Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arbitrazhi-CEZ: Qeveria shqiptare nuk është ende gati

Shoqëria çeke “CEZ Group” ka njoftuar qeverinë shqiptare nga Praga për t’u përgatitur për gjyqin e arbitrazhit, sikurse e kishte paralajmëruar më herët. Detajet e konfliktit me “CEZ-in shtetëror” dhe pse nuk jemi gati

Pas një heshtje tremujore, grupi çek CEZ i është rikthyer çështjes së arbitrazhit, proces ky i paralajmëruar më parë. Palët do të përballen në gjykatë për shkak të heqjes së licencës, më 21 janar 2013 nga ana e ERE-s për shkak të mosrespektimit të kontratës së privatizimit nga “CEZ Shpërndarje”.

Përmes një njoftimi zyrtar, CEZ bën të ditur se ka njoftuar qeverinë mbi vendimin e saj, ku kërkon kompensim për dëmin që i është shkaktuar nga mosmbrojtja e investimit në rrjetin shqiptar të shpërndarjes së energjisë. Vlera e dëmit arrin në rreth 200 milionë euro, ku 102 milionë janë paratë e shpenzuara për blerjen e 76 për qind të aksioneve, realizuar në maj 2009.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare bën me faj palën çeke, e cila qëllimisht la pas dore degën në vendin tonë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare me vlerë rreth 700 milionë euro.

Si Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ashtu dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë të bindur se kanë prova konkrete për të dalë fitimtarë në Gjykatën e Arbitrazhit, ndërsa shprehin bindjen se e drejta është në anën e palës sonë.

Kurse CEZ thotë se baza ligjore e padisë është traktati ndërkombëtar i energjisë, i firmosur si nga Çekia ashtu dhe nga Shqipëria. Traktati i negociuar në vitin 1995 përcakton rregullat ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve në sektorin energjetik.

Deri në nisjen e arbitrazhit, palët duhet të sqarojnë disa çështje paraprake, për të cilat Shqipëria ende nuk është gati.

Kompania CEZ sqaron se nisja zyrtare e procesit nuk parandalon që të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje pajtuese jashtë gjyqit. Më herët, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, pranoi se mund të shihet opsioni i pajtimit, por ishte pesimist për arritjen e “paqes”, pasi sipas tij, çekët e lanë pas dore shoqërinë e shpërndarjes gati tre muaj para se të merrej vendimi për heqjen e licencës dhe nuk iu përgjigjen apelit të ERE për të reflektuar.

Pro pajtimit është shprehur më konkretisht ambasadorja e Çekisë në Tiranë, duke uruar për një zgjidhje të ndërmjetme, megjithatë, duke përcjellë fjalët e kryeministrit të saj, pranoi se vendimi i Shqipërisë për heqjen e licencës ishte një hap mbrapa drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Prapaskenat pas licencës

Me heqjen e licencës, qeveria shqiptare dhe CEZ duhet të saktësonin procedurën e menaxhimit të aksioneve, të cilat zotëroheshin 76 për qind nga çekët, por të shtetëzuara nga ERE.

Qeveria i kërkoi CEZ-it që aksionet t’i këmbenin me çmim simbolik, por çekët nuk pranuan, duke lëshuar kështu sinjalin e parë drejt përplasjes në arbitrazh.

Nga ana e CEZ Shpërndarje (në administrim të përkohshëm) është kërkuar miratimi i një studioje ligjore të specializuar dhe me eksperiencë për përfaqësimin në arbitrazh në një afat sa më të shpejtë, duke qenë se afati për të kthyer përgjigje në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit është jo më vonë se data 26 shkurt 2013.

ERE i është drejtuar Avokaturës së Shtetit për një mendim të specializuar, kjo e fundit (Avokatura e Shtetit) rekomandoi që nga ana e shoqërisë CEZ Shpërndarje të procedohej me marrjen e një mendimi të aksionerëve të shoqërisë (CEZ a.s dhe METE) si dhe të kontraktohej një studio ligjore në bazë të parimeve të konkurrueshmërisë, përvojës dhe çmimit më konkurrues.

Nga ana e CEZ Shpërndarje, është proceduar me përzgjedhjen e zyrës ligjore “Wolftheiss” për të bërë përfaqësimin ligjor para kësaj gjykate, ndërkohë që kjo zyrë ka shërbyer edhe si konsulent i CEZ a.s. në procesin e privatizimit të OSSH. Në këto kushte, është ngritur shqetësimi mbi një konflikt të mundshëm interesi të kësaj shoqërie në përfaqësimin para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të shoqërisë CEZ Shpërndarje (në administrim të përkohshëm).

Nga ana tjetër, ERE u informua se ishte vendosur që gjykimi i çështjes së lartpërmendur të realizohej nga tre arbitra. Arbitri i zgjedhur nga përfaqësuesi i “Wolftheiss” dhe i miratuar paraprakisht nga CEZ Shpërndarje ishte Christian W. Konrad. Ky arbitër ka qenë i përzgjedhur nga pala kundërshtare në një gjyq të shoqërisë KESH, para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sa vlen CEZ Shpërndarje?

Në shkresën nr. 1705/77 prot., datë 21 mars 2013, Avokatura e Shtetit ka paraqitur mendimin që për sa kohë kjo zyrë ka shërbyer edhe si konsulent i CEZ a.s në procesin e privatizimit të OSSH dhe arbitri i përzgjedhur nga kjo zyrë ka qenë arbitër i përzgjedhur nga pala kundërshtare në një gjyq të shoqërisë KESH sh.a para kësaj gjykate, subjektet e cituara të mos përfshihen në përfaqësimin e CEZ Shpërndarjes në administrim të përkohshëm, në procesin gjyqësor.

CEZ Shpërndarje, me shkresën nr. 1648/1 prot., datë 26 mars 2013, i është drejtuar edhe një herë ERE-s për një vendimmarrje lidhur me ecurinë e këtij procesi, kompetencën e vendimmarrjes lidhur me përzgjedhjen e studios ligjore dhe arbitrit, si dhe përcaktimi i kompetencës së administratorit lidhur me proceset e tjera gjyqësore ku CEZ Shpërndarje është palë.

Përtej këtij “mish-mashi” të interpretimeve juridike, ajo çfarë në të vërtetë pengon çuarjen e çështjes drejt arbitrazhit ka të bëjë me vlerësimin e aseteve të CEZ Shpërndarjes. Në fakt ky është hapi i parë, pra për të pasur një ide të qartë se sa vlen aktualisht CEZ Shpërndarje, pala shqiptare dhe grupi çek kanë rënë dakord për të përzgjedhur dy kompani vlerësimi-audituese, sa i takon asketit financiar dhe teknik.

Aktualisht, jemi në procesin e përzgjedhjes së këtyre dy kompanive dhe më pas do të nisë vlerësimi, që do të kërkojë kohë.

Me këto procedura po merret qeveria shqiptare dhe çdo hap i hedhur nxitimthi apo gabimisht do të ndikojë në vlerësimin final të arbitrazhit.

Burime zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë komentojnë për “Monitor” njoftimin e fundit të CEZ lidhur me arbitrazhin. “Jemi njohur përmes mediave, pasi zyrtarisht është Avokatura e Shtetit ajo që na drejton për hapet që duhen ndjekur”.

Dëmshpërblimet

200 milionë euro

Kompania CEZ vlerëson një dëm të shkaktuar nga largimi prej Shqipërisë në nivelin e 200 milionë eurove, si pasojë e blerjes së aksioneve dhe investimeve në 4 vjet

700 milionë

ERE së bashku me Ministrinë e Ekonomisë kalkulojnë një humbje të sistemit shkaktuar nga keqmenaxhimi i CEZ, me pasoja të rënda te financat e shoqërisë

Zbuten humbjet në bilanc

Të dhënat e fundit zyrtare të raportuara nga administratori i përkohshëm shtetëror i “CEZ Shpërndarjes”, Sahit Dollapi, tregojnë për një përmirësim të situatës në tërësi të shoqërisë. Kështu, humbjet totale në rrjetin e shpërndarjes gjatë muajit janar 2013 ishin në shifrën 51.12 për qind, duke zbritur në muajin shkurt në 48.71 për qind. Gjithashtu arkëtimet për muajin janar rezultojnë sipas raportimeve të kompanisë në 59 për qind dhe në muajin shkurt 2013 në shifrën 63.1 për qind, ndërsa si progresive, arkëtimet rezultojnë në nivelin e rreth 114.4 për qind. Shkaku i largimit të çekëve lidhej me mungesën e performancës, pasi humbjet duhet të ishin rreth 24 për qind, kur në fakt rezultonin në vitin 2012 rreth 45 për qind.

Revista Monitor, 25.05.2013