Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koncesionet, Lati: Markimi i karburanteve u pezullua. Debate për deputetët miliarderë

Shërbimi i markimit të karburanteve, që do të kalojë te privati, ka stopuar duke u mbajtur pezull prej disa kohësh nga ana e qeverisë. Lidhur me këtë procedurë pati ankesa nga ana e biznesit që operon në sektorin hidrokarbur se kjo po rriste kostot për ta, si dhe ishte në kundërshtim me ligjin për konkurrencën. Përmes një shkrese ata iu drejtuan Autoritetit të Konkurrencës, i cili ende nuk ka bërë një vlerësim pasi koncesioni ka arritur deri te nënshkrimi i kontratës, por nuk ka përfunduar.
PEZULLIMI
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës u shpreh se lidhur me ankesën që bizneset hidrokarbure kanë ngritur për dhënien me koncesion të markimit të karburanteve, ende nuk është bërë një vlerësim, pasi çështja ka mbetur pezull. “Për legjislacionin fiskal Autoriteti nuk ka marrë asnjë iniciativë për ta parë nëse ai sjell një diskriminim apo jo. Por nëse ne kemi pasur raste të referencave që na kanë ardhur nga operatorët e tregut, jemi adresuar, sikurse ishte në rastin e markimit të hidrokarbureve. Ne kërkuam menjëherë informacion për këtë procedurë. Në mënyrë informale jemi informuar që kjo procedurë ka stopuar dhe nuk po vijon. Si procedurë vlerësimi nuk është realizuar. Komunikimi, sikurse ju thashë, ka qenë jo me shkresë, por na është thënë që ky proces është lënë pezull”, tha Lati. Lidhur me monopolet që krijojë koncesionet e tjera, siç janë kontrolli i makinave, ajo që iu dha Albpetrolit dhe që më pas iu hoq për rrjetin e gazit, kreu i AK-së tha se këto procedura rregullohen nga ligji për koncesionet dhe nuk janë pjesë e punës së Konkurrencës.
DEBATI
Në takimin e djeshëm nuk munguan as debatet mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës, të cilat u qendërzuan te pasuria. Deputetët e PS shprehën shqetësim se disa procedura të dhëna nga qeveria po krijojnë monopole në treg, por kjo ka gjetur kundërshtimin e kryetarit të Komisionit, Edmond Spaho, i cili akuzoi deputetët e opozitës. “Vini me vjershën e kryetarit dhe na tregoni përralla me Rilindje. Dhe kush? Ju që keni qenë krerët e monopoleve të tregtisë me shumicë të ushqimeve të hekurit, çimentos. Bëtë 8 vjet rresht favorizime për ata që sot i keni biznesmenë në Parlament. Ju, partia e tregtarëve”, tha Spaho. Por i ashpër ka qenë edhe reagimi i deputetit Arban Malaj, i cili ka i ka kërkuar maxhorancës që të dënojë ata që i akuzon nëse i kap me shkelje. “Nëse ke gjë me këta miliarderët që i keni akuzuar dhe hetuar 10 herë, kjo nuk mund të bëhet pjesë e debatit. Keni 8 vjet në pushtet dhe nëse doni, kontrollojini. Për miliarderët kërkoi të hetojnë, por jo t’i bësh tellall nëpër komision”, tha Malaj.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/03/13