Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjergj Simaku: Ditët e zeza të energjisë, prej politikës pa moral

Specialisti i energjisë flet për ‘JAVA’ në lidhje me situatën e krijuar energjetike dhe ngërçet, që ka krijuar menaxhimi pa asnjë sens. “Mendoj se tashmë qumështi do të shkojë për të rregulluar shëndetin e ‘lopës’ së dobësuar në ekstrem”, thotë specialisti që ndërkohë po jep ndihmesën për një ligj më efikas për energjinë dhe eficencën në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë…

Një nga përballjet e para të qeverisë Rama, do të jetë ajo që ka lidhje me energjinë. Qeveria në ikje është munduar me çdo kusht që të veprojë në një rrugë të gabuar, paçka sugjerime të specialistëve, mes tyre dhe të Simakut. “Ditët e zeza ( që priten të vijnë për energjinë shqiptare), janë jo rezultat i pamundësisë për të importuar energji, por rezultat i politikës së privatizimit pa moral dhe pa sensin e tregut”, thotë ai
Edhe pse është larguar CEZ, situata energjetike në vend është e keqe ndërsa specialistët parashikojnë ditë të zeza për Vjeshtën e në vazhdim..Pse po ndodh e gjitha kjo?
“Mendoj se largimi i CEZ ishte tashme një dështim i politikave pa vizion të qeverisë në ikje. Jam prononcuar para privatizimit se ky privatizim ishte i pa studiuar, i pa efektshëm në kohen kur parametrat po ecnin mire dhe pjese e veprimeve ad-hock të qeverise që kishin prapa jo vetëm mosliberalizimin e tregut të energjisë por, përkundrazi monopolizimin e mëtejshëm të tij. Kjo u duk tek modeli i tregut të energjisë elektrike dhe më tutje tek deklarata rregullatore, të cilat pritej që do ta fundosnin konsumatorin shqiptar në terr, tashmë jo energjetik, por në një rritje çmimi që me vete përmbante uljen e arkëtimeve dhe degjenerimin e sistemit të pagesave. E menduar në detaje kontrata mes CEZ dhe Qeverisë praktikisht i përmbante këta elementë, dhe do të sillte herët a vonë një situatë kolapsi. Ja ku jemi sot. Kujt t’ja faturojmë humbjen? Opozitës?! Jo, jo. Përgjegjëse është qeveria në ikje dhe kjo duhet hetuar me shifra konkretë, pavarësisht se kush e ka udhëhequr sektorin.
Ditët e zeza, janë jo rezultat i pamundësisë për të importuar energji, por rezultat i politikës së privatizimit pa moral dhe pa sensin e tregut”.

Si e shikoni privatizimin e skajshëm të Hc në vend dhe politiken e muajve të fundit të qeverise?
“Katër HEC-et e privatizuara nga Kurum, janë rezultat i ‘liberalizimit’ të tregut kur një tentativë në emër të liberalizimit, solli që qeveria të ‘shpallë’ klientë jo tarrifore konsumatorët me 50MËh në vit. Askush nuk u përgjigj, sepse konsumatorët e tjerë ishin ‘rregulluar’ me tregun. Këta ishin të paktën 5-6 kompani që duhet të çlironin CEZ- in nga konsumi dhe të gjenin vetë energjinë. Rezultati ishte se një nga këta konsumatorë ja mori qeverisë 4 HEC- e rreth 80MW, sepse i duhesh energjia edhe më e lirë për të shkrirë çelikun në Elbasan. Kjo energji është energji elektrike dhe sa e domosdoshme për ndriçim, gatim dhe ngrohje për popullatën. Ja kjo është politika energjetike e qeverise në ikje.
HEC me koncesion që jepen se fundi si gurabie për klientët e pushtetit janë dhe mbetën një problem i madh, pasi jo vetëm shkatërrojnë mjedisin duke kthyer në tub rrjedhjen e përrenjve të vegjël por , mbi të gjitha, politika e çmimit me të cilin qeveria-KESH u a blen energjinë është një abuzim tjetër me paratë e shtetit. Dallavera është se çmimi i blerjes sot është 9.8 lek/kWh dhe është mes çmimit të importit dhe prodhimit vendas. Hesapet me gishta, bëjnë që “investitorët” mos mendohen gjatë për të përfituar nga kjo politike që po çon KESH-in në kolaps. Kolaps që shpjegohet me dhënien me shumë para se sa ka mundësi kompania të shpërblejë. Thënë ndryshe një model absurd tregu. Për këtë ka shpjegime të ndryshme si ajo, në emër të energjive të rinovueshme, por kjo është thjesht tregti dhe nuk ka të bëjë aspak me pastërtinë e prodhimit të energjisë elektrike. Kushdo e kupton ketë”.
Mendoni se menaxhimi nga ana e subjekteve të shtetit shqiptar mund të ishte më i mirë?
“Për KESH-in duhet thënë se është shënjestër e gabuar e marrëdhënieve të tregut. Modelin e tregut e ka aprovuar qeveria dhe nuk është pjese e konkurrencës së lirë. Mjafton kaq.
Menaxhimi i CEZ-it është vazhdim i abuzimit dhe vazhdim i humbjeve pa asnjë moral. Nuk mendoj se do të jepja një vlerësim tjetër. Një ‘lopë’ që vazhdon dhe milet pa fund. Kur do të mendohet se një pjese e qytetarëve që paguan do të ndërgjegjësohet se nuk duhet të paguajë për pjesën që nuk e njeh faturën titull ekzekutiv. Sot sheh pa fund përmbaruesa që merren vesh se si të bëjnë efektive paratë qe nuk kanë paguar ujësjellsat etj., etj., etjera… Kur do ti vijë fundi kësaj katrahure.
Ajo që të bën përshtypje është se ku është ERE qeveria në këtë mes. Ata janë spektatorë të privilegjuar sepse shohin një spektakël, ku jo vetëm nuk paguajnë, por mendoj janë përfitues direkt në këtë pjese të teatrit absurd të energjisë. Kushdo e kupton ketë. Kushdo mundohej të shpjegonte ikjen e CEZ-it dhe kjo ishte e pa mundur, sepse këta aktorë vendim-marrës ishin larg, por shumë larg realitetit, të cilin, megjithëse e dinin se do të ndodhte bënë vetëm spektatorin e privilegjuar dhe nuk na thanë asgjë. Pritej”.

Juve, si specialist, keni përgatitur një draft masash për të kaluar këtë situatë të rëndë…A shikoni se forca e re politike që do administroj vendin pas shtatorit është e vetëdijshme për ta marrë parasysh ketë plan?
“Po, sigurisht, ka një përgatitje serioze të një grupi që punon për të shpjeguar jo vetëm zhvillimet e 4 viteve të fundit por edhe për t’i dhënë vendit një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë sektorit të energjisë elektrike, energjive të rinovueshme dhe eficencës së energjisë.
Sigurisht është e vështirë të gjesh dhe të vlerësosh gjithçka në kushtet e një lëmshi pa sens të krijuar dhe mungesës së financave. Mendoj se tashmë qumështi do të shkojë për të rregulluar shëndetin e ‘lopës’ së dobësuar në ekstrem. Personalisht kam dhënë dhe po jap ndihmesën si çdo specialist tjetër për një model tregu, ligji për energjinë dhe eficencën në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë”.

Revista Java, 28.07.2013