Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Këshilli Konsultativ i Biznesit diskutoi dje dispozitat zbatuese të ligjit “Për Akcizat”

Nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, u zhvillua dje mbledhja e Këshillit Konsultativ të Biznesit, ku u diskutuan dy projektvendime. Projektvendimi i parë ishte “Për dispozitat zbatuese të ligjit Për akcizat” dhe projektvendimi i dytë ishte ai propozimi i Projektligjit “Përsa disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.
Në fjalën e tij, Ministri Naço, si kryetar i Këshillit Konsultativ të Biznesit, theksoi se tashmë është bërë traditë që çdo projektligj që prek interesat e biznesit diskutohet me përfaqësuesit e tij në Këshill para miratimit në Parlament. Është një detyrim ligjor dhe moral, tha Ministri Naço, që bashkërisht të diskutojmë këto projektligje.
Një prezantim më të detajuar të dy drafteve bëri zv.ministri i Financave, z. Alfred Rrushaj, i cili theksoi se, arsyeja që është sjellë për diskutim në Këshillin Konsultativ të Biznesit projektvendimi “Për dispozitat zbatuese të Ligjit Për Akcizat”, është për të garantuar edhe një herë biznesin se nuk do të ketë asnjë shmangie nga parimet e ligjit “Për akcizat”, i cili ende nuk ka marrë miratimin e Parlamentit. “Ne jemi në kohë për të futur çdo koment, vërejtje, propozim, shtesë që mund të keni në lidhje me këtë projektvendim dhe do të mirëpresim çdo propozim të tillë”, tha zv.ministri i Financave.
Projektvendimi është në frymën e ligjit “Për Akcizat” përsa i përket thjeshtësimit, lehtësimit, modernizimit dhe në tërësi të filozofisë europiane për vendosjen, monitorimin dhe mbikqyrjen e taksës së akcizës. Nga ana tjetër, jep bazat e qarta në lidhje me mënyrën transparente të administrimit të akcizës nga ana e administratës doganore. Në projektvendim është përcaktuar qartë kur bëhet pagesa e akcizës, që lidhet me hedhjen në konsum të këtyre mallrave. Një risi tjetër është harmonizimi i kodeve tarifore të mallrave të akcizës me të njëjtët mallra të akcizës të BE. Ndërkohë, llogaritja e akcizës për alkolin nuk është shtesë në ligjin “Për Akcizat”, por mënyra e llogaritjes së akcizës për pijet alkolike bëhet duke pasur parasysh përqindjen e alkolit në këto lloj pijesh. Një parim shumë i rëndësishëm që dispozitat kanë parashtruar është dhe parimi i vetëdeklarimit të bizneseve, si përsa i përket kartës së tyre të teknologjive, ashtu dhe përsa i përket në përgjithësi deklarimit të mallrave të akcizës. Projekti mban në konsideratë mirëmenaxhimin e akcizës nga ana e administratës. Një element shumë i rëndësishëm që rrit transparencën, thjeshton procedurat, garanton barazinë e trajtimit të tatim paguesve është menaxhimi i kësaj takse nëpërmjet platformës online, e cila do tu ofrohet nga ana e Doganës të gjithë tatim paguesve që kanë autorizim akcize.
Përsa i përket projektligjit për ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, u theksua se ndryshimi kryesor është pagesa e kësteve të tatimit fitimit nga bizneset një herë në tre muaj dhe një herë kur mbyllet bilanci, dhe jo çdo muaj si është aktualisht. Mbledhja e Këshillit Konsultativ të Biznesit vijoi me diskutimet dhe sugjerimet e anëtarëve të pranishëm, të cilët mirëpritën propozimet mbi dy draftet e propozuara.

energjia.al, 17.05.2012