Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB mbështet përpjekjet mjedisore të Kosovës në sektorët e energjisë dhe minierave

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Ramadan Avdiu ka marrë pjesë dje në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për financim shtesë për Projektin e pastrimit dhe rifitimit të tokës në sektorin e energjetikës të Kosovës , e cila u mbajt në Zyret e Bankës Botërore në Prishtinë.
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje u mundësua pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore të financimit shtesë për Projektin e pastrimit dhe rifitimit të tokës në sektorin e energjetikës të Kosovës më 10 maj 2013. Vlera e këtij financimi shtesë është prej 4.2 milionë dollarë, dhe ka për qëllim vazhdimin e adresimit të çështjeve mjedisore, largimin e kemikateve të rrezikshme nga një vend i vjetër i gazifikimit dhe për të ndërtuar kapacitete për praktika të mira mjedisore në miniera dhe në sektorin e energjetikës.
Financimi shtesë do të fuqizojë mbështetjen për projektet e aktiviteteve në zhvillim e sipër, largimin dhe hedhjen adekuate të llumit të katranit dhe depozitave të katranit, mbjelljen e fidanëve në djerrina dhe rifitimin e tokës për habitatin natyral ose për zhvillimin e komunitetit. Do të financohen edhe aktivitete të reja, duke përfshirë këtu: pajisjet për monitorimin e ajrit për matjen e të dhënave bazë të cilësisë së ajrit, monitorimin e tokës dhe ujit që të grumbullohen të dhëna mbi nivelet e ndotjes, një Vlerësim të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS) për projektin e propozuar energjetik të Kosovës.
Zëvendësministri Ramadan Avdiu, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes shprehi kënaqësinë me rezultatet e arritura deri më tash në projekt.
Zëvendësministri shprehi zotimin e Qeverisë por edhe të pjesëmarrësve të tjerë të vendit për bashkëpunim në mes të të gjitha palëve dhe të angazhimit maksimal në realizimin e projektit dhe theksoi se “ Dëshiroj që në emër të Ministrisë së Financave dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të falënderojë Bankën Botërore për angazhimin e madh në këto 6 vitë në këtë projekt të rëndësishëm por edhe në projektet tjera të cilat implementohen në Kosovë. Gjithashtu falënderoi edhe Qeverinë holandeze për mbështetjen e vazhdueshme të këtij projekti përmes granteve të alokuara në projekt”.
Ndërsa, drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Jug-Lindore, Ellen Goldstein tha se “Banka Botërore është e përkushtuar për energjinë e pastër, dhe po e ndihmon Kosovën në mënyra të ndryshme për të arritur cakun e saj afatgjatë të modernizimit të sistemit të saj energjetik”,
“Zëvendësimi i termocentralit shumë ndotës Kosova A me teknologji të pastër moderne, investimi në alternativat e energjisë së ripërtëritshme dhe promovimi i efiçiencës së energjisë janë që të gjitha elemente përbërëse të përkrahjes sonë për Kosovën. Njëjtë i rëndësishëm është edhe Projekti për pastrimin dhe rifitimin e tokës, i cili adreson problemet e ashpra të trashëgimisë mjedisore dhe ndërton kapacitete për praktika të mira dhe monitorim të fuqishëm mjedisor në të ardhmen”, shtoi ajo.
Në anën tjetër menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan – Peter Olters, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur që një ditë pas Konferencës së donatorëve për energjinë e qëndrueshme, sot mund të nënshkruhet financimi shtesë për projektin e pastrimit dhe rifitimit të tokës me vlerë prej 3.2 milionë eurosh ose 4.2 milionë dollarësh, duke vlerësuar kontributin shtesë të Qeverisë së Holandës.
Ambasadori i Mbretërisë holandeze , Robert Bosch, inkurajoi parlamentin e Kosovës që sa më shpejtë që është e mundur ta ratifikojnë këtë marrëveshje, nga e cila më së shumti përfitojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kostot totale të Projektit të pastrimit dhe rifitimit të tokës në Sektorin Energjetik të Kosovës, deri më tash kanë qenë 13.65 milionë dollarë amerikanë, dhe janë siguruar prej një granti të IDA-s prej 10.5 milionë dollarëve dhe një kontributi prej rreth 3.15 milionë dollarëve nga Korporata Energjetike e Kosovës. Aktivitetet u mbështetën edhe nga një grant i Qeverisë së Holandës prej rreth 3.81 milionë dollarëve. Huaja prej $4.2 milionë dollarëve e aprovuar sot nga Banka Botërore do të shoqërohet nga një grant i veçantë nga Qeveria e Holandës, prej rreth 1.13 milionë dollarësh amerikanë.
Në këtë ceremoni gjithashtu morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku dhe Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka.

energjia.al, 16.05.2013