Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të ardhurat 2012, shqiptarët blejnë 300 milionë euro makina, transportet pa llogari!

Janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.
-Në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat vetëm rreth 1.800 të reja.
Shqiptarët kanë blerë më shumë makina gjatë vitit të kaluar, por kryesisht në tregun e atyre të përdorura. Sipas përllogaritjeve të specialistëve, bazuar në numrin e makinave të hyra në vend në 2012, dhe një çmimi mesatar, sipas markës së tyre dhe vjetërsisë, rezulton se janë shpenzuar rreth 300 milionë euro për blerjen e automjeteve, një shumë që është gati tri herë më e lartë se ajo e harxhuar në vitin 2010 për të njëjtin qëllim, ndërkohë që dhe numri i makinave të importuara për të njëjtat periudha rezulton i trefishuar. A mund të thuhet se ministria e Transportit i ka bërë drejt “hesapet”, me ndryshimet ligjore që ka kërkuar – dhe që janë miratuar – në qeveri? Përgjigja për këtë pyetje mund të jepet vetëm po të analizohet me hollësi tregu, por ajo vështirë se do të ishte pozitive.
Çfarë ndodhi që konsumatorët u dyndën masivisht drejt blerjes së automjeteve, kryesisht atyre të përdorur? Më shumë se një rritje e fuqisë blerëse, kjo tendencë shpjegohet me ndryshimin e regjimit taksor ndaj automjeteve të vjetra: gjatë vitit 2010 dhe gjysmës së dytë të vitit 2011 ishte në fuqi ligji i cili “penalizonte” ndjeshëm importimin e mjeteve të përdorura me shumë vite përdorimi (më shumë se 10 vjet) përmes taksës së ndotjes, e cila përllogaritej duke u bazuar në: vitin e prodhimit të mjetit, kapacitetin motorik, llojin e lëndës djegëse etj. Po ashtu, kjo taksë u shpreh edhe në mjetet që ishin pjesë e parkut të automjeteve, përmes taksës së rishitjes së mjetit. Këto masa nxitën tregun e automjeteve të reja me zero kilometra që shiten prej koncesionarëve dhe frenuan atë të shitjes së makinave të përdorura.
Situata ndryshoi tërësisht pas shtatorit 2011, me importet e automjeteve të përdorura, që u rritën ndjeshëm në katër muajt e mbetur të 2011-s, duke vazhduar, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, përgjatë gjithë 2012-s.
Në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat, vetëm rreth 1800 ishin të reja, ndërsa të tjerat të përdorura, sipas të dhënave nga Doganat.
Në total janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR), nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.
Kostot
E parë në këndvështrimin afatshkurtër dhe në një pikëpamje të ngushtë, shtimi i numrit të automjeteve në përdorim të qytetarëve apo bizneseve është pozitiv, në një vend që ka nivel të ulët motorizimi. Por në këndvështrim afatgjatë dhe me një analizë më të detajuar, kjo dukuri është negative në shumë aspekte:
-Së pari, makinat që kanë hyrë janë të vjetra, (gati 80% e automjeteve të regjistruara për herë të parë në 2012-n kanë vit prodhimi deri në 2002, pra një minimumi 11 vjet të vjetra) duke pasur një kosto më të lartë mirëmbajtjeje të shtrirë në kohë për zotëruesin e mjetit. Për më tepër, nëse Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Evropian, ku tashmë vendi është në gjysmë të rrugës, makinat me normativë EURO 3 e poshtë do të dalin automatikisht jashtë funksionit, duke e bërë të pavlefshëm këtë shpenzim, që në pamje të parë ishte më i lirë.
– Së dyti, sa më shumë automjete të vjetra të hynë, aq më shumë ndotet mjedisi. Operatorët e tregut pohojnë se 70% e makinave që qarkullojnë në Shqipëri janë të nivelit të emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2) EURO 2, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Evropian, automjete të tilla janë hequr fare nga qarkullimi.
-Së treti, ky treg është pothuajse tërësisht informal, duke shkaktuar dëm për shtetin në formën e taksave të pambledhura. Ndërsa vilen taksa në momentin që makina hyn në doganë (ku gjithsesi automjeti paraqitet me vlerë më të ulët sesa realja), tregtuesit e automjeteve funksionojnë si individë, duke mos derdhur asnjë lek për shtetin në formën e tatim fitimit e taksave të tjera, që i paguan çdo biznes në vend. Sipas të dhënave nga doganat, në krahasim me vitin 2010, të ardhurat totale nga taksat e automjeteve janë rritur vetëm 50%, në një kohë që numri i automjeteve të importuara në total është rritur 221%, në krahasim me të njëjtën periudhë.
-Së katërti, duke lejuar një treg tërësisht informal, shteti diskriminon koncesionarët e makinave të reja, – të cilët operojnë në mënyrë tërësisht formale, duke paguar rregullisht taksa – duke shkelur në këtë mënyrë hapur parimin e zbatimit të rregullave të njëjta për të gjithë operatorët në treg.
– Së pesti, ndryshimet ligjore në shtator 2011 kanë çuar në zhvlerësimin e parkut ekzistues të automjeteve në vend, në kuptimin që një zotërues automjeti që e ka blerë atë përpara kësaj periudhe, mund ta rishesë atë me një vlerë shumë të ulët sesa e ka blerë, për shkak të konkurrencës nga automjetet e importuara pas shtatorit 2011, që shiten më lirë, për shkak të ndryshimit të sistemit të taksave.
-Së gjashti, një shumë prej gati 300 milionë eurosh ka qarkulluar jashtë kanaleve bankare, teksa shitblerjet e automjeteve të vjetra kryhen përgjithësisht me para në dorë.
– Shtimi i makinave të vjetra rrezikon të përkeqësojë situatën me varrezat e makinave, që ndodhen përgjatë rrugëve kryesore, duke dëmtuar mjedisin dhe duke prishur imazhin e vendit, ndërkohë që në kryeqytet janë shtuar hapësirat publike të parkimit që zihen nga automjetet e pashitura.
Vjetërsia
Pasoja më alarmante e ndryshimeve ligjore të shtatorit 2011 është dyndja e makinave me më shumë se 10 vjet jetë. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2011, 77% e makinave të targuara për herë të parë kishin një vit prodhimi maksimumi deri në vitin 2002 (minimalisht 11 vjet të përdorura). Edhe për 11-mujorin 2012, gati 80% e automjeteve të targuara për herë të parë kishin vit prodhimi maksimumi deri në 2002.
Siç duket dhe nga grafiku “Autovetura të përdorura, të targuara për herë të parë, sipas vjetërsisë”, kanë vit prodhimi midis 1997 dhe 2002.
Sipas Departamentit Amerikan të Transportit, një mjet i prodhuar në ditët e sotme e ka ciklin e tij normal mesatar të jetëgjatësisë nga 8 deri në maksimumi 12 vjet, në varësi të kilometrave që kryen çdo vit, mirëmbajtes dhe sigurisht markës.
Si po zhvlerësohet parku i automjeteve
Eno Zeneli, sekretar i përgjithshëm i Automobile Club Albania pohon se ndryshimi i regjimit taksor të automjeteve të vjetra që hyri në fuqi në shtator 2011, ka sjellë dhe një dukuri tjetër, atë të zhvlerësimit të parkut ekzistues me rreth 40%. Ai jep një shembull konkret për të shpjeguar këtë tendencë:
Marrim si shembull një automjet Mercedes C Class, që rezultoi makina më e shitur në vend në vitin 2012, me fuqi 2000 kubikë dhe prodhim të vitit 2000. Nëse një automjet me këto parametra do të blihej përpara shtatorit 2011, ai do të kushtonte në tregun e huaj 5000 euro. Nëse i shtohej taksa e ndotjes, 3000 euro, dhe TVSH rreth 1000 euro, atëherë në total, kostoja e makinës do të shkonte 9000 euro.
Nëse blihet i njëjti automjet sot, me kushtet aktuale të tregut, do të kishim këtë situatë: Makina kushton 4000 euro në tregun primar të blerjes (1,000 euro më pak sesa blihej dy vjet më parë për shkak të faktorit kohë të zhvlerësimit). Në doganë do të paguhet dhe 800 euro TVSH, pra mjeti do të ketë një kosto totale prej 4800 eurosh.
Tashmë, një individ, që e ka blerë këtë automjet para shtatorit të vitit 2011, nuk mund ta shesë dot mjetin e tij për të blerë një makinë tjetër, pasi sipas logjikës së amortizimit në kohë, makina e përdorur dy vjet, nga 9000 euro e blerë do të shitej 7,000 euro. Por, individi do ta kishte të pamundur që ta shiste këtë automjet në treg për 7,000, kur një automjet me të njëjtat parametra i importuar rishtazi, hyn në treg me 5,000 euro, ndërkohë që të dy i paguajnë njësoj taksat.
“Kjo ka sjellë bllokim në treg dhe është një dukuri që ka prekur të gjithë parkun”, thotë Zeneli. Sipas tij, këtë dukuri e vuajnë më shumë mjetet që janë blerë në koncesionarë me zero km dhe mjetet që janë blerë relativisht të reja.
Nga ana tjetër, jo të gjitha automjetet e importuara kanë arritur të shiten, duke treguar se gjithsesi kërkesa nuk ka fuqi të tërheqë të gjithë ofertën e shtuar në treg, duke krijuar një stok të akumuluar prej gati 13 mijë makinash në fund të vitit 2012.
“Gjatë gjithë kësaj kohe kanë hyrë më shumë mjete sesa ka nevojë tregu dhe këtë e tregon diferenca e akumuluar në regjistrim dhe duke pasur parasysh që me legjislacionin shqiptar, automjetet nuk mund të rrinë më shumë se 6 muaj të zhdoganuar të paregjistruar, shitësit informalë detyrohen që ta shesin me çmim të ulët”, thotë Zeneli.
Shtimi i ndotjes
Shtimi i makinave që në pjesën më të madhe kanë një moshë mbi 10 vjet, ngre një tjetër alarm. Atë të ndotjes së mjedisit. Sipas një studimi të vitit 2012 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse mjetet diesel nuk janë të pajisur me sistemet më të fundit të reduktimit të emetimeve ndotëse, këto emetime rezultojnë të jenë kancerogjene.
Dhe në Shqipëri, siç tregohet në grafikun “Parku i automjeteve sipas vitit të prodhimit”, rreth 50% e makinave që qarkullojnë në vend, kanë një vit prodhimi deri në 1995, pra janë mbi 18 vjet të vjetra.
“Kontrolli teknik për nivelin e ndotjes, që kryhet në pikat e kontrollit teknik, fatkeqësisht është akoma opsional, d.m.th nuk është kusht për t’i penguar mjetet që të mos marrin kolaudimin e përvitshëm teknik”, thotë Zeneli. Nëse do realizohej kjo, shumë nga këto mjete që janë shumë të vjetra, nuk do të mund të qarkullonin, sepse do të frenoheshin te kontrolli teknik. Sipas burimeve jozyrtare, 30% e mjeteve nuk i kalojnë normativat për të cilat janë prodhuar dhe jo më të respektojnë normativat evropiane të ndotjes ku ne synojmë të anëtarësohemi.
Burime nga Ministria e Mjedisit, gjithsesi pohojnë se në objektin e tyre nuk është zgjidhja e problemit të vjetërsisë së makinave, por ata thjesht masin ndotjen që shkaktohet nga karburantet.

Gazeta Standard, 11.03.2013