Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

EULEX të hetojë Fadil Ismailin

Pak ditë pas publikimit të listave të tenderëve që ministri i ri i qeverisë, Fadil Ismaili i ka dhënë kompanisë që ka themeluar vet”Komtel” sa ka qenë në krye të KEK dhe KOSTT, partitë opozitare kanë kërkuar të nisin hetimet ndaj tij dhe të mos lejohet ushtrimi i funksionit të ministrit derisa të përfundojnë hetimet. Ekspertë të ekonomisë nga ana tjetër ftojnë prokurorët e EULEX-it që të marrin seriozisht faktet që ka prezantuar gazeta me detaje për tenderët milionësh që i ka dhënë ky zyrtar që tashmë ka ardhur në qeveri si ministër i MZHE-së.

Teuta Sahatqija, nga LDK, tha se ky rast duhet të hetohet. “Z. Ismaili duhet të japë përgjegjësi ne rast të vërtetimit të keqpërdorimit dhe të mos i lejohet ushtrimi i postit të ministrit ose në rast të kundërt të pastrimit të emrit të tij. Agjencia Antikorrupsion dhe organet përgjegjëse do të duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të zbardhin rastin”, ka thënë Sahatqija.

Dardan Sejdiu nga lëvizja “Vetëvendosje”, rikujton se zyra e BE-së Kundër-Mashtrimit, qysh pesë vjet më parë në vitin 2008 ka zbuluar se sa ka qenë në krye të KEK-ut Fadil Ismaili ka qenë i përfshirë direkt në konflikt interesi me kontratat që i ka dhënë kompanisë “Komtel”. “Dhe tani, kryeministri Thaçi e emëron ministër të Zhvillimit Ekonomik. Pra, emëron Ministër një person për të cilin është dëshmuar se ka punuar kundër interesit publik, dhe ka shfrytëzuar të mirat publike për përfitime private personale dhe të miqve e partnereve të tij të ngushtë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij një person si ky duhet të hetohet tutje, por në vend të hetimit i njëjti emërohet ministër në institucionin që ka përgjegjësi për shuma edhe më të mëdha, dhe ku vendoset për interesa ekonomike të vendit. Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që në seancën e shkuar përgjigje për këtë skandal që i doli të sapoemëruarit në krye të MZHE-së, por Fadil Ismajli nuk u paraqit në Kuvend me arsyetimin se ende nuk e kishte marrë detyrën.

Lumir Abdixhiku nga instituti Riinvest,besoj se pozita e ministrit nënkupton domosdoshmërinë e përmbushjes së disa kritereve bazike të etikës, punës dhe korrektësisë së ministrit potencial. Nëse të dhënat e fundit për konflikt të pastër të interesit janë të sakta, që duket se janë, atëherë them se ministri i ri ka shumë për t’u përgjigjur rreth menaxhimit të disa ndërmarrjeve publike. “Nëse tenderët nga ndërmarrjet ku ministri i tanishëm i janë dhënë një ish-firme të tij, gjë që konfirmohet edhe nga vetë partia e tij meqë e njëjta nuk mohon dhënien e tenderëve por vetëm shumën dhe rolin e kompanisë në partneritete, atëherë them me plot bindje se prokuroria e Kosovës duhet të nisë një hetim sa më të shpejtë sidomos tani kur faktet janë të dhëna publikisht”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tha se pret që partitë në vend të mos paragjykojnë drejtësinë dhe të mos kërkojnë besë e besim për afera kaq të dëmshme meqë dalja garant në raste të tilla nënkupton edhe përfshirjen e vet partisë. “Natyrisht se në Kosovën ku prokuroria është e pafuqishme ndaj politikanëve pritjet për hetime janë minimalisht të mundura, them se evidenca të tilla do të mbahen e hetohen dikur kur në këtë vend të ketë sërish rregull”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij problemi megjithatë është se, nëse kemi në krye të një ministrie ekonomike, që në fund menaxhon me disa asete mjaft të vlefshme publike, një të dyshuar për konflikt multi-milionësh të interesit, atëherë kostot potenciale nga një vazhdim i avazit të vjetër mund të jenë të parikuperueshme për Kosovën. “Prandaj është mirë që prokurorët vendorë, por edhe të EULEX-it të merren me faktet alarmante të publikuara në media, që thënë të drejtën nuk donë shumë mendje e mund për tu vërtetuar”, ka thënë Abdixhkiu.

Edhe organizata kundër korrupsion “FOL” përmes një komunikate për media ka kërkuar që të nisin hetimet nga ministrit të ri të MZHE-së, duke i vlerësuar shqetësuese të dhënat që janë publikuar në gazetën “Zëri”. Ndërkohë partia prej nga ky zyrtar vjen AKR, dy ditë më parë në një konferencë për media, ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se Ismaili është njëri që ka treguar rezultat në punën e tij. Edhe pse gjithçka dëshmohet me dokumente të prokurimit publik, AKR shton se Ismali nuk ka pasur lidhje me këta tenderë.

Gazeta JNK ka shkruar kohë më parë se ekipi i hetuesve të Zyrës Evropiane Kundër-Mashtrimit (OLAF), Zyrës së Mbikëqyrjes së Shërbimeve të Brendshme të Kombeve të Bashkuara me seli në Vjenë dhe Guardia Di Finanza-s,i kishte rekomanduar në një letër shefit të UNMIK’ut Joachim Ruecker më 2008, derisa ia zbulonte detajet, se hetime të mëtejme duhej të bëheshin dhe që evidencat të përcilleshin në KEK ashtu që masat disiplinore ndaj Ismajlit të nisnin, por më të shkruar Ismaili në KOSTT “Komtel”, ka fituar tenderin 8 milionë euro.

Gazeta “Zëri” ditë më parë ka nxjerr listat e tenderëve me shuma për secilën që Fadil Ismaili i ka dhënë kompanisë “Komtel”. Sipas atyre dokumenteve që gazeta posedon, vetëm gjatë kohës sa ka qenë në KOSTT, kompania “Komtel” ka marrë tender mbi 10 milionë euro, kurse në KEK kjo kompani ka marrë mbi 3.5 milionë euro.

Gazeta Zeri, 27.05.2013