Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshimet në sektorin e energjisë hapin mundësi të reja ekonomike

Grillo bëri thirrje për ndryshime në Ligjin për Energjitë e Rinovueshme dhe kërkon të bëhet kujdes ndaj manipulimit të motivuar politikisht të kursit të këmbimit monetar.
Kryetari i Federatës së Industrisë Gjermane, Ulrich Grillo, sheh tek ndryshimet në sektorin e prodhimit të energjisë mundësi të reja ekonomike për sipërmarrjet gjermane . Deri në vitin 2030 do të investohen rreth 350 miliardë euro, tha Grillo të dielën (17,02.) në “Intervistën e Javës” në radion gjermane Deutschlandfunk. Sipas llogaritjeve të Federatës së Industrisë Gjermane BDI, kjo shumë është rreth 2-3 herë më shumë se pa revolucionin në sektorin e energjisë. “Pa revolucionin në fushën e prodhimit të energjisë vëllimi i investimeve do të ishte rreth 100-150 miliardë Euro” , tha Grillo.
Kësaj i shtohet edhe një volum deri në 80 miliardë euro nga mundësitë e reja në sektorin e eksportit, për shkak se përmes shpikjeve dhe zhvillimit të teknologjive të reja kompanitë gjermane kanë një avantazh teknologjik në këtë sektor.
Ulrich Grillo
Në të njëjtën kohë Grillo bëri thirrje për ndryshime në Ligjin për Energjitë e Rinovueshme. Përveç të ashtuquajturës frenë për çmimin aktual të energjisë për konsumatorët tashmë është e nevojshme një frenë në anën e kostove.
Problem përbën sipas Federatës së Industrisë Gjermane manipulimi i motivuar politikisht i kursit të këmbimit monetar. Kryetari i Federatës së Industrisë Gjermane, Ulrich Grillo, tha për gazetën “Rheinische Post” se “vendimtare është që monedha të vlerësohet pa ndërhyrjen e politikës në treg.”
Sa i përket diskutimit për përcaktimin e një kuote për numrin e grave në poste drejtuese kompanish dhe bordeve të mbikqyrjes, Grillo tha në radion gjermane Deutschlandfunk se Federata e Industrisë Gjermane BDI preferon në këtë çështje një rregullim vullnetar.

Dojce Vele, 18.02.2013