Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drejtori i “Trepçës” rrit pagat jashtëligjshëm

Halil Qela, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të “Trepçës”, ka marrë guximin t’ia rrisë pagën vetes dhe punonjësve të tjerë të kësaj ndërmarrjeje pa miratimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo e fundit, siç shkruan sot “Koha Ditore”, ka thënë se vendimi për ngritje të pagave nga ana e Qelës ka qenë i njëanshëm dhe i kundërligjshëm, pasi ai nuk është kompetent të vendosë për pagat.
Qela, nëpërmjet vendimit për rritje të pagave për 6 për qind ka krijuar shpenzim shtesë të ndërmarrjes prej 65 mijë eurosh për muaj. Duke qenë se Qela ka një pagë dukshëm më të lartë se të minatorëve rritja e pagave në bazë të përqindjes i ka shkuar për shtat atij, pasi ka përfituar rritje prej 122 euro.
Qela për muajin shtator të vitit 2012 kishte marrë pagë neto prej 1 mijë e 742 eurosh, apo bruto prej 2 mijë e 47 eurosh. Kurse në muajin shkurt të vitit 2013 ka marrë pagë prej 1 mijë e 865 eurosh, apo 2 mijë e 155 euro bruto. Paga e tij është më e madhe se edhe ajo që merr kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i Qeverisë për punën e tij merr pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro, apo 1 mijë e 443 euro në muaj.
Ndërmarrja “Trepça” subvencionohet nga Qeveria e Kosovës me 4.8 milionë euro. Prej tyre 3 milionë e 82 mijë euro janë ndarë si subvencion dhe transfere, kurse 1 milion e 735 mijë euro janë ndarë për investime kapitale. Nga kjo shumë, në emër të subvencioneve dhe transfereve për “Trepçën-Jug”, që menaxhohet nga shqiptarët, për vitin 2013 janë ndarë 2 milionë e 158 mijë euro, ndërsa investime kapitale janë 1 milion e 335 mijë euro.
Halil Qela, ushtrues i detyrës së drejtorit, ka thënë se vendimi i tij është bazuar në premtimin që u është bërë punëtorëve për rritje të pagave prej 5 për qind në çdo gjashtë muaj. Ai ka thënë se fillimisht premtimi për rritje të pagave nuk është realizuar pasi ka pasur një vendim të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme që gjatë vitit 2012 të mos ketë rritje të pagave pa një kërkesë të veçantë nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së.
“Pas kalimit të këtij afati, pasi ende nuk ishte bërë zgjedhja e Bordit, unë kam marrë vendim për një rritje prej 6% të rrogave dhe nivelimit të rrogave për Departamentin e Minierave – Kishnicë dhe Artanë si dhe ngritjen e rrogave për punëtorët të cilët janë punësuar si minatorë të rinj”, ka thënë Qela.
Ai ka thënë të ketë pasur presion nga punëtorët e “Trepçës”, sidomos pas përmbylljes së vitit 2012 me një rritje prej 37% në krahasim me vitin 2011.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, thotë se drejtori i “Trepçës” nuk ka pasur kompetencë për të vendosur për pagën e tij.
“Drejtori e as ushtruesi i detyrës së drejtorit nuk ka të drejtë t’ia caktojë vetes lartësinë e pagës”, ka thënë Kaloshi. “AKP-ja ka të drejtë dhe është autoriteti i vetëm për vendimmarrje në të gjitha fushat e veprimtarisë te ndërmarrjet – duke e përfshirë edhe çështjen e pagave”, ka shtuar ai, duke u thirrur në Ligjin për AKP-në dhe atë për “Trepçën”.
Kaloshi ka thënë se te pagat e “Trepçës” procedura është më e veçantë, pasi kjo ndërmarrje është nën moratorium.
“AKP-ja si administratore e kësaj ndërmarrjeje në baza tremujore paraqet kërkesë për lejimin e pagimit të rrogave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, sepse kështu është përcaktuar me Ligjin 04/-L-035, nenet 5.7.8, i cili në mënyrë specifike përkufizon çështjen e pagave dhe i kërkohet administratorit që paraprakisht të kërkojë leje nga Gjykata, në mënyrë që pagat e punëtorëve apo këto pagesa të cilësohen si legjitime”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se çështja e pagave të punëtorëve të “Trepçës” do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Bordit të AKP-së.
“Vendimi për rritjen e pagave është vendim i njëanshëm dhe nuk ka pasur pëlqim as nga AKP-ja dhe është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e ka përcaktuar shumën sesa është e lejuar që të paguhet në emër te pagave për punëtorë për tre muajt e parë të vitit 2013, pra janar 2013, shkurt 2013 dhe mars 2013”, ka thënë ai.
Sindikata e Punëtorëve të Minierës në Stantërg ka bërë kërkesë për rritje të pagave, e të cilën e përkrah edhe AKP-ja për shkak të rritjes së prodhimit në këtë minierë.
“Vendimi i menaxhmentit ka tejkaluar kërkesën e sindikatës dhe rritja për një numër të caktuar të punëtorëve është bërë pa kërkesë paraprake, e cila është e domosdoshme me qëllim të respektimit të ligjit dhe standardeve të aplikuara nga Administratori. Është në kompetenca të Bordit të Drejtorëve të AKP-së të vendosë për procedurat e mëtutjeshme”, ka thënë Kaloshi.

Gazeta Koha Ditore, 21.03.2013