Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Grekët shpallin kompaninë fituese që do të nxjerrë naftën në Jon

Në kohën kur tema e ndarjes së kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë është në pikën e saj më të nxehtë, pala greke u ka hapur rrugën kërkimeve të naftës dhe gazit natyror në Detin Jon dhe në Kretë.
Pak ditë më parë, Ministria e Energjetikës e Greqisë, ka shpallur kompaninë fituese që do të kryejë kërkimet. Në garë ishin të pranishme 8 kompani ndërkombëtare dhe fituese u shpall kompania norvegjeze “Petroleum GeoServices”. Sipas të dhënave të bëra publike kohë më parë, kompania fituese do të nisi punën për kërkimin e naftës dhe të gazit në dy zonat e caktuara. Gazeta e përjavshme greke “Protothema”, citon një prej anëtarëve të komisionit përzgjedhës, i cili shprehet se procedurat e ndjekura për vlerësimin e kompanive ishin transparente dhe të pastra.
Gjithashtu, ai ka shtuar se në vitin 2014-të do të ketë një tjetër tender për eksplorimet në kërkim të hidrokarbureve. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjetikës në Greqi, Kostandini Mathioudakis është shprehur entuziast për interesin e shfaqur për të marrë pjesë në tender. Ai vuri në dukje, se për herë të parë, në gazetën zyrtare të Greqisë është përfshirë një hartë me kufijtë e zonave ekskluzive ekonomike, me Shqipërinë, Italinë dhe Libinë, në përputhje me pozicionet greke dhe standardet e Ligjit të Detit.
Sipas hartës së publikuar nga vetë qeveria greke, një prej zonave ku do të kryhen kërkimet për naftë dhe gaz është dhe ajo në veri të ishullit të Korfuzit, e cila është dhe “pika e nxehtë” e debatit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Zona në fjalë, në vitin 2009 iu dha Greqisë, pas marrëveshjes mes dy shteteve, por marrëveshja hasi në kundërshtimin e ashpër të një pjese të madhe të opinionit publik dhe jo vetëm. Disa muaj më pas, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen në fjalë, si antikushtetuese. Pas një periudhe heshtjeje, debati për kufijtë detarë mes dy shteteve është rindezur sërish kohët e fundit, në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Greqi.

www.balkanweb.com, 08.09.2012