Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Riorganizimi më i shpejtë i Trepçës i shërben fuqizimit ekonomik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës si dhe Ndërmarrja Trepça, organizuan një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua për gjendjen momentale e ndërmarrjes Trepça, si dhe perspektivën afatmesme të këtij potenciali të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kjo tryezë mblodhi rreth vetes përfaqësues të sektorit privat, përfaqësues të kompanive anëtare të Komitetit për Industri të Rëndë, trup ky i përbashkët midis OEK dhe OEAK dhe kompanive që veprojnë në Kosovë dhe njëkohësisht përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore.

Në hapje të tryezës, Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës foli për rëndësinë e ndërmarrjes Trepça dhe lidhjen e rëndësishme reciproke, jo vetëm për kthimin e namit të kësaj ndërmarrje si lider ballkanik në prodhimin e metaleve, or edhe për krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme të vendit.

Ai poashtu foli edhe për investimet kapitale në revitalizimin e Trepçës si dhe gjetja e një partneri serioz ndërkombëtar, të cilat janë dy nga mënyrat më të rëndësishme që i mundësojnë Kosovës kthimin e gjigantit të vet më të madh prodhues.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka Është mirë që pas një periudhe të gjatë kur pothuajse nga askush nuk është trajtuar sa duhet problemi i ndërmarrjes Trepça ka nisur një debat më aktiv, për të cilin duhet të ekzistojë një qëndrim më koheziv nga të gjithë.

Ai tha se kjo është edhe rezultat i punës së bërë nga Komiteti i Industrive të Rënda, i themeluar një vit më parë.

Është mirë që disa rekomandime të cilat kanë dalë nga grupi punues për stimulimin e zhvillimit të industrisë së rëndë që funksiono në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, siç është krijimi i një ndërmarrje të re NewCo Trepca, e cila do të mundësonte zhvillimin e investimeve, janë përfshirë më vonë edhe në rezolutën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Por gjithsesi dinamika e revitalizimit të Trepça-së duhet të përshpejtohet, duke e ditur rëndësinë që ka për zhvillimin ekonomik të vendit.

Halil Qela, UD i Drejtorit të Ndërmarrjes Trepça, theksoi se sa i përket ligjit ekzistues, praktika ka dëshmuar se ai nuk është i favorshëm për Ndërmarrjen Trepça, duke shtuar se punëtorët e saj, përfshirë edhe vet Qela, janë në pritje të hartimit të Ligjit të ri nga Qeveria, ligj ky i cili duhet të jetë në përputhje me nevojat e Trepçës, por edhe me konkluzionet e rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës, pasiqë në rrethanat aktuale është e pamundur që veprimtaria prodhuese të zgjerohet.

Këshilltari i lartë në ndërmarrjen Trepça Shyqri kelmendi shprehu shqetësimin e nenaxhmentit dhe punonjësve të ndërmarrjes Trepça se me gjithë faktin që rezoluta e Kuvendit obligon qeverinë që brenda një periudhe 90 ditore të përgatisë projektligjin për Trepça-në, dhe me faktin se tashmë janë bërë më shumë se tre muaj nga aprovimi i kësaj rezolute.

Derisa përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, konfirmuan se tashmë është në procedurë hartimi i ligjit për Trepça-në sipas kërkesës së Kuvendit, në anën tjetër Fatos Meça nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që menaxhon me ndërmarrjen Trepça u shpreh se AKP nuk është njoftuar për hartimin e ri të ligjit.

Ai në të njëjtën kohë tha se AKP nuk duhet kritikuar për gjendjen momentale në këtë ndërmarrje, meqë kjo agjenci vetëm ekzekuton dhe implementon dispozitat që dalin nga ligji përkatës.

Në fund të tryezës, u theksuan edhe konkluzionet e dala nga pjesëmarrësit e tryezës, të cilat duhet të shërbejnë më tej si bazë e platformës për revitalizimin e ndërmarrjes Trepça si në vijim:

• Hartimi dhe aprovimi më i shpejtë i Ligjit për Trepçën

• Konstituimi me ligj i ndërmarrjes “Trepça NewCo”, si ndërmarrje aksionare me kapital përmbajtjesor të Qeverisë së Kosovës

• Ndërmarrja e aktiviteteve urgjente për kthimin në përdorim të minierave ekzistuese dhe stabilizimin e procesit të prodhimit

• Bordi menaxhues i Trepçës sa më shpejtë të identifikojë partnerët potencialë strategjikë për revitalizimin e metalurgjikëve, ashtu që minierat kosovare të mos mbeten vetëm prodhues të koncentrateve dhe në këtë kuadër të stimulohet sektori privat për zhvillimin e kapaciteteve të përpunimit të produkteve minerare

• Të eliminohen procedurat burokratike të prokurimit me të cilat përballet ndërmarrja Trepça

Agjensia e Lajmeve Ekonomia, 02.08.2013