues, pa publikuar postet që kanë ushtruar dhe emrat
HEC-et – 5 shoqëri koncesionare dispononin dokumente (nga 13 të tilla), ku është shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 12 milionë lekë (vetëm për dy vjet aktivitet prodhimi dhe shitje të energjisë elektrike)
Zbulimet
Shkaktuan 92 milionë USD dëm. Masakër me koncesionet
Shkaku i abuzimeve lidhet me mosarkëtimin e faturave ndaj palëve të treta, në dëm të buxhetit
Drejtohen që të dyja nga shteti, menaxhojnë kontrata deri në 1 miliard dollarë, janë kompanitë me xhirot më të mëdha, por njëherësh edhe epiqendra e abuzimeve, ku si gjithnjë, është buxheti i shtetit dhe taksapaguesit ata që e pësojnë.
Kësaj here me fakte, Kontrolli i Lartë i Shtetit vërteton se institucionet e “Albpetrol” për sektorin e naftës dhe KESH për energjinë elektrike, janë kthyer në gangrenë për qeverinë dhe burim korrupsioni për ata që kërkojnë të fitojnë shpejt, duke abuzuar me ligjin.
Mjafton të shikosh shifrat e raportit të kontrollit për vitin 2012, ku mësohet se nga i gjithë dëmi i zbuluar, prej 13.5 miliardë lekësh, rreth 9.3 miliardë (rreth 92 milionë dollarë) u takojnë dy kompanive të naftës dhe energjisë, duke zënë rreth 86 për qind.
Në raportin që pritet të prezantohet në muajin shtator, rezulton se dëmi i zbuluar nga KLSH vlerësohet afro 93 për qind më i lartë se ai i evidentuar në vitin 2011.
“Cilësojmë se, tendenca në rritje e këtij treguesi në vitet 2011 dhe 2012, reflekton dhe moslikuidimin e detyrimeve kontraktore ndaj dy shoqërive publike ‘Albpetrol’ dhe KESH, respektivisht në vlerën 9,195,395 mijë lekë dhe 2,451,092 mijë lekë, vlera të cilat zënë rreth 86 për qind të shumës totale të dëmit ekonomik të evidentuar gjatë këtij viti”, thotë KLSH.
Kompania “Albpetrol” paraqitet me probleme serioze, për shkak edhe të shumave, por edhe sepse menaxhon kontrata të majme në sektorin e naftës, ku shteti, nga ana tjetër, përfiton shumë pak të ardhura në buxhet. Kompania e prodhimit të naftës, në vitin 2011 kishte probleme financiare dhe një dëm ndaj shtetit në vlerën e rreth 4 miliardë lekëve, ndërsa një vit më pas, “abuzimi” është më shumë se dyfishuar.
Më konkretisht, për këtë kompani, KLSH thekson se, dëmi në vlerën 9,195,395 mijë lekë, u shkaktua për mosshlyerjen e detyrimeve kontraktore nga një operator ekonomik privat në vlerën 5,375,445 mijë lekë dhe të kamatëvonesave për prodhim të patërhequr në vlerën 3,819,950 mijë lekë nga kompanitë që operojnë në bazë të marrëveshjeve të hidrokarbureve, vlerë e cila zë rreth 77 për qind të dëmit total të zbuluar në këtë zë.
Kurse për KESH veçon faktin se, dëmi prej 2,451,092 mijë lekësh, ose në masën mbi 20% të vlerës totale të zbuluar në këtë zë, erdhi si pasojë e mosarkëtimit të vlerës së energjisë elektrike të furnizuar dhe të faturave nga CEZ-i për periudhën nga 31.12.2010 deri në 31.12.2011 dhe nga mosaplikimi i normës së interesit për faturat e palikuiduara. Duke marrë shkas nga situata e krijuar me abuzimet e shumta, KLSH ka çuar për kallëzim penal në prokurori 12 persona, ku 2 janë në nivel të lartë drejtues, pa publikuar konkretisht postet që kanë ushtruar dhe emrat. KLSH ka rekomanduar se e gjithë shuma e detyrimeve të papaguara të zhdëmtohet në masën 100 për qind.
Gjithashtu, KLSH thotë se, janë zbuluar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 1,842,998,000 lekë, ose 13.2 milionë euro. Në totalin e shkeljeve të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancë, shkeljet në koncesionet e dhëna nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përbëjnë 60.4 për qind. Te kjo ministri janë vërejtur probleme serioze në menaxhimin e kontratave koncesionare. Konkretisht, në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, kishte shkelje me vlerë 673,997 mijë lekë, ku vetëm nga METE ishin 606,927 mijë lekë, e cila zë rreth 90 për qind të vlerës gjithsej të zbulimeve në këtë fushë, shkaktuar si pasojë e mosushtrimit të penaliteteve për shkeljet e kushteve të kontratave koncesionare nga 24 koncesion =arë dhe mosndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e dëmit të tyre ekonomik në vlerën prej 595,146 mijë lekë.
METE
90% e dëmit nga minierat dhe koncesionet
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konsiderohet më problematikja në zbatimin e ligjit për koncesionet, edhe për faktin se ka një numër të madh kontratash për të zbatuar, në raport me ministritë e tjera. Sipas KLSH, nga i gjithë dëmi i shkaktuar për mosdisiplinim financiar, METE-s i takon. konkretisht shuma 1.1 miliardë lekë, si pasojë e moszbatimit të akteve nënligjore në fuqi në fushën e dhënies me koncesion në industrinë e bakrit, kromit dhe energjetikës.

Gazeta Shqip, 27.08.2013