Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK: Kërkesën për ngritje pagash, e lënë për maj

Punëtorët e KEK-ut, kërkesën e tyre për ngritje pagash kanë vendosur ta lënë për në muajin maj. Kjo pasi që 2 830 prej tyre do të kalojnë nën menaxhimin e Çalim&Limak, kompani të cilës në maj i kalojnë Distribucioni dhe Furnizimi, të cilat i ka blerë.
Punëtorët nuk kanë zgjedhje tjetër ngase kompania tashmë ka nënshkruar kontratën ku pagat e punëtorëve të këtyre dy divizioneve janë të caktuara dhe nuk ka mundësi për ndryshim.
Në maj 5 mijë punëtorët e tjerë, sërish do të kërkojnë ngritje pagash, siç ka qenë kërkesa deri më tash, që i bie nga 140 euro më shumë për secilin pa dallime për punën që bëjnë.
Kryetari i Sindikatës Energjetike, Izet Mustafa e konfirmon për KosovaPress se kërkesat e tyre i kanë shtyrë për muajin maj.
Ai thotë se kanë marrë këtë vendim pas takimeve që kanë pasur me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut.
“Jemi taku me të gjithë përgjegjësit, i kemi shqyrtuar mundësitë që ka kompania për momentin dhe kemi marr vendim që kërkesa për ngritje pagash të shqyrtohet pas muajit maj, meqë dy divizionet bashkë më punëtorët e tyre do t’i kalojnë kompanisë që e ka blerë. Çfarëdo që bëjmë nuk ka mundësi ndryshimi, ata kanë nënshkruar kontratën dhe nuk lejohet tani të bëhet ndryshim i pagave të punëtorëve të tyre”, ka thënë ai.
Nga rreth 8 mijë punëtorë që ka KEK-ut, tashmë 5 mijë prej tyre do të kërkojnë ngritje pagash, që i bie më pak buxhet për KEK-un se që është kërkuar në fillim.
Punëtorët e KEK-ut edhe para se të përpilohej buxheti i vitit 2013 në KEK, patën kërkuar që t’i kenë parasysh ngritjen e pagave të tyre. Pas kësaj ata protestuan tre ditë me radhë duke kërkuar të marrin ndonjë përgjigje për të cilën tashmë është marrë vendim ta riaktualizojnë sërish kah fundi i muajit maj.
Në kërkesën e bërë për ngritje pagash thuhet se është bërë bazuar në nivelin e pagave që kanë, në gjendjen ekonomike e sociale, në kushtet e punës dhe në rezultate e tyre në punë.
Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, gjithë kohën ua kujton menaxhmentit se pagat në sektorin energjetik nuk janë rritur asnjëherë deri më tani, përkundër kërkesave të tyre, siç thonë ata, të argumentuara që shumë herë.

Kosova Press, 18.02.2013