Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë zbuloi Komisioni Parlamentar rreth faturave të KEK-ut

Grupi Parlamentar i LDK-së shpërndau sot me rrugë elektronike Raportin dhe të gjeturat e Komisionit Hetimor Parlamentar për faturat e fryra të KEK-ut në janar 2013, kohën e llogaritjes sipas tarifës së lirë, njehsorët digjitalë dhe masat e ndërmarra. Pasi rikujton se faturat e janarit 2013 shkaktuan pakënaqësi dhe reagim të konsumatorëve të energjisë elektrike për shkak të vlerës së lartë, gabimeve në lexim, ndërrimit të njehësorëve, pamundësisë së shfrytëzimit të tarifës së lirë dhe pakënaqësive të akumuluara një kohë të gjatë, shton se Grupi Parlamentar i LDK-së për këtë arsye në Kuvendin e Kosovës thirri debatin parlamentar për këtë temë më 15.03.2013, kurse Komisioni hetimor u krijua më 28.03.2013.

Pas një pune tremujore Komisioni hetimor doli me raport me rekomandime dhe të gjetura shumë të rëndësishme. Raportin e tij, duke pasur parasysh interesimin e qytetarëve – konsumatorëve të dëmtuar nga faturimi jo i saktë i shpenzimit të energjisë, po e botojmë të plotë.

Ashtu siç është bërë kërkesa fillestare, raporti u nda në 4 kapituj dhe pjesa e fundit me 6 rekomandime për institucione të ndryshme.

-I- FATURAT E SHPENZIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE PËR MUAJIN JANAR 2013

Faturimi i shpenzimit për janarin 2013 ishte një faturim i fryrë, i cili shkaktoi pakënaqësi të qytetaret të cilët dolën në rrugë dhe kërkuan zgjidhje përmes protestës.

Ndonëse numri i ankesave në janar nuk dukej të jetë shumë më i madhe në krahasim me periudhën e njejtë të viteve tjera,megjithatë nga numrat kuptuam së në 2012 në adresën e KEK gjithsej ka pasur 32.194 ankesa ndërsa janë trajtuar 38.098 ankesa që nuk paraqet numrin e vogël të ankesave në raport me numrin e konsumatorëve të amvisrisë prej rreth 380.000 sosh.

Ky numër është afërsisht i ngjashëm nëpër vite 7-10% dhe tregon se qytetarët vazhdimisht janë duke u ankuar dhe atë jo në numër të vogël, dhe kjo meriton vëmendje më të madhe, kërkon analizë, gjetjen e arsyes së ankesave por edhe kërkon të merren masa për evitimin e përsëritjes së gabimeve.

Rreth 60% të ankesave të konsumatorëve lidhur me fatura ishin të shkaktuara nga pakujdesia dhe faktori njeri në lexim te njehësoreve, periudhën deri 34 dite (raporti i ZRRE) apo ne futjen e shenimeve te konsumatoreve në database

-II- NJEHËSORËT DIGJITALË

Së pari është e çuditshme si i gjithë ky projekt shumë i madh është nisur pa ndonjë studim fizibiliteti që paraqet qasje pa nikoqirllëk ndaj parasë publike e ndaj konsumatorit të stërngarkuar i cili paguan.

Njehësorët e thjeshtë elektronik të cilët e kanë zëvendësuar ata të vjetrit, elektromekanik nuk kanë asnjë përparësi teknike dhe nuk sjellin asnjë avanscim, krahasuar me ata të vjetër përveç që pjesa e tarifës natë e ditë është brenda dhe nuk mund të intervenohet nga vetë konsumatori për të ndryshuar orët me të lirë. Plus ndonëse fabrikash kanë 4 tarifa të mundshme, ata i kanë të bllokuara tarifat tjera (psh. Tarifat e vikendit apo festave…)

Por nëse kjo ishte arsyeja e përzgjedhjes së këtyre njehsorëve të thjeshtë elektronik në vend të atyre digjital, atëherë kjo punë mund të korrigjohej me kontrollin e njehsorëve të vjetër, ribazhdarimit dhe dënimit të personave të cilët ndërhyjnë në aparaturën e njehsorit ekektromekanik e jo eliminimin e problemit duke i gjuajtur njehsorët e vjetër e duke instaluar ata të rinj pa avantazhe të duhura.

Sipas analizës 39% e njehsorëve mekanik ishin më të rinj se 10vjet, pra nuk mund të jetë vjetërsia e njehsorëve shkak për zëvendësimin e tyre.

Prandaj përzgjedhja e njehsorëve të thjeshtë elektronik dhe zëvendësimi i atyre të vjetër, si rezultat ka pasur shpenzimin e kotë të parasë së konsumatorëve dhe automatikisht ka pasur ndikim në shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe fryrjen e faturave të konsumatorëve.

– Këta njehsorë në fakt pengojnë edhe liberalizim e tregut të energjisë, që është obligim i yni i marrë karshi BE në 2015, pasi nuk lejojnë identifikimin e operatorëve të rinj potencial që mund të hyjnë në tregun energjetik të Kosovës.

Krijohet dyshimi se arsyeja e cila duket të jetë tenderi gjysmak i cili shumë shpejtë duhet të pason nga një tender tjetër

– Apo ndoshta arsyeja qëndron te ndonjë obligim të fshehur qe ka marrë Qeveria karshi operatorit të ri privat për t’i siguruar tregun pa konkurrencë?

Sidoqoftë është qasje pa nikoqirllëk e KEK e Qeverisë ndaj parasë publike dhe ndaj konsumatorit

-III- TARIFAT

Kosova ka një sistem të ndërlikuar tarifor me tarifat ditë e natë ; dimër/verë ; bllok tarifat B1,B2,B3.

Ky sistem është paramenduar që të jetë në dobi të qytetarëve e sidomos në ndihmë të qytetarëve më të ardhurat e ulëta.

Sidoqoftë, tarifat janë paraparë të krijojnë një sistem të çmimeve i cili duhet të jetë i përballueshëm për konsumatorin.

Bllok tarifa 1, deri në 200 kwh është paramenduar të mbështesë konsumatorët më të ardhura të ulëta, e dyta konsumatorët më konsum mesatar ndërsa B3 është si tarifë e dënimit për konsumatorët që shpenzojnë shumë, të cilët subvencionojnë B1.

Por nga analiza e shënimeve dhe ekspertiza dalin përfundime tjera që duhet të përmenden.

Gjatë 2012 B3 ka paraqitur 58% të konsumit dhe 61% të faturimit, në janar 2013 B3 paraqet 74% të konsumit 76% të faturimit, që paraqet pjesërisht edhe arsyen e pakënaqësive të konsumatorëve me faturat e janarit 2013.

– Kjo dhe të dhënat tjera nga kjo tabelë e dëshmojnë konstatimin se bllok tarifa B3 është në fakt baza e vjeljes së hyrave me mbi 75% dhe as për së afërmi subvencionim i bllok tarifës B1 e cila paraqet 2-3%

– Konsumatori i cili paguan tarifen B3 në fakt ngarkohet me humbjet teknike e komerciale, me subvencionim të B1 e B2, dobësitë menaxheriale dhe mungesë të efektivitetit të të gjithë sistemit

Çmimi mesatar i ponderuar i faturuar tek konsumatorët e përfshirë në B3, në janar 2013 ishte 9.32cent për kah tarifa e dimrit), shumë më e shtrenjtë se Bulgaria, Rumania, Mali i Zi, Maqdonia (Eurostat – 2012). 

Bile kjo paraqet edhe një absurd duke pas parasysh së Maqedonia nuk është prodhues i madhë i rrymës por mjaftë importon, e në të njëjtën kohe në Maqedoni energjia elektrike është më e lirë se në Kosovë e cila prodhon atë!!!

Tarifa dite/nate ka qenë gjithashtu problematike për kosumatorët pasi 1. Me orët elektronike, sipas ligjit të ri, koha e lirë e pasditës është larguar dhe 2. Konsumatorët sidomos në Prishtinë nuk kanë mundësi të përdorin tarifën e lirë në mungesë të ujit në orët e natës. Gjë e cila këta konsumatorë i dënon duke i pozicionuar vetëm në përdorim të tarifës së shtrenjtë dhe automatikisht në bllok tarifën e shtrenjtë B3.

AML- Të ardhurat maksimale të lejuara e përcaktojnë nivelin e çmimit të energjisë elektrike.

Si krijohet AML= 1. Kosto e prodhimit dhe operimit

+ 2 humbjet teknike e komerciale

+3 kthimi ne ekuitet

+ 4.marzha e fitimit

+ 5. Shpenzimet tjera te lejuara

Ekuiteti është paramenduar si përqindje e fitimit e dedikuar për investime. Ekuiteti është faktor që ndikon në çmimit të rrymës. Ekuiteti pas pakënaqësive ka ra nga 13% ne 8% e pastaj në 6%. Fitimi nga 6% në fakt është 5milion euro, pra jo e mjaftueshme.

Ajo e cila është brengosëse është që Ministri ka deklaruar uljen e ekuitetit ndonëse këtë e përcakton ZRRE e jo qeveria. Gjë e cila paraqet vetëm një nga vargu i shkeljeve të kompetencave nga ana e Ministrit.

Kontesti mes ZRRE e KEK lidhur me 17.9 mil euro

Kërkesa e ZRRE që obligon KEK të kthen 17.9 mil euro operatort të ri privat në transha mujore prej 1.492 milion në llogari të KEDS në fakt çmimin e ulët të shitjes së Distribucionit e bën edhe më të ulët

Krijohet për shtypja se që nga llogaritja e AML (të ardhurat maksimale të lejuara) është planifikuar që operatorit të ri t’i përgatitet tereni jo vetëm me çmim të ulët të shitjes por edhe me rritjen e planifikuar të çmimit të en.el. për 8.9%, e kur kjo u ndalua nga protestat, atëherë plani ndihmës ishte pagesa e parave të pafituara të KEK direkt Distribucionit

Është shumë indikative që pikërisht rritja e paralajmeruar e çmimit të en.el për 8.9% do të kushtonte konsumatorët rreth 17mil euro, vlerë kjo shumë e përafërt me kërkesën e kthimit të 17.9mil euro nga KEK në Calik-Limak.

Gjithashtu është indikative që para se të bihet vendimi i gjykatës për këtë kontest, ZRRE e obligon KEK me kthim të 17.9 mil euro Distributorit privat.

Kur kësaj i shtohet edhe fakti se 300mil euro të premtuara si investim në KEDS, në fakt nuk paraqesin asnjë cent para të freskëta por janë investime që do të bëhen nga paratë e fituara të KEDS prej faturimit (nëse do të ketë fitime)

Vetvetiu kjo qasje kërkon një hetim serioz lidhur me transparencën e gjithë procedurës.

IV MASAT E NDERMARRA NGA INSTITUCIONET DHE BARTESIT E PERGJEGJESIVE PUBLIKE

Është interesant se, më 15 mars 2013, ditën kur është mbajtur Debati Parlamentar lidhur me faturat e fryra te Janarit pasoi një komunikim shumë intensiv mes institucioneve relevante energjetike MZHE, ZRRE, KEK me ç’rast janë identifikuar një varg shkeljesh nga ana e ish ministrit të MZHE, B.Beqaj. Deklarata e Ministrit të MZHE-së, kërkesën për shkarkim e drejtorit ekzekutiv të KEK, z. Arben Gjukaj nga ana e Bordittë KEK-ut (shih transkriptin e mbledhjes 15.03.2013; si dhe komunikatën e MZHE-se të datës 15.03.2013, nr36/13.

• Shkresa e datës 15.03.2013 nr. 517; e z. Ramadan Sejdiu, Drejtor i Njësisë për monitorimin e NP, në emër të Komisionit Ndërministror dhe Aksionarit të KEK (Qeverisë) i drejtohet z. Fadil Çitaku (CC: Ministrave Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Fehmi Mujota, Ramadan Avdiu Zv-Ministër), kërkesa që: “menjëherë të veproj në marrjen e masave ndaj Drejtorit Ekzekutiv të KK Sha.( Faqe2, paragrafi i dytë).

Shkresa e 18.03.2013, ku Ministri Beqaj, kërkon nga ZRRE zvogëlimin e nivelit të kthimit në ekuitet të Qeverisë nga 8 në 6% në mënyrë që të pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike, gjë të cilën nuk e ka kërkuar para protestave dhe nuk paraqet kompetencë të tij.

• Shkresa e datës 16.03.2013, e drejtorit të Bordit të KEK-ut, z. Fadil Çitaku drejtuar z. Ramadan Sejdiu, Drejtor i njësisë për monitorimin e NP si dhe kopje për z. Enver Halimi, nga ZRRE, në paragrafin e fundit të faqës së parë thotë: rekomandimet për çfarëdo veprim janë në frymën e përfundimit të sukseshëm të privatizimit dhe çfarëdo veprimi dhe çfarëdo veprimi tjetër do të rrezikonte seriozisht transaksionin e privatizimit”. Nga kjo shkresë shihet drejtpërdrejtë lidhja dhe influenca e veprimeve me procesin e privatizimit.

Nga shkresa nr. 520, e datës 15.03.2013 e z. Enver Halimi, kryesues i ZRRE drejtuar Ministrit Beqaj, në paragrafin e fundit të faqes 2, flitet për paraqitjen e humbjeve nga ana e KEK për muajin dhjetor 2012 në vlerën 51.41% për të cilën ZRRE thotë se është kalkuluar gabim dhe paraqet diferencën e madhe, pasi nuk është lexuar në datat e njëjta dhe kërkon korrigjim në vlerë prej 41. 54% për muajin dhjetor. Në të njëjtën letër ZRRE shprehë pa-kënaqësi me menaxhimin e situatës nga KEK.

2. REKOMANDIMET

1. Rekomandohet që KEDS dhe ZRRE, të marrin masat përkatëse për të përmirësuar komunikimin, kujdesin dhe transparencën ndaj konsumatorëve dhe akterëve të interesuar lidhur me strukturën e tarifave dhe për tu siguruar atyre standardet e nevojshme në cilësi dhe sasi gjatë furnizimit me energji elektrike. Shërbimi dhe kujdesi ndaj konsumatorëve duhet të ngritët në një nivel shumë më të lartë. Rekomandohet që ZRRE brenda gjashtë muajsh të informojë Kuvendin e Republikës se Kosovës, lidhur me masat e marruara nga ana e tij dhe KEDS/KKDFE për të adresuar problemet e konstatuara me këtë Raport në këtë fushë.

2. ZRRE duhet të bëjë një rishqyrtim të strukturës se tarifave dhe sidomos të blloqeve tarifore në dritën e zhvillimeve të reja ne konsum dhe në vëllimin e strukturën e konsumit për të evituar rishpërndarjen e paarsyeshme të barrës dhe subvencionimin në dëm të konsumatorëve që bëjnë pjesë kryesisht në bllokun tarifor III. ZRRE duhet të ndërtojë/forcojë pavarësinë e vetë dhe nivelin e kompetencës profesionale në zbatimin kritereve për formimin e tarifave duke evituar vendimet e diskutueshme sikurse është ky lidhur me zvogëlimin e kthimit në ekuitet. Duhet të evitohen situatat që krijojnë pasiguri dhe zvogëlojnë transparencën në formimin e tarifave.

3. Rekomandohet që ZRRE të diskutojë/rishqyrtojë me KEDS/KKDFE, planin e investimeve në mënyrë që investimet e zotuara nga Calik – LIMAK të bëhen me një dinamikë të përshpejtuar dhe me herët, në dobi të dyanshme për evitimin e humbjeve teknike e komerciale dhe ato të mbulohen e shlyhen ne periudhën 15 vjeçare sipas programit të investimeve për të siguruar stabilitet në tarifat e çmimet për konsumatorët.

4. Rekomandohet që të rishqyrtohet në mënyrë kritike nga ZRRE dhe KEDS/ KKDFE i tërë projekti i furnizimit me orët elektronike nga aspekti i fizbilitetit të tyre teknologjik dhe ekonomiko-financiar dhe nevojës për zgjidhje që e lehtësojnë liberalizim dhe konkurrencën e tregut të furnizimit.

I rekomandohet Zyrës se Auditorit të Përgjithshëm, brenda këtij viti që të shqyrtojë performancën dhe procedurat e këtij projekti dhe për këtë t’a informojë Kuvendin, përkatësisht Komisionet përkatëse.

5. I Rekomandohet Kryeministrit të Republikës se Kosovës, që të ndërmarrë masat përkatëse sipas kompetencave të tij për të siguruar zbatimin e plotë të Ligjit mbi Ndërmarrjet publike dhje Ligjet e rregulloret përcjellëse për realizimin e pavarësisë se Bordeve të ndërmarrjeve publike si dhe rolit dhe përgjegjësisë se Rregullatorëve që i raportojnë Kuvendit. Me këto masa duhet të evitohen praktikat që ministritë dhe ministrat të involvohen jashtë autorizimeve në fushëveprimin e këtyre institucioneve dhe në mënyrën që dëmton forcimin e institucioneve të pavarura dhe sundimin e Ligjit.

6. Kuvendi i Republikës se Kosovës, duhet të insistojnë në zbatimin me përpikëri të kornizës ligjore lidhur me rolin e Rregullatorëve e cila siguron llogaridhënie dhe transparencë, si dhe vlerësim sistematik dhe të rregullt të performancës se Bordeve të Rregullatorëve; dhe

6.1. Qeveria e Republikës se Kosovës, duhet të insistojnë në zbatimin me përpikëri të kornizës ligjore lidhur me komeptencat e rolin e Bordeve të ndërmarrjeve publike, e cila siguron llogaridhënie dhe transparencë, si dhe vlerësim sistematik dhe të rregullt të performancës së Bordeve të NP.

Gazeta Koha Ditore, 26.07.2013