Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kryeministri bllokon bordin e KEK-ut e të PTK-së

Zyra e Kryeministrit ka bllokuar procesin për përzgjedhjen e bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se zyra e kryeministrit ka bllokuar me qëllim procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, për shkak të interesave të ngushta brenda partisë në pushtet, lidhur me atë se kë të zgjedhin në këto borde.

Sipas tij, i përfshirë në këtë bllokim të konkursit është edhe kryetari aktual i bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj. “Më 11 prill është mbyll konkursi, dhe intervistat kanë përfunduar, ndërsa procesi mbetet i bllokuar. Këtu po bëhet një lojë për interesa të brendshme të PDK-së. Madje vetë Rexhë Gjonbalaj është i përfshirë në këtë bllokadë” bën të ditur burimi i besueshëm i gazetës.

Në prill të këtij viti, zyra e kryeministrit ka mbyllur konkursin publik për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit të Postë dhe Telekomit të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Kosovës. Në fillim të muajit të kaluar ka përfunduar edhe intervistimi i gjithë atyre që kanë konkurruar për këto dy borde.

Por, megjithatë Zyra akoma nuk ka bërë asgjë publike, ku po vazhdon ta mbajë të bllokuar përzgjedhjen e anëtarëve të rinj.

Madje, dy bordet aktuale të PTK-së dhe KEK-ut, ka më shumë se një vit që u ka përfunduar mandati prej 3 vjetëve i përcaktuar me ligjin për ndërmarrje publike. Gazeta ka provuar disa herë ta kontaktojë kryetarin aktual të bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, por ky i fundit është përgjigjur në numrin e tij
zyrtar.

Në anën tjetër, zyra për media e Kryeministrisë së Kosovës nuk ka dhënë shpjegime rreth zvarritjes së procesit për përzgjedhjen e anëtareve të rinj të bordeve të ndërmarrjeve publike. “Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve për bordet e ndërmarrjeve publike KEK dhe PTK ka vazhduar ashtu siç është paraparë, është bërë përzgjedhja e kandidatëve për intervistim, më pas është zhvilluar edhe procesi i intervistimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre. Sipas tyre, vendimi për
përzgjedhjen e anëtareve të rinj të bordeve do të merret në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë.

“Janë duke u hartuar rekomandimet për Qeverinë dhe në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë pritet q ë të emërohen drejtorët e bordeve për këto dy ndërmarrje”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Zyra për Media e Kryeministrisë. Por, derisa Qeveria po zvarrit procesin e përzgjedhjes, bordet aktuale edhe pse me mandat të skaduar edhe më tej po marrin vendime për kompaninë e benificioine për vetën.

Para pak ditësh kryetari i bordit, Rexhë Gjonbalaj, ka marrë bonus në vlerë prej 5200 euro, ndërsa 6 anëtarët tjerë nga 4500 euro. Avni Zogiani, drejtues i organizatës për Dinjitet dhe Antikorrupsion “Çohu” thotë se bordet e ndërmarrjeve publike po vjedhin e plaçkitin ndërmarrjet.

“Anëtarët e bordeve janë njerëz politikë, që marrin këto poste vetëm për të gjeneruar përfitime, duke shfrytëzuar kompanitë publike. Andaj edhe nuk pengohet nga askush. Këto borde përkundrazi, jo që nuk kanë kontribuar në zhvillimin e kompanive, por përkundrazi kanë penguar zhvillimin e tyre”, tha ai.

Gazeta Zeri, 18.08.2013