Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ashpërsohet “beteja” me KESH-in, çekët: Korporata s’pranon faturat

CEZ-i dhe KESH-i vijojnë të mbeten peng i faturave të palikuiduara ndaj njëra-tjetrës, për pasojë, dy kompanitë energjetike ndodhen në vështirësi financiare, aq sa nuk janë në gjendje të investojnë. Shkaku i situatës së krijuar janë detyrimet e shtetit ndaj CEZ-it, ku shumë institucione nuk paguajnë energjinë elektrike të konsumuar, për rrjedhojë çekët i bëjnë presion KESH-it duke mos i likuiduar faturat për furnizimin. Korporata ankohet se CEZ nuk po respekton VKM-në 154, për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjellta, sipas marrëveshjes së firmosur nga 5 institucione, dy prej tyre ministritë e Financave dhe Ekonomisë. Për situatën e krijuar, CEZ-i sqaron përmes portalit “energjia.al”, mosmarrëveshjet e krijuara, duke bërë më faj vetë korporatën. Çekët thonë se, ishin kryer disa pagesa në favor të KESH-it, për detyrimet e vitit 2011 në shumën 676,200,000 lekë. CEZ Shpërndarje deklaron se KESH-i nuk pranoi asnjëherë të bënte riklasifikimin e pagesave, veprim ky në respekt të marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella të krijuara deri më 31 dhjetor 2011. Kompania e Shpërndarjes thotë se në janar dhe shkurt janë paguar afro 3.2 miliardë lekë, duke përfshirë edhe riklasifikimin për 676 milionë lekë. Pavarësisht shlyerjes së këtyre detyrimeve, sipas CEZ-it, KESH-i ka konfiskuar shumën prej 120,324,675 lekë nga shifra e pretenduar më sipër (676 milionë lekë) dhe gjithashtu ka bllokuar shumën prej 265 milionë lekësh në llogaritë që ka shoqëria CEZ Shpërndarje pranë bankave të nivelit të dytë. “KESH-i nuk ka lëshuar asnjë faturë pas asaj të datës 23 shkurt dhe si rrjedhojë nuk mund të pretendohet për mospagesë nga ana e CEZ Shpërndarje”, thotë kompania çeke.

Borxhet e CEZ arrijnë 500 milionë USD
Kompania kontrakton 7 firma për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura.
Prej më shumë se një viti, kompania CEZ ankohet se i kanë shumë borxhe dhe për rrjedhojë nuk është në gjendje të investojë. Për të përmirësuar bilancin, kompania i ka kërkuar disa herë ERE-s të rrisë çmimin e energjisë elektrike, si e vetmja mundësi për të stabilizuar gjendjen dhe përmirësuar shërbimet, por në dy rastet e fundit nuk është pranuar nga Enti Rregullator. Tjetër kërkesë e CEZ-it lidhet me borxhin e keq, të humbur dhe të pambledhur, dhe që ERE t’ia njohë në bilancin e humbjeve, që sipas studimeve nga ekspertë të huaj rezulton të paktën 17 për qind, por edhe këtu Enti ka kundërshtuar, duke pretenduar një nivel jo më shumë se 14 për qind. T’i njohësh borxhin e keq CEZ-it, aq sa e pretendon do të thotë automatikisht rritje çmimi dhe këtë efekt ERE e di shumë mirë, prandaj manovron për të gjetur të tjera mekanizma.
Po sa është borxhi i shumëpërfolur i CEZ-it dhe madje i konsideruar sekret?
Gazeta “Shqip” ka siguruar një pjesë të bilancit të kompanisë, me treguesit e raportuar nga vetë ajo, duke nisur nga viti 2007, deri në mars 2012. Shifra është vërtet alarmante, afro 56 miliardë lekë, apo gjysmë miliardi dollarë, ku 40 miliardë lekë janë detyrime të papaguara nga konsumatori familjar. Shifra e raportuar nga shoqëria shikohet me skepticizëm nga ERE, e cila ka kërkuar verifikim të të dhënave dhe sqarim se si kompania e njohur energjetike arriti në këtë pikë kritike.
Në grafik duket qartë se rritja ka ecur me hapa galopantë, ku për katër vite shikohet një kapërcim me 10-fish. Në momentin që bleu Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, ish-degë e KESH-it, në maj të 2009-s, borxhet ishin në nivelin e 19.7 miliardë lekëve, ndërsa në mars 2012, regjistrohet një rritje me mbi 300 për qind.
Deri sa të zgjidhë mosmarrëveshjet me ERE-n, CEZ ka nisur sakaq planin operacional të mbledhjes së borxheve, duke kontraktuar 7 kompani private. Kundrejt një komisioni të posaçëm, përqindje mbi shumën e vjelë, kompanitë kanë hyrë në garë të fortë me njëra-tjetrën se kush kontrollon më tepër zona, për llogari të CEZ-it dhe interes personal.

Gazeta Shqip, 03.06.2012