Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhen 2 ligjet e plota per privatizimin e Albpetrolit!!!

LIGJ Nr. 31/2012 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7746, DATË 28.7.1993 “PËR HIDROKARBURET (KËRKIMI DHE PRODHIMI)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 “Përkufizime” bëhet ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Përkufizimi për termin “Albetrol” ndryshohet si më poshtë:
““Albpetrol” është një shoqëri tregtare, që zotëron të drejta kërkimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e gazit në Shqipëri.”.
2. Në përkufizimin “Marrëveshje me ndarje prodhimi” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Marrëveshja “Albpetrol”” do të thotë marrëveshja e lidhur më 26 korrik 1993 ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Albpetrol”, me të gjitha ndryshimet e saj, dhe që do të vazhdojë të mbajë karakteristikat e një marrëveshjeje hidrokarbure të llojit të veçantë. Si rrjedhojë, ndarja e prodhimit, e parashikuar në marrëveshjet hidrokarbure, të lidhura ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe shoqërive të treta të kërkimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit, do të vazhdojë të kryhet ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe shoqërisë përkatëse, në respektim të parashikimeve të këtyre marrëveshjeve.”.
3. Pas përkufizimit “Zhvillim” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
““E drejta e ofertës së parë” do të thotë e drejta e shoqërisë “Albpetrol” për të vazhduar operacionet hidrokarbure në zonat ku veprojnë shoqëritë e treta, me të cilat shoqëria “Albpetrol” ka lidhur marrëveshje hidrokarbure, nëse në këto zona marrëveshjet përfundojnë përpara afatit të parashikuar në këto të fundit. Termat dhe kushtet e këtyre marrëveshjeve hidrokarbure do të mbeten të pandryshuara.”.
Neni 2
Në nenin 12 “Klauzola tranzitore dhe përjashtime”, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Marrëveshja “Albpetrol”, e lidhur më 26 korrik 1993, me të gjitha ndryshimet e bëra deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të qëndrojë në fuqi edhe pas përfundimit të procesit të privatizimit.
Marrëveshja “Albpetrol” është një marrëveshje hidrokarbure e veçantë, ku të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në këtë marrëveshje do të vazhdojnë të zbatohen mbi zonat e parashikuara në listat A, B dhe C dhe do të jenë si më poshtë:
a) Për zonat ku shoqëria “Albpetrol” kryen operacione e vetme, për të cilat nuk janë lidhur marrëveshje hidrokarbure me shoqëri të treta, shoqëria “Albpetrol” ka të drejtën të kryejë operacione hidrokarbure kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e të gazit për një afat 25-vjeçar, i cili do të fillojë pas datës efektive të kontratës së blerjes së aksioneve të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., nëpërmjet një marrëveshjeje të veçantë hidrokarbure. Termat dhe kushtet e kësaj marrëveshjeje hidrokarbure përcaktohen si shtojcë në marrëveshjen “Albpetrol”. Për sa i përket zonave të parashikuara në listën C, afatet e operacioneve hidrokarbure për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin rregullohen në marrëveshjet hidrokarbure.
b) Për zonat, për të cilat shoqëria “Albpetrol” është autorizuar nëpërmjet licencë – marrëveshjeve të veçanta për të hyrë në marrëveshje hidrokarbure me shoqëri të treta, të drejtat, detyrimet dhe afatet e këtyre marrëveshjeve, të nënshkruara ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe këtyre
shoqërive, do të mbeten të pandryshuara dhe shoqëria “Albpetrol” do të vazhdojë kryerjen e operacioneve hidrokarbure në këto zona, në përputhje me kushtet dhe termat e këtyre marrëveshjeve.
c) Shoqëria “Albpetrol” gëzon të drejtën e “ofertës së parë”, për zonat për të cilat ka hyrë në marrëveshje hidrokarbure me shoqëri të treta. Në këtë rast, shoqëria “Albpetrol” do të vazhdojë kryerjen e operacioneve hidrokarbure në këto zona, në përputhje me këto marrëveshje hidrokarbure, deri në përfundimin e afatit të parashikuar në këto të fundit, sipas kontratës së lidhur ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe ministrit përgjegjës për hidrokarburet.”.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.3.2012
Shpallur me dekretin nr. 7376, datë 9.4.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bamir Topi

LIGJ Nr. 32/2012 PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 7811, DATË 12.4.1994 “PËR MIRATIMIN ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR. 782, DATË 22.2.1994 “PËR SISTEMIN FISKAL NË SEKTORIN E HIDROKARBUREVE (KËRKIM – PRODHIM)””
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 7811, datë 12.4.1994 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994 “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim – prodhim)””, bëhet ky ndryshim:
Neni 1
Pika 2 e nenit 1 të dekretit, së bashku me ndryshimet, shfuqizohet.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.3.2012
Shpallur me dekretin nr. 7377, datë 9.4.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bamir Topi

energjia.al, 18.04.2012