Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjermanët ftojnë firma italiane për gazsjellësin TransAdriatik

Shtohen shanset për ndërtimin e gazsjëllësit TransAdriatic, që do të fuste Shqipërinë për herë të parë në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë gjermane E.ON Ruhrgas deklaroi se ai do ta mirëpriste një partner italian në konsorciumin që ka marrë përsipër të ndërtojë linjën e transportimit të gazit natyror TransAdriatic Pipeline (TAP), ndërkohë që ka theksuar kërkesën për çmime tërheqëse për blerësit e gazit që vjen nga Azerbajxhani në drejtim të Evropës. Evropa duket se është tashmë më e gatshme se më parë që t’i jape OK hyrjes së gazit azerbajxhanas, me qëllim uljen e vartësisë energjetike të vendeve të saj nga Rusia. TAP synon të sjellë në Evropë 16 miliardë metra kub gaz në vit nga fusha e Shah Denizit, nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, duke kaluar nën detin Adriatik. E gjitha linja i kalon 520 kilometrat gjatësi.
“Mirëpresim me kënaqësi një partner nga Italia, ose këdo që vjen nga vendet ku do të kalojë gazsjellësi”, tha, në një intervistë për agjencinë REUTERS, Klaus Schaefer në një konferencë në Londër.
TAP është një kompani me pronarë Statoil nga Norvegjia, EGL nga Zvicra dhe gjermanët e E.ON Ruhrgas, por është kritikuar se nuk ka arritur të sigurojë bashkëpunim me kompani nga vendet ku mendohet të kalojë tubacioni, që do të sillte edhe mbështetje politike në këto vende. Por gjatë këtij muaji kompania italiane ENEL deklaroi për herë të parë se ishte e interesuar të bashkohej me përpjekjet për të ndërtuar linjën, pasi Italia kishte mbështetur më parë një gazsjellës rival, ITGI, që ka për partnerë kompaninë angleze Edison, atë shtetërore greke DEPA dhe Botas të Turqisë. Ky projekt nuk preferohet më nga shfrytëzuesit e fushës së Shah Denizit në Azerbajxhan. Ndërkohë, linja tjetër rivale Nabucco është kritikuar për kosto shumë të lartë, prej mbi 12 miliardë dollarësh.

Gazeta Shqiptarja.com, 16.05.2012