Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dhjetëra punëtorë të KEK-ut dhuruan gjak

Dhjetëra punëtorë të KEK-ut kanë dhuruar gjak të martën, me 15.01.2013. Dhurimi i gjakut është organizuar në objektin e Elektrokosovës në bashkëpunim të korporatës me Qendrën Kombëtare për Transfuzion të Gjakut. Ky aksion human është organizuar për herë të tretë me radhë dhe mesi i muajit janar është tashmë kohë tradicionale kur administrata qendrore e KEK-ut dhuron gjak.  Zyrtarët nga Qendra e Transfuzionit janë ndarë mjaft të kënaqur nga aksioni. “ KEK viteve të fundit ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ne dhe e ka kuptuar qartë dhe me seriozitetin më të lartë misionin e qendrës sonë që siguron shpëtim të jetëve. Falënderoj të gjithë dhuruesit për gatishmërinë e tyre”, tha Dr. Sabrije Prekaj nga Qendra e Transfuzionit. Ajo është shprehur mjaft e kënaqur ngase janë dhuruar doza me të gjitha llojet e gjakut. Sipas qendrës, dhurimi i gjakut vetëm nga administrata kalon dukshëm numrin e shumë institucioneve të marra së bashku. “Jemi super të kënaqur”, u shpreh Dr. Prenkaj.
Punëtorët e korporatës me t’u informuar për aksionin nuk kanë hezituar t’i drejtohen dhomës së improvizuar për dhurim të gjakut. Ata janë shprehur se ndiejnë përgjegjësinë shoqërore dhe ndihen të lumtur sidomos kur kihet parasysh fakti se nga ky gjest i tyre mund të shpëtohen jetë.
Aksione të dhurimit të gjakut nga punëtorët e KEK-ut në bashkëpunim me Qendrën e Transfuzionit do të organizohen edhe në të ardhmen.

energjia.al, 16.01.2013