Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Krim i organizuar në sistemin e kontrollit të naftës

Rreth shkrimit “Roma nuk është ndërtuar për një ditë…” të ministres Mimoza Kusari-Lila.
1. Cilësia e karburanteve të lëngëta të naftës nuk është e sigurt që është cilësore pavarësisht rregullativës ligjore. Në mandatin Tuaj, znj. ministre, Ju keni miratuar dy udhëzime administrative që e rregullojnë cilësinë e derivateve të naftës UA 17/2011 e zëvendësuar (brenda një periudhe të shkurtër kohore!!??) me UA 07/2012. Po ashtu Ju keni miratuar edhe një Udhëzim Administrativ që ka për qëllim rregullimin e formës së Autorizimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit me pretendim të rregullimit edhe për produktet tjera   dhe e keni bërë obligativ. Autorizimi i Trupave për Vlerësim të Konformitetit del që veprimet praktike kanë qenë jo vetëm në kundërshtim me ligjet, që e rregullojnë sistemin e vlerësimit të konformitetit, por janë në kundërshtim edhe me vetë UA të miratuara nga Ju.
Sipas akteve ligjore të miratuara nga Ju verifikimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës bëhet nga laboratorët testues.
Praktika e mbështetur nga Ju tregon të kundërtën dhe kjo është e vërtetuar dhe prova të bollshme. Përmbajtja e sasisë së sulfurit është e lejuar 10 ppm. Edhe sikur të ishte vetëm një rezultat, p.sh. me përmbajtje deri në 1500 ppm do të duhej të merreshin masat konkrete përmirësuese. Por, e vërteta është se rezultate jokonforme ka më shumë se sa një. Këto rezultate nuk verifikohen duke shikuar dokumentet e lëshuara nga prodhuesit a importuesit?!…  
2. Sasia më e madhe e derivateve të lëngëta të naftës, që futet në tregun e Republikës së Kosovës, që nga paslufta ka qenë me origjinë nga rafineria “Okta”-Maqedoni (deri 70%). Pastaj një sasi futet nga Serbia, Shqipëria-vitet e fundit. Deklaratat e importuesve tregojnë se origjina e këtij produkti është edhe nga India, Turqia, Irani, Bosnja etj. A janë këto shtete vende të Bashkimit Evropian?
Është e vërtetë se një sasi e këtyre derivateve futet edhe me origjinë nga Greqia dhe Italia. Realisht nuk është e vërtetë se 100% e sasisë së importuar të naftës futet nga vendet e BE-së.
Fakti se importohet një produkt nga një vend i BE-së nuk do të thotë se ai produkt nuk duhet verifikuar..
Origjina e mallit, në disa raste edhe nuk paraqitet e vërtetë. Një rast që Ju mund ta dini apo ta provoni lehtë është rasti “Okta”-Maqedoni dhe rasti “EX FIS”- Kosovë. Këtu manovrohet edhe me shmangie të tatimeve?!…dhe humbje të origjinës si mund t’i besohet një rafinerie kur është në gjendje të manipulojë edhe me origjinën e produktit pa qenë fare prodhim i OKTA-s e paraqet si të tillë për t’u ikur taksave doganore.
3. E nderuara znj. ministre,
Sipas nenit 16 të UA 07/2012 , përcaktimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës, neni 2 i këtij UA bëhet me testim laboratorik për përbërësit dhe treguesit e cilësisë të përcaktuar në nenet 4,5,6,7,8,9,10,11,12,13,14 duke aplikuar metodat e testimit nga shtojca 1 e këtij Udhëzimi.
Nenit 19 të UA 07/2012: Garantimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës të vendosura në treg bëhet me testime laboratorike të përcaktuara në programin vjetor të monitorimit të cilësisë.
Kurse, sipas nenit 19 të Ligjit nr. 04-L-039 PËR KËRKESAT TEKNIKE PËR PRODUKTE DHE VLERËSIM TË KONFORMITETIT: Vlefshmëria e dokumentit të konformitetit të lëshuar jashtë vendit bëhet nga trupat e autorizuara (në Republikën e Kosovës) në qoftë se:
• është përcaktuar se procedurat e vlerësimit të konformitetit për produktin në fjalë i ka kryer trupi i autorizuar për vlerësim të konformitetit,
• vlerësimet e konformitetit janë kryer nga trupat për vlerësim të konformitetit, të cilat shtete anëtare të Bashkimit Evropian i kanë lajmëruar në Komisionin Evropian, regjistri i të cilave është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Asnjë nga dokumentet e konformitetit që njeh trupa inspektuese, të lëshuara nga trupat e vlerësimit të konformitetit jashtë vendit-Republikës të Kosovës, nuk janë të lajmëruara në Komisionin Evropian.
Verifikimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës, siç është sqaruar më lart, ashtu si edhe njohja e dokumenteve të konformitetit nuk bëhet me shikim me sy. Nuk është verifikim ai që bëhet nga Trupa Inspektuese vetëm me sy. Njohje e dokumenteve të konformitetit, sipas modelit Tuaj, nuk garanton cilësi, nuk garanton që produktet janë konform me kërkesat ligjore të miratuara edhe nga Ju në UA-të. Asnjë standard i BE-së, asnjë rregullore e BE-së, asnjë akt ligjor i Republikës së Kosovës dhe as udhëzimet administrative të miratuara nga vetë Ju nuk e specifikojnë praktikën e njohjes së dokumenteve të konformitetit pa iu nënshtruar analizave laboratorike. Praktikat e vendosura nga Ju janë model unikat dhe e dëmtojnë rëndë sistemin e verifikimit të cilësisë së karburanteve të naftës, i dëmtojnë bizneset që merren me import  duke i gjobitur ato me nga 54€ apo 109€ që shkojnë në xhirollogarinë e Trupit Inspektues apo në ndonjë xhirollogari tjetër?!
Verifikimi i dokumenteve të konformitetit nga Trupa Inspektuese bëhet 100% duke shtypur vetëm letra të bazuara nga dokumentet e lëshuara jashtë vendit. Ky trup nuk ka asnjë pajisje laboratorike, asnjë investim përveç një kompjuteri, një printer dhe një vule.
Verifikimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës gjatë importimit me analiza laboratorike, nga laboratorët e autorizuara, nuk është bërë më shumë se 0.3%.
Nga rreth 900 pika të shitjes të deklaruara nga këshilltarja juaj, gjatë 2011-2013 janë testuar 818 mostra. znj. ministre, 91 mostra kanë rezultuar që nuk i plotësojnë kërkesat ligjore. A thua ky rezultat garanton cilësi, athua ky rezultat vjen nga verifikimi korrekt i dokumenteve të konformitetit në kufi?
Znj. Ministre, meqë keni përmendur shifrat atëherë po flasim me shifra:
Vetitë e derivateve të naftës kërkojnë verifikim të paktën në dy periudha të vitit, në atë dimërore dhe në atë verore. Sipas UA 07/2012 për diesel duhet të verifikohen 10 parametra, kurse për benzinë 20 parametra. Ky është minimumi dhe kjo nuk është bërë. Ju thoni se kemi mbrojtur bizneset duke mos verifikuar cilësinë. Po si mbrohen bizneset kur nga së paku 75 bote hyjnë në ditë në pikat kufitare * 54€ bëjnë 4.050€ në ditë. Të gjitha këto janë për “Trupin Inspektues”. Deklaratat Tuaja dhe të vartësve Tuaj për naftën që futet brenda në kufi është në rregull, por po përzihet brenda veç sa e rëndojnë pozitën Tuaj, sepse organet tuaja dhe ju jeni kompetente edhe për mbikëqyrjen e tregut të brendshëm.
Trupa Inspektuese ka inkasuar vetëm nga maji i vitit 2012 deri në fund të vitit 2012 mbi 700,000.00 euro vetëm për shikim të dokumentacioneve dhe për çudi këtë nuk e përmende, ndërkohë që merreshe me vlerat e të dy laboratorëve (50.000.00 €)
Sistemi është degraduar aq shumë saqë raportet e testimeve duhet t’i drejtohen Trupit Inspektues dhe ajo udhëheq me sistemin sikur të ishte vetë shteti. Ky jokonformitet nuk ju lejon komoditet, por është shqetësim. Sikur të testoheshin të gjithë parametrat sigurisht do të ndryshonin edhe rezultatet tjera.
4. Znj. ministre, abuzimi me rezultatet e testimit nuk është bërë nga laboratorët testues. Detyrimi që na është bërë për nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit nuk na obligon që ne të heshtim pas të gjitha këtyre shkeljeve ligjore të bërë nga degradimi i sistemit. Ato shkojnë në qindra mijëra € dhe kundërshtimi ynë i paraprin kërcënimit tuaj për heqjen e autorizimit, kërcënim ky tash më i dalë publik.  Kërcënimet Tuaja dhe të stafit Tuaj kanë qenë të vazhduara dhe të rregulluara edhe në paragrafin 10 të nenit 19 të UA 07/2012. Abuzimi nuk është nga laboratorët, por është nga Ju dhe sistemi që Ju keni krijuar.
Edhe për ato mostra që janë sjellë në laboratorë, qoftë nga Ministria, qoftë nga Trupa Inspektuese ka pasur padi në Gjykatën Ekonomike dhe është fituar kontesti në shkallën e parë, pasi që një pjesë e konsideruar e shërbimeve nuk është paguar. Ky inkasim nuk është nga një biznes i pastër, me mund dhe me djersë, por nga një lexim i dokumenteve që ngjan me një haraç që u bëhet bizneseve-importuesve për ta lejuar futjen e produktit të tyre në treg. Ju këshillojmë që ta lexoni edhe nenin 31 të Ligjit nr. 04/L-039 ku do të shihni edhe rolin e doganave në këtë sistem!
Për shikim të deklaratave të konformitetit Doganat e Kosovës janë përgjegjëse e jo trupat inspektuese.
Ne nuk frikohemi nga organet e drejtësisë dhe nëse bazohemi në letrën e Juaj, në fillim të saj del se edhe Ju keni besim në organet e drejtësisë, atëherë s’ka arsye të irritohemi nëse përmendet gjyqësia.
5. Znj. ministre, vërtet ka ndodhur monopol, krim i organizuar edhe degradim i plotë i sistemit. E sqaruam më lart përfitimin-haraçin që e merr ky Trup Inspektues. Ky Trup është autorizuar sipas standardit SK ISO/ IEC 17020 për inspektim dhe sikur të njihte punën e vet do të luante rolin e vet gjatë fazave të projektimit dhe prodhimit të produktit në fjalë.
Edhe në UA 07/2012 ju keni lënë hapësirë që mostrat merren nga trupat e vlerësimit të konformitetit-laboratorët testues dhe trupat inspektuese. Kjo është e qartë. Është favorizuar Trupa Inspektuese me qëllim të përfitimit në secilën formë, që nga rafineria “Okta” në Shkup, njohja e dokumenteve të konformitetit në kufi, marrja e mostrave dhe përcaktimi se cilët parametra duhen testuar, e deri te prezantimi i rezultateve në MTI. Ky është jo vetëm degradim i sistemit, por edhe më keq – krim i organizuar.
Shikojini edhe ftesat publike: Ftesat publike për marrje të autorizimit janë bërë nga MTI më 26.04.2012 ,më 17.05.2012 , më 30.05.2012 . Apo edhe këtu janë fajtorë laboratorët dhe mediumet që po merren me këso farë hollësirash?!  Apo mos ishte arsyeja e vonesës së një trupe tjetër të  famshme nga Kroacia, e që ishte  ish-kompania e Mladen Zlamallikut (ju e njihni) për aplikim dhe aplikacioni nuk iu pranua shoferit tuaj që bridhte zyrë më zyrë për dorëzim të aplikacioneve?! Do të ishte korrekte nga ana Juaj të sqarohej se pse janë bërë këto shpallje brenda një periudhe kaq të afërt. Do të ishte korrekte të sqaroni, pasi që Ju nuk keni pasur kurrfarë pretendimesh, pse e ndërruat dy herë Komisionin për Autorizim. Çka Ju shkroi Komisioni i parë?! Publikoi për hir të opinionit publik jo për laboratorët testues as për mediumet, por për publikun.
Pse znj. ministre produktet që dolën jokonforme nuk ndërmorët masa që të përmirësohen apo të asgjësohen ashtu siç shkruan në UA, por i lejuat që ato të shiten dhe të helmojnë qytetarët.
Pse znj. ministre Ju nuk zbatoni ligjet dhe nuk ndërmerrni masa për verifikimin e cilësisë së shumë produkteve tjera industriale që paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurimin e jetës dhe shëndetit të njeriut.
Pse znj. ministre Ju keni shkatërruar dhe keni stopuar të vlerësimin e konformitetit për produktet e ndërtimit. Këto produkte paraqesin rrezikshmëri të madhe për jetën dhe shëndetin e njeriut. Qëndrueshmëria mekanike e këtyre produkteve është e dyshimtë dhe na ruajttë Zoti nga ndonjë termet se nuk i dihet çka do të ndodhë me këto ndërtime pa kurrfarë verifikimi të cilësisë. Ju jeni orientuar në “verifikimin” e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës ku keni aq shumë produkte të paverifikuara edhe pse për disa prej tyre keni, tashmë, rregulloret e transpozuara: Lodrat e fëmijëve, ashensorët, ski-liftat etj.
A nuk është krim nëse analizat laboratorike vërtetojnë që përbërja e sulfurit është deri në 150 herë më shumë se vlerat e lejuara dhe Ju prapë e lejuat të shitet a është normal?
Ju keni kërkuar kabinet qeveritar me duar të pastra dhe kjo që po ndodh mund të përfundojë karrierën Tuaj me erën e naftës e çimentos.
6. Znj. ministre Mimoza Kusari- Lila, të kërkosh punë është e drejtë normale. Kjo e drejtë është edhe humane.
Ne kemi studiuar ligjet në fuqi, rregullativat evropiane dhe kemi parë hapësirë për investime. Ju nuk na keni dhuruar autorizimin. Autorizimi na ka takuar sipas ligjeve dhe akteve të tjera ligjore dhe pas shumë mundimeve dhe investimeve ne kemi krijuar një bazë për punë të ndershme. Juve nuk u bën përshtypje që një trup inspektues përfiton brenda vitit miliona euro vetëm për “njohjen e dokumenteve” pa asnjë pajisje dhe përmendni që dy laboratorët gjatë vitit 2012 dhe 2013 kanë përfituar 100.000,00 €.
Sikur laboratorët testues të llogaritnin në interesat e bizneseve të tyre do të kishin gjetur një rrugë tjetër duke kaluar në servilizëm dhe sigurisht Ju do t’u kishit lejuar nga një kockë. Veprimet tona, duke pasur parasysh logjikën Tuaj, janë të rrezikshme për bizneset e laboratorëve tanë, por ne kemi vendosur që më mirë është të shkatërrohen dy laboratorë tanë, dy investime tona, dy biznese tona sesa të dëmtohet qoftë edhe një jetë e një njeriu e këtij vendi.
Znj. ministre Mimoza Kusari-Lila respektojmë thënien Tuaj “Opinionet janë të lira, faktet janë të shenjta”. Por, ju kujtojmë se as Roma e as Kosova nuk mund të ndërtohen për një ditë. Ju kujtojmë që kjo Liri e pjesshme që ne gëzojmë nuk na është dhuruar as nga Kazakistani, as nga Rusia, por nga njerëzit e kësaj toke dhe pjesa përparimtare e kësaj bote.
Ne nuk do të tërhiqemi nga mbrojtja e bizneseve tona dhe nga mbrojtja e qytetarëve të vendit tonë. Po e mbyllim me një thënie të një rilindësi tonë (Petro Nini Luarasi) “Edhe sikur nëntëdhjetë e nëntë herë të rrëzohemi, prapë do të ngrihemi dhe të njëqindtën do të fitojmë”.
(Autori është udhëheqës i laboratorit “Sierra-Lab”)

Gazeta Koha Ditore, 01.04.2013