Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Speciale: Zeri kunder KEK-ut

Rryma blihet shtrenjtë, shitet lirë
Çmimi i importit të energjisë elektrikë në Kosovë nga Korporata Energjetike e Kosovës, është shumë më i shtrejtë sesa ai i eksportit. Të dhënat për vitin 2001 tregojnë se KEK-u ka importuar energji në vlerë prej 54.6 milionë euro, kurse ka eksportuar në vlerë prej 12.5 milionë euro. Çmimi i MW/h për import ka qenë 69.66 euro kurse për eksport 45.05 euro. Ndërkohë që është vlerësuar se nga KEK-u nuk ka transparencë për importin. Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, ka thënë: “Së pari është se kanë monopol disa kompani të cilat kryesisht janë serbe dhe e dyta nuk ka transparencë aspak se si bëhet tregu, shumë herë është parë se çmimi që kemi blerë ne është disa herë më i lartë se çmimi i energjisë në treg”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij, Kosova blen energji elektrike nga Serbie edhe pse ky shtet në vazhimësi na saboton. “Edhe vetë KOSTI dhe autoritetet e energjisë në Kosovë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka pranuar që Kosova sabotohet  me çmim nga Serbia për shkak se nuk pranohet si etnitet i veçantë i energjisë”, ka thënë ai. Zogiani thotë se ekziston një traktat për energji për Evropën Juglindore të cilin vetëm Kosova e respekton dhe askush tjetër.
Ky traktat, sipas tij, parasheh ndër të tjera që të mos sabotohet njëri apo tjetri. “Autoritetet kosovare në një komunikim që e kanë bërë pas një hulumtimi tonin, KEK-u ka thënë që është e vërtetë që sabotohemi nga Serbia por ne kemi bërë disa shkresa në sekretariatin e komunitetit për energji për Evropën Juglindore dhe Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar”, ka thënë ai. Sipas Zogianit ekziston edhe një vendim i Komitetit për Komunitetin e Energjisë për Evropën Jugëlindore, i cili nuk është respektuar asnjëherë nga Serbisa por që prapë, sipas tij, Kosova vazhdon me të njëjtin  avaz, të blejë energji vetëm nga Serbia në ndërkohë që lartpërçuesit për Maqedoni dhe Mal të Zi janë jashtë funksionit për vite me radhë.
Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk janë prononcuar për një gjë të tillë.
Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ka thënë se KEK-u duhet të ketë një planifikim afatgjatë dhe kontratë afatgjate të shitjes së energjisë elektrike. Sipas tij, ata kryesisht energjinë e shesin në orë të mbrëmjes ku niveli i shfrytëzimit tek ne është nivel shumë i vogël. “Menaxhmenti duhet të bëjë përpjekje që të gjejë hapësirë dhe tregje të reja mbi të cilën vlera e shitjes së energjisë sonë në tregjet e jashtme do të matet me vlerën të cilën kërkohet. Zakonisht energjia jonë është energji e cila shitet gjatë periudhave ku nuk bëhet shfrytëzimi brendapërbrenda Kosovës”, ka thënë Çeku.
Ndërsa në një hulumtim të Institutit GAP thuhet se në vitin 2011, Kosova importoi rreth 14 për qind të konsumit të saj total, ndërsa eksportoi rreth 5 për qind të gjenerimit. Sipas këtij hulumtimi zakonisht energjia e importuar është e kohës së pikut apo e blerë një-ditë-para. Në anën tjetër, energjia eksportohet gjatë kohës së natës kur kërkesa vendore bie nën nivelin e gjenerimit. Kjo, sipas këtij hulumtimi, bën që çmimi i importit të jetë shumë më i lartë sesa ai i eksportit.
“Kosova, gjatë vitit 2011, importoi energji në vlerë prej 54.6 milionë euro me çmim 69.66 euro për MW/h, ndërsa eksportoi energji në vlerë prej 12.5 milionë euro me çmim 45.05 euro për MW/h. Meqë çmimi i importit është shumë më i lartë sesa kostoja e prodhimit të energjisë dhe çmimi i eksportit është më i vogël sesa çmimi i konsumit brenda tregut të Kosovës, importet dhe eksportet ndikojnë negativisht në çmimin e energjisë elektrike”, thuhet në hulumtim të GAP-it.
Ndërsa sa i përket çmimit të rrymës, sipas këtij raporti, krahasuar me vendet e rajonit, Kosova paguan më shumë për KW/h se sa Serbia dhe Maqedonia, ndërsa çmim më të ulët se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi. Kurse 27 vendet e Bashkimit Evropian në mesatare paguajnë rreth 14.16 centë për KW/h, apo rreth 3 herë më shumë sesa Kosova.
“Por përkundër faktit që kosovarët paguajnë çmim relativisht të ulët në krahasim me rajonin, po të përfshihet standardi i jetesës dhe parimi i fuqisë blerëse në modelin e krahasimit, atëherë shihet që kosovarët paguajnë mesatarisht 52 % më shumë për energji elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE”.

Shtrenjtimi nxit vjedhjen e rrymës
Kërkesa e Korporatës Energjetike e Kosovës(KEK)që energjia elektrike të shtrenjtohet për 10 për qind prej fillimit të muajit të ardhshëm, mund të përcillet me ulje të inkasimit, si dhe stimulim të vjedhjes së rrymës.
Kështu thuhet në raportin e fundit të Institutit GAP dhe Forumit për Iniciativa Qytetare(FIQ), duke shtuar se duke marrë parasysh që pjesa dërrmuese e buxhetit konsumues shpenzohet për nevoja ekzistenciale, ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ishte një barrë e rëndë për qytetarët.
”Kjo barrë mund të shkaktojë pakënaqësi sociale që në rast përkeqësimi mund të shkaktojnë trazira sociale”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Edhe vitin e kaluar tarifat e energjisë elektrike në vend janë shtrenjtuar për 8.9 për qind.
Njohësit e çështjeve ekonomike në vend thonë se KEK-u është më mirë t’i zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale të energjisë, të cilat brenda një viti kapin shumën prej 100 milionë euro, se sa të mendojë për shtrenjtim të tarifave.
“Nëse më shumë se 30 për qind e rrymës humb në rrjet, apo vidhet, atëherë është më e arsyeshme të zvogëlohen këto humbje se sa të mendohet për shtrenjtim të energjisë elektrike”, ka theksuar Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale(STRAS).
Sipas tij, edhe Rregullatori i Energjisë para se ta aprovojë kërkesën për shtrenjtim të rrymës duhet ta ketë parasysh standardin jetësor të kosovarëve.
”Mendoj se nuk ka arsye për rritje të çmimit të energjisë elektrike nga muaji i ardhshëm”, pohon Rexhepi.
Edhe përfaqësuesit e biznesit në vend pohojnë se shtrenjtimi i energjisë elektrike nga KEK-u është i papranueshëm për bizneset.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB), thotë për “Zërin” se shtrenjtimi i rrymës do ta rrisë koston e shërbimeve vendore, pamundëson rritjen e eksportit, si dhe keqëson gjendjen ekonomike e sociale në vend.
Sipas raportit të GAP dhe FIQ,  buxheti i kosovarëve është relativisht i vogël, ku për konsum në vitin 2011 në mesatare një kosovar harxhonte hiç më shumë se 1,210 euro në vit, apo pak më shumë se 100 euro në muaj.
“ Një buxhet i tillë i vogël nuk lejon për shumë shpenzime tjera jashtë atyre, për të plotësuar nevojat ekzistenciale”, thuhet ndër të tjera në raport, duke shtuar se ngritja e çmimit të energjisë pikë së pari do të rriste përqindjen e konsumit të kategorisë së banimit.
Duke supozuar rritje joproporcionale të çmimit të energjisë elektrike dhe buxhetit të ekonomive familjare, sipas këtij raporti, kjo përqindje do të rritej në dëm të shpenzimeve tjera, që do të thotë që një rritje eventuale do të sakrifikonte konsumin e fushave tjera.
Përveç efekteve në konsum, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë gjithashtu edhe në sasinë e parave të kursyera. Kjo ndodh pasi që, për të kompensuar për rritjen e shpenzimeve për banim dhe për të mos sakrifikuar uljen e shpenzimeve në fushat tjera, kursimet do të duhet të kthehen në para të gatshme për shpenzim. Në plan të gjatë, ky efekt mund të reflektonte negativisht në aftësinë financiare për të planifikuar investime të ndryshme kapitale apo në kapitalin njerëzor.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë edhe efekte indirekte. Një efekt indirekt është rritja e kostos se bukës, si njeri ndër produktet bazë të çdo qytetari. Buka dhe drithërat përbejnë 8 për qind të buxhetit të ekonomive familjare. Për furrat e bukës që nuk funksionojnë me energji elektrike, kjo e fundit kontribuon rreth 5 për qind në çmimin final të bukës
Përndryshe, çmimi mesatar i energjisë elektrike pa taksa në Kosovë gjatë vitit 2011 për amvisëritë me konsum deri ne 5,000 KW/h ishte 5.76 euro/cent për KW/h.
“Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova paguan më shume për KW/h se sa Serbia dhe Maqedonia, ndërsa çmim më të ulët se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi”, potencohet në raport.

Miliona të investuara në rrjet
Në një analizë të bërë ditë më parë nga instituti GAP janë marrë parasysh edhe faktorë që deri më tash e kanë mbajtur çmimin e ulët të energjisë elektrike, mirëpo sipas tyre  jo domosdo do të vazhdojë të jetë njëjtë edhe në të ardhmen. Njëri nga këta faktorë është teknologjia e vjetruar e cila ende përdoret. Kjo do të thotë që teknologjia që përdoret sot është zhvlerësuar deri në pikën që nuk paraqet kosto ekstra për prodhimin e energjisë elektrike. E njëjta vlen edhe për rrjetin e energjisë elektrike, edhe pse në masë shumë më të vogël.
Faktori i dytë që ka ndikuar në mbajtjen e çmimit të ulët të energjisë elektrike në Kosovë, janë grantet dhe investimet e huaja në formë të ndihmës. Në rast të investimit përmes granteve apo donacioneve të huaja në sektorin e energjisë, atëherë për ato mjete të cilat janë investuar nuk ka kthim në investim, njëjte siç nuk llogaritet as zhvlerësimi për ato mjete. Vetëm gjatë viteve 2007-2012, komuna të ndryshme në Kosovë kanë investuar rreth 800,000 euro në rrjetin e distribucionit të KEK-ut. Në investime kapitale në rrjetin e transmisionit, janë investuar 22.4 milion euro nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër prej vitit 1999 deri në 2007, EU ka asistuar me rreth 400 milion euro në projekte të ndryshme energjetike15. Të gjithë këto shuma nuk japin vlerën e vërtete, e cila është shume më e madhe, të granteve dhe donacioneve të dhuruara për investime kapitale në sektorin energjetik të Kosovës. Një shumë aq e madhe e donacioneve dhe granteve ka ndihmuar që çmimi i energjisë elektrike të mbetet i ulët.
Faktori i tretë i cili ka ndikuar në mbajtjen e ulët të çmimit të energjisë elektrike janë edhe shumat e mëdha të subvencioneve të Qeverisë së Kosovës drejtuar KEK-ut. Shuma e saktë e subvencioneve të Qeverisë së Kosovës drejtuar KEK-ut prej periudhës së pasluftës nuk dihet. Mirëpo, vetëm në vitet 2009-2011 KEK-ut i janë lejuar të hyra nga subvencionet rreth 145.84 milion euro. Dhe duhet cekur që në vitet e fundit ka qenë qëllim i Qeverisë që shuma e subvencioneve të zvogëlohet për shkak të mos qëndrueshmërisë financiare dhe deficitit buxhetor.
Faktori i katërt që ka ndikuar në mbajtjen e ulët të çmimit të energjisë elektrike është edhe mungesa e investimeve të mjaftueshme në uljen e ndotjes si rrjedhojë e neglizhimit të ambientit dhe efekteve anësore të ndotjes nga KEK-u. Kostoja e madhe e filtrave të ajrit dhe investimeve tjera, benefitet e të cilave nuk i shkojnë korporatës por shoqërisë në përgjithësi, nuk kanë qenë nxitëse për KEK-un që të investojë. Si rezultat, çmimi energjisë elektrike ka rezultuar të jetë më i lirë, mirëpo në dëm të shëndetit të popullatës dhe ambientit. Faktori i pestë i cili ka mbajtur të ulëta çmimet e energjisë elektrike është fuqia e lirë punëtore në krahasim me vendet tjera. Ky faktor nuk është i natyrës së faktorëve të tjerë të lartpërmendur, megjithatë ka ndikim në çmim. Sikur të gjithë faktorët tjerë të ishin të nivelit të njëjtë me vendet tjera, por pagat të mos ishin, atëherë çmimi i energjisë elektrike në Kosovë do të duhej të ishte më i lirë. Në tabelën e mëposhtme janë të paraqitura pagat mesatare të Kosovës, vendeve të rajonit, dhe një mesatare të Bashkimit Evropian. (GAP)
75 milionë euro humbje teknike
Në vitin 2011, 38.15 për qind e energjisë së injektuar vetëm në rrjetin e distribucionit ishte humbur. E shprehur si shifër absolute e energjisë, këto humbje kapin shifrën 1,786,177,000 Kwh. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, çmimi mesatar i energjisë elektrike ishte 5.76 euro cent për Kwh. Shumëzimi i sasisë së energjisë së humbur me çmimin mesatar do të na jepte shifrën monetare të energjisë së humbur, shifër e cila zë shumën e përafërt me 100 milionë euro. Mirëpo, meqë në këto humbje hyjnë edhe humbjet teknike, të cilat nuk mund të zvogëlohen në zero, atëherë një shifër reale e energjisë së humbur rezulton të jetë rreth 75 milionë euro.
ZRRE gjatë procesit të shqyrtimit të tarifave cakton vlerën e humbjeve të lejuara, të cilat duhet të jene të “mjaftueshme që të nxisë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit (OST)/Operatorin e Tregut (OT) të reduktojë humbjet në shpërndarje dhe transmision, për të mos vendosur kosto mbi OSSH-në dhe OST/OT-në në atë mënyrë që të kërcënohet pozita e tyre financiare.”10 Humbjet e lejuara llogariten në të hyrat maksimale të lejuara për të licencuarit, dhe rrjedhimisht në çmim të energjisë elektrike.

Milionat e “djegura” në kazanët e KEK-ut
Nuk janë vetëm ankesat e qytetarëve për faturat e fryra problem për të cilin duhet protestuar. Janë qindra milona euro të investuara në këtë kompani publike nga buxheti i Bashkësisë Evropiane, donacione, ndihma dhe subvencione të Qeverisë së Kosovës. Duhet kërkuar llogari si u shpenzuan këto mjete, pse u paguan marramendësisht menaxherët dhe këshilltarët e huaj në këtë korporatë.
Dikush duhet të tregojë pse po investohet me shuma marramendëse në këtë ndërmarrje edhe pse tashmë distribucioni i është shitur (falur) kompanisë turke “Limak”. Kush janë kompanitë që kanë fituar tender milionësh bile edhe njëburimor në këtë ndërmarrje, si u derdhën në konto të bizneseve financuese të PDK-së paratë e KEK-ut përmes tenderëve publikë? Qytetarët e Kosovës, duhet protestuar për asetin e tyre, sepse ky nuk është aset i pushtetit dhe i një grupit të caktuar brenda saj, por është aset i kosovarëve të cilët deri më tash kanë paguar dy herë për energjinë e shpenzuar përmes faturave mujore dhe përmes tatimeve të tyre të cilat janë dhënë si subvencione KEK-ut. Qytetarët e Kosovës kanë qenë arsye pse janë dhënë donacione të pafund dhe sot pas më shumë se një dekade kemi përpara një kompani të degraduar.
Për 13 vjet kjo korporatë kanë gëllitur hiç më pak se një miliardë euro. Një raport i fundit i organizatës GAP jep detaje për investimet të cilat nuk kanë dhënë rezultat në përmirësimin e kësaj korporate. Vetëm gjatë viteve 2007-2012, komuna të ndryshme në Kosovë kanë investuar rreth 800,000 euro në rrjetin e distribucionit të KEK-ut derisa në investime kapitale në rrjetin e transmisionit, janë investuar 22.4 milionë euro vetëm nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër prej vitit 1999 deri në 2007, EU ka asistuar me rreth 400 milionë euro në projekte të ndryshme energjetike. Hulumtuesit tregojnë se të gjithë këto shuma nuk japin vlerën e vërtetë, të granteve dhe donacioneve të dhuruara për investime kapitale në sektorin energjetik të Kosovës e cila është shumë më e madhe.
Qeveri ndërkohë ka vazhduar t’i japë subvencione kësaj korporate vetëm gjatë viteve 2009 deri 2011 KEK-ut i janë lejuar të hyra nga subvencionet rreth 145.84 milionë euro. KEK është arsyetuar se i duhen ndihmë për shkak të importit, ndërkohë që rryma është blerë me çmim shumë më të shtrenjtë sesa rryma e cila është eksportuar.
Të dhënat për vitin 2011 tregojnë se KEK-u ka importuar energji në vlerë prej 54.6 milionë euro, kurse ka eksportuar në vlerë prej 12.5 milionë euro. Çmimi i MW/h për import ka qenë 69.66 euro kurse për eksport 45.05 euro. Menaxherët e KEK-ut duhet të tregojnë pse kanë monopol disa kompani me zyra në Beograd për t’i shitur Kosovës rrymë, si është i rregulluar ky treg, pse Kosova e blen rrymën shumë më shtrenjtë sesa çmimi i tregut… Kush janë ish-punëtorët e KEK-ut të cilët sot bëjnë biznes me këtë ndërmarrje si në “bahçe të babës”. Sot grupi i qytetarëve të organizuar kanë bërë të ditur se duke filluar nga ora 12.00 do të organizojnë një protestë paqësore kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike për muajin janar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), por ata duhet të dinë se kanë shumë më shumë të kërkojnë nga KEK-u. Sepse kjo ndërmarrje publike është “mal i paprerë”, dhe faturat e rritura janë rezultat i keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit 13-vjeçar.

Blej shtrenjtë e shit lirë
Në vitin 2011, Kosova importoi rreth 14 për qind të konsumit të saj total, ndërsa eksportoi rreth 5 për qind të gjenerimit. Zakonisht energjia e importuar është e kohës së pikut apo e blerë një-ditë-para. Në anën tjetër, energjia eksportohet gjatë kohës së natës kur kërkesa vendore bie nën nivelin e gjenerimit. Kjo bën që çmimi i importit të jetë shumë më i lartë sesa ai i eksportit. Kosova, gjatë vitit 2011, importoi energji në vlerë prej 54.6 milion euro me çmim 69.66 euro për Mwh, ndërsa eksportoi energji në vlerë prej 12.5 milion euro me çmim 45.05 euro për Mwh. Meqë çmimi i importit është shumë më i lartë sesa kostoja e prodhimit të energjisë dhe çmimi i eksportit është me i vogël sesa çmimi i konsumit brenda tregut të Kosovës, importet dhe eksportet ndikojnë negativisht në çmimin e energjisë elektrike.
Vendi                                  Paga mesatare (Euro/muaj)
Kosova                               310*
Bosnja dhe Hercegovina       622
Maqedonia                          491
Serbia                                461
Shqipëria                            246
Mali i Zi                              715
Kroacia                              1,054
EU27                                 2,776

Gazeta Zeri, 13.03.2013