Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit

VENDIM PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E Inspektoratit SHTETËROR të Mjedisit, Pyjeve, UJËRAVE dhe PESHKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 3, 51 e 56, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011,“Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Krijimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, në vijim “ISHMPUP”, si institucion qendror buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin, pyjet, ujërat dhe peshkimin.
2. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve, ujërave dhe peshkimit.
3. ISHMPUP-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën e përgjegjësisë së ministrisë përkatëse për mjedisin, ujërat, pyjet dhe peshkimin.
4. Përveç sa parashikohet në pikën 3, të këtij vendimi, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit është përgjegjës për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për Inspektoratin Shtetëror, që mbulon fushën e mjedisit.
5. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit organizohet në dy nivele, në drejtori, në nivel qendror, dhe degët territoriale, në nivel qarku, për çdo qark.
6. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit drejtohet nga kryeinspektori, i cili është titullari i institucionit. Kryeinspektori përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin e bashkërendimin e punës për funksionimin dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së ISHMPUP-së.
7. Kryeinspektori i ISHMPUP-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës për mjedisin, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse.
8. Drejtoria e Përgjithshme e ISHMPUP-së kryen këto funksione kryesore:
a) Planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit.
b) Siguron unifikimin e praktikave të inspektimit në shkallë vendi.
c) Jep mbështetje teknike dhe administrative për veprimtarinë e inspektimit.
ç) Harton programin dhe raportin vjetor të inspektimit.
d) Merr pjesë në inspektime specifike jashtë programit, të parashikuara në ligjin e posaçëm dhe në nenin 27, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
dh) Informon  publikun  për  veprimtaritë  e inspektimit dhe vendimet e marra.
9. Në drejtorinë qendrore të ISHMPUP-së krijohet Komisioni i Shqyrtimit të Ankimeve, i cili drejtohet nga kryeinspektori dhe ka në përbërje të tij:
a) një përfaqësues të njësisë që mbulon çështjet juridike;
b) një përfaqësues që mbulon çështjet e metodologjisë së inspektimit;
c) dy ekspertë të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme.
10. Përbërja nominale e komisionit të sipërpërmendur miratohet me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit dhe bëhet publike me mjete të përshtatshme.
11. Degët territoriale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në këtë qark. Me autorizim të posaçëm të kryeinspektorit, inspektorët e një drejtorie rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me degën territoriale përkatëse.
12. Në degët që kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit, inspektorët bashkëpunojnë me organet donanore dhe organet e tjera shtetërore për parandalimin e hyrjes së faktorëve të rrezikshëm për mjedisin, ujërat, pyjet dhe peshkimin.
13. Dega territoriale, në nivel qarku, drejtohet nga kryeinspektori i degës përkatëse të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit. Kryeinspektori është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së degës.
14. Në strukturën organizative të ISHMPUP-së në drejtorinë qendrore dhe në degët territoriale mbahen parasysh dhe ruhen profilet më të specializuara lidhur me inspektimin për mjedisin dhe ujërat, inspektimin mbi fondin pyjor dhe kullosor, florën dhe faunën, gjuetinë, si dhe inspektimin e peshkimit dhe aktivitetin e akuakulturës. Një pjesë e trupës inspektuese sipas strukturës përkatëse gëzon dhe ushtron statusin e policisë pyjore.
15. Kryeinspektori i degës territoriale kryen këto detyra:
a) Lëshon autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit;
b) Vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, sipas ligjit;
c) Vendos për zëvendësimin e inspektorëve, gjatë inspektimit, sipas ligjit;
ç) Shqyrton  ankimin e  veçantë ndaj vendimeve për masat urgjente të marra nga inspektorët e degës përkatëse;
d) I raporton kryeinspektorit të ISHMPUP-së, përveçse kur ky i fundit ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër të posaçëm, një njësi tjetër raportimi në drejtorinë qendrore.
16. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
17. Stema e ISHMPUP-së përbëhet nga Stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit”.
18. Vulat e ISHMPUP-së kanë formën dhe elementet e përcaktuara në  pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e drejtorisë përmban dhe shënimin identifikues “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, Drejtoria Qendrore”, ndërsa vulat e degëve territoriale përmbajnë dhe shënimin identifikues: “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, dega territoriale e qarkut përkatës”.
19. Vula e ISHMPUP-së dhe vulat e drejtorive rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
20. Ngarkohet ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që, brenda 1 (një)  muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për realizimin e emërimit të kryeinspektorit dhe përgatitjen e strukturës e të organikës së Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit.
21. Kryeinspektori i ISHMPUP-së, mbështetur nga njësitë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse të ministrisë dhe në përputhje me kërkesat specifike për arsimin e inspektorëve, të miratuara nga Inspektorati Qendror, miraton kërkesat specifike për çdo vend pune.
22. Nëpunësit, që kryejnë funksionet e inspektimit, që janë aktualisht të emëruar në ministri, përfshirë institucionet e saj të varësisë apo degët rajonale, të cilët plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil si dhe kërkesat specifike, të përcaktuara sipas pikës 22, të këtij vendimi, transferohen në detyra të reja në ISHMPUP, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas këtij vendimi.
23. Brenda tre muave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ministri përcakton rishpërndarjen e mjediseve dhe mjeteve të punës së ISHMPUP-së.
24. ISHMPUP-ja fillon punën sipas organizimit dhe funksionimit të përcaktuar në këtë vendim, nga data e emërimit të kryeinspektorit dhe miratimit të urdhrit përkatës të Kryeministrit për miratimin e strukturës dhe të organikës së Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, sipas legjislacionit në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
25. Çdo akt nënligjor në kundërshtim me këtë vendim shfuqizohet.
26. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Inspektorati Qendror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

energjia.al, 13.03.2013