Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Banka Botërore përgëzon KEK-un për rezultatet e arritura

Banka Botërore (BB) ka përgëzuar edhe një herë KEK-un për angazhimet dhe përmbushjen e zotimeve te ndërmarra si dhe ka dhënë edhe një mbështetje të fuqishme për operimet e KEK-ut, sidomos për projektet ambientale që po i implementon korporata. Kjo është bërë gjatë vizitës që i bëri të hënën termocentralit “Kosova A”, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, znj. Ellen Goldstein. Ajo është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Për me tepër, me ketë rast nga BB u shprehen lavdërime për rezultatet e arritura gjatë viteve të fundit sa i përket furnizimit stabil të konsumatorëve me energji, zvogëlimit të humbjeve dhe  për rritjen e inkasimit.
Përndryshe, Znj. Goldstein ka parë për së afërmi punimet  në projektet ku BB ka dhënë mbështetje financiare, por edhe KEK-u financon vet, sikurse projektet ambientale.
Znj. Goldstein tha se është e inkurajuar të shoh që Kosova po adreson një varg çështjesh të trashëguara nga një gjysmë shekull të gjenerimit të energjisë nga linjiti. “Jam e kënaqur që Banka Botërore ka pasur mundësi të ndihmojë që hedhjes së hapur të hirit t’i jipet fund, që të përmirësohen deponitë ekzistuese,  dhe që materiet e rrezikshme kimike të hiqen nga fabrika e gasifikimit në Kosovën A dhe të trajtohen në mënyrë adekuate jashtë vendit”, tha ajo. BB ka participuar me 10 milionë dollarë amerikanë edhe në projektin e Rehabilitimit të Kodrës së Hirit pranë TC “Kosova A” dhe për largimin e asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substancave të rrezikshme pranë fabrikës së ish- Gazifikimit, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga Qeveria Holandeze dhe vetë KEK-u.
Një projekt i përbashkët është ai i Sistemit Hidraulik të bartjes së hirit nga TC “Kosova A” për në minierën e shteruar të Mirashit. Ky projekt që pritet të përfundojë brenda pak muajsh ka një kosto prej 8.7 milionë eurosh, ku BB ka dhënë një milion euro ndërsa pjesa tjetër janë investime nga fondet vetanake të korporatës.  “Ky projekt përmes të cilit eliminohet ndotja nga bartja e hirit me shirita të hapur është i domosdoshëm, falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm Banka Botërore- KEK tashmë po finalizohet. Nga ky projekt qytetarët e zonave përreth do të kenë jetë më kualitative, prandaj jam shumë e lumtur për këtë”, tha znj. Goldstein.
Z. Gjukaj e ka njoftuar delegacionin e BB edhe për investimet tjera ambientale në korporatë. “Tashmë i kemi vendosur dy elektro-filtrat e rinj  në njësitë A3 dhe A5. Emisioni tashmë është brenda standardeve të Bashkimit Evropian, pra ndotja është zvogëluar 15- fish në krahasim me gjendjen e mëhershme. Tashmë jemi duke filluar edhe zëvendësimin e elektro-filtrit për njësinë A4 dhe në gjysmën e dytë të këtij viti e tërë Kosova A do të ketë emision në ajër brenda standardeve të BE-së”, tha z. Gjukaj. Projekti për ndërrimin e elektro-filtrave kap një kosto prej 25 milionë eurosh dhe financohet komplet nga fondet e KEK-ut. Delegacioni i BB është ndarë mjaft i kënaqur me këto investime dhe e ka inkurajuar KEK-un ta vazhdojë punën e mirë që po bën në furnizimin me energji elektrike të qytetarëve dhe në përmirësimin e jetës së tyre përmes projekteve të fuqishme ambientale.

energjia.al, 12.03.2013