Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Korporata: Kemi siguruar drita nga importi deri në dhjetor. Pas janarit, terr!

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është duke mbajtur vendin me drita, përmes importeve të shumta dhe prodhimit, por kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. KESH thotë se ka blerë energji elektrike për të garantuar drita deri në ditën e fundit të dhjetorit, ndërsa në janar e tutje, furnizimi me drita mbetet i paqartë. “Ligjërisht nuk mund të importojmë më energji nga jashtë, por edhe nëse mundemi, nuk ka fonde. Jemi duke operuar me kredinë e lëshuar si garanci nga qeveria, me vlerë 50 milionë euro, e cila na jep të drejtë të blejmë energji deri në dhjetor, më pas, kjo detyrë ligjore i takon CEZ-it”, thotë zyrtarisht korporata. Me dimrin, që tashmë ka hyrë, vendi mund të përballet me kufizime më të theksuara të energjisë elektrike. Vetëm në tri javët e fundit, CEZ dhe OST kanë njoftuar stakime të shumta. Kompania e Shpërndarjes së Energjisë pranon se linjat nuk mbajnë gjatë për transmetimin e energjisë, në momentin kur konsumi arrin pikën e lartë. E thënë ndryshe, linjat dhe nënstacionet janë të amortizuara dhe një djegie e tyre, do ishte e mundshme për t’u përballuar pasi janë asete tashmë të vjetruara, kurse CEZ thotë se nuk është në gjendje ekonomike për t’i ndërruar në kohë.
Shoqëria çeke, nga ana e saj, thotë se nuk është në gjendje financiare të blejë energji elektrike për të mbuluar nevojat e vendit. Në letrën e fundit, dërguar ERE-s (Entit Rregullator) CEZ thotë hapur se nuk ka mundësi të importojë dhe se ia kërkon si favor KESH-it, entit shtetëror, që ka për detyrë vetëm prodhimin, kurse importin, në ato sasi të mundshme për mbulimin e diferencës nga mosplotësimi i rezervës vendase.
Shirat e ditëve të fundit kanë përmirësuar disi gjendjen në kaskadën e lumit Drin. Fierza, liqeni nga ku varen fatet e sistemit energjetik në vend, po mbushet gradualisht, duke iu afruar pikës 270 metra mbi nivelin e detit, nga 260 metra që ishte dy javë më parë si mungesë e prurjeve dhe prodhimit tej normave. Prurjet janë rreth 400 metra kub në sekondë, gati 10 herë më shumë se në kohën e thatësirës, ndërsa prodhimi ditor është në nivele të larta, afro 17 milionë kilovat/orë.
Drejtuesit e KESH shprehen të shqetësuar se gjendja me prodhimin mund të ndryshojë dhe se nuk garantohet qëndrueshmëri konstante. “Situata financiare nuk duket e mirë, për shkak të faturave të papaguara nga CEZ, që shkojnë në rreth 30 miliardë lekë”, thotë KESH. Deri tani, korporata ka punuar me mbështetjen e qeverisë, e cila ka afat ligjor deri në dhjetor. Importi mbetet i lartë, në nivele 4.5 milionë kilovat, plus 2 milionë kilovat në ditë që blejnë kompanitë e mëdha të industrisë.
KESH importoi rreth 200 milionë euro energji elektrike në vitin 2011, nivel rekord, tejet i lartë, ndërsa për këtë vit nuk janë bërë publike shifrat. Drejtues të KESH-it thonë se pavarësisht krizës, çmimet në tregun rajonal të energjisë kanë variuar në 55 euro për megavat.

Gazeta Shqip, 06.12.2012