Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kufiri detar, Beja: Me Greqinë, pakti i ri për zonën ekonomike dhe ujërat nëntokësorë

“Kufiri ekziston në bazë të akteve ndërkombëtare të njohura, nuk shtrohet fare çështja e njohjes”.
Kufiri ekziston në bazë të akteve ndërkombëtare të njohura, e legjislacionit të secilit vend dhe nuk shtrohet fare çështja e njohjes, mosnjohjes së kufirit për të cilin ka pasur për fat të keq edhe abuzime.
Pakti për kufirin detar me Greqinë nevojitet për të sanksionuar çështjen e shfrytëzimit të zonës ekonomike dhe nënujore. Kryetari i komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, Fatos Beja, se pavarësisht ligjit të kufijve të miratuar të enjten e shkuar në Kuvend, me Greqinë do të ketë një marrëveshje të re për kufirin detar. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, në një intervistë për ‘AS’ shprehet se marrëveshja me shtetin fqinj thjesht do të përcaktojë detaje si për shembull shfrytëzimi i nëntokës, por prej pothuajse një shekulli kufiri qoftë ujor e tokësor, është i qartë për të dyja vendet. “Asnjëherë nuk vihen në dyshim këta kufij. Është një çështje për t’u shtjelluar në të ardhmen, por nuk lidhet me kuptimin e njohjes së kufirit për të cilin flitet sot, sepse të dy shtetet kanë nënshkruar Kartën e Helsinkit, që përcakton qartë që shtetet nënshkruese njohin kufijtë ekzistues në Europë. Kufiri ekziston në bazë të akteve ndërkombëtare të njohura, e legjislacionit të secilit vend dhe nuk shtrohet fare çështja e njohjes, mosnjohjes së kufirit për të cilin ka pasur për fat të keq edhe abuzime”, tha Beja. Kryekomisioneri e cilëson si të nevojshëm miratimin e një marrëveshjeje të tillë, pasi do të përcaktohen në mënyrë bilaterale mes Greqisë dhe Shqipërisë për vijën bazë, ujërat e brendshme, si dhe zona e brendshme. “Çfarë janë ujërat e brendshme? Çfarë është vija bazë? Çfarë është deti territorial? Çfarë është zona fqinje e kështu me radhë dhe që lidhet me të drejtën e shfrytëzimit të detit, të shfrytëzimit të nëntokës së detit, e shfrytëzimit të ujërave territoriale. Të gjitha këto është mirë të rregullohen në një akt bilaterial, përtej akteve ndërkombëtare. Një akt, bilateral shmang interpretimet e ndryshme në momente të caktuara”, theksoi Beja.  Kryekomisioneri ishte një ndër deputetët që bëri rregullimin ligjor të nismës së opozitës, e cila solli në fuqi ligjin e kufirit të vitit 2001. Ai ishte shfuqizuar nga mazhoranca aktuale në vitin 2008, disa muaj përpara nisjes së negociatave zyrtare me palën greke për paktin detar. Në 2009-n, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje detare, ku përcaktonin kufijtë detarë mes 2 vendeve. Marrëveshja u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pak muaj më pas. Javën e kaluar, Kuvendi miratoi një ligj të ri për kufirin i cili rikthen koordinatat kufitare ujore të ligjit të 2001-it e që u shfuqizuan më pas në 2008-n, pak para nënshkrimit të paktit me grekët. Rikthimi në fuqi i këtyre koordinatave, sipas ekspertëve do shërbejë për hartimin në marrëveshje kufitare më favorizuese për Shqipërinë.

Gazeta Shqip, 28.05.2012