Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Limak” ia “vjedh“ 4 ,5 milionë euro KEK-ut

Konsorciumi turk ”Calik &Limak” ia ka “vjedhur” Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) rreth 4,5 milionë, ende pa u bërë plot dy muaj, prej kur kjo e ka marrë në menaxhim distribucionin. KEK-u për muajin maj të këtij viti, kompanisë turke ”Calik &Limak” i ka shitur energji në vlerë prej 14,2 milionë euro, por kjo e fundit deri më tash KEK-ut i ka paguar vetëm 9,7 milionë ero, ndërkaq pjesën tjetër prej rreth 4,5 milionë euro, nuk po ia paguan fare me arsyetimin se konsorciumi turk ka marrë në menaxhim distribucionin jo në fillim të muajit maj, por me 8 ditë vonesë.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda Korporatës Energjetike të Kosovës thonë se pronaret e kompanisë turke edhe më tutje nuk kanë shprehur gatishmëri për t’ia paguar borxhin kompanisë publike.

“Ata po arsyetohen se distribucionin e kanë marrë nga 8 maji, dhe për pjesën tjetër ata nuk kanë ndonjë obligim ndaj kompanisë publike. Mirëpo, turqit konsumatorëve nuk ua kanë marrë vetëm 60 për qind të faturës, por për krejt muajin. Në këtë rast ‘Calik &Limak’, ka mbledhur parat nga klientët e saj, por ato nuk ia ka derdhur në llogari të KEK-ut, por në llogari të vetë” bënë të ditur burimi i besueshëm i gazetës.

Sipas këtij burimi, nuk është vetëm pagesa problemi i vetëm që kanë KEK-ut dhe konsorciumi turk ”Calik &Limak”.Problem tjetër i theksuar mbetet edhe sasia e energjisë që është duke e prodhuar KEK-u, e që në disa momente duket si e tepërt nga konsorciumi i turk.

Më tej burimi bën të ditur se menaxhmenti i KEK-ut përballet me presione të shumta nga ”Calik &Limak”,ku këta të fundit në orë të caktuara brenda ditës kërkojnë që të ulët prodhimi, e ndërkaq në orë të caktuara ata kërkojnë që prodhimi të rritet deri në maksimum.

“Ulja dhe rritja e prodhimit brenda një dite, KEK-ut i shkakton probleme dhe humbje shumë të mëdha. Po ashtu, një veprim i tillë në masë të madhe dëmton pajiset që prodhojnë energji elektrike” tha burimi i besueshëm i gazetës.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës pranojnë se kanë probleme me kompaninë turke, por ata shpresojnë se ato do t’i zgjidhin shumë shpejt.

Edmond Nulleshi drejtor ekzekutiv i Shërbimeve të Korporatës thotë se në bazë të skemës tarifore në fuqi, për konsumin e muajit maj 2013, KEK-u i ka faturuar KEDS-it gjithsejtë 14.2 milionë euro energji. “Ne ndërkohe, fatura për konsum e muajit qershor 2013 është duke u finalizuar. Përndryshe, deri sot ne emër te kësaj, KEDS-i ka shlyer obligimet në vlerë prej përafërsisht 9.7 milionë euro”tha ai.

Nulleshi pret që diferenca e obligimit do të paguhet nga KEDS-i sa më shpejt që është e mundur.

Përndryshe, distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës iu është shitur kompanisë turke ”Calik &Limak” për 26 milionë euro. Nga 8 maji i këtij viti, distribucioni është në pronësi dhe menaxhim të konsorciumit turk ”Calik &Limak”.

Në anën tjetër, njohës të këtij sektori thotë se privatizimi i distribucionit ka qenë pazari më i keq i Kosovës. Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, i cili njëherësh ka qenë edhe ish anëtar i bordit të KEK-ut thotë se të gjitha detajet rreth privatizimit edhe më tutje mbesin sekrete karshi opinionit. “Vetëm ministri Besim Beqaj e din se çfarë kontratë ka bërë më turqit për të ia shitur distribucionin. Mos pagesa e faturave është vetëm fillimi i problemeve mes kompanisë publike dhe kompanisë private e cila e ka ble distribucionin” thotë Shatri.

Sipas tij, distribucioni në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk është dashur të privatizohet, pasi që sipas tij ka një rëndësi të veçantë për vendin.

Edhe përfaqësues të sindikatës së punëtoreve të distribucionit thonë se kompania turke duhet të ia paguajë të gjitha mjetet kompanisë publike për energjinë që e merr nga ajo.

Kryetari i sindikatës Fehmi Pajaziti thotë se gjatë muajit maj dhe qershor punëtoret e KEDS-it kanë pasur një performancë të mirë në inkasimin e mjeteve për energjinë e shpenzuar

Sipas tij, për dy muaj punëtoret e KEDS-it kanë arritur të inkasojnë më shumë se 30 milionë euro nga qytetaret e Kosovës për energjinë e shpenzuar.

Shkarkohen menaxherët

Kompania turke “Calik&Limak”e cila e ka privatizuar distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), para pak kohësh ka filluar një ofensivë shkarkimesh të drejtuesve të deritashëm të distrikteve, pavarësisht se të gjithë ata kanë kontrata valide njëvjeçare për pozitat që i kanë mbajtur deri më tash. Para pak ditësh pa vendim të shkruar, por vetëm gojarisht menaxherët turq kanë shkarkuar nga pozita drejtorin e distriktit të Prishtinës Shemsi Bunjakun dhe drejtorin e distriktit të Pejës Xhevdet Krasniqi. Por, si për çudi që të dy menaxherët kohëve të fundit kanë pasur performancë të mirë në punë, krahasuar me periudhën paraprake kur distribucioni ishte pjesë e kompanisë publike KEK.

Gazeta Zeri, 06.07.2013