Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bello: Shitja e Albpetrolit, antiligjore. Shtetëzimi i naftës si zgjidhje. “Albpetrol”, në privatizim asetet, jo nafta e nëntokës!

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello, një njohës i mirë i privatizimeve strategjtike në Shqipëri shprehet se privatizimi i Albpetrolit është i pajustifikuar ekonomikisht, por dhe ligjërisht.
“Ligjërisht hidhet një hap i gabuar sepse fushat e dhëna në marrëveshjet koncensionare të Albpetrolit, quhen të privatizuara, pra quhen të privatizuara si asete, që janë dhënë në përdorim edhe fushat, por nuk janë shitur fushat, siç shiten në këtë rast. E parë në tërësi është e pajustifikuar dhe nuk ka asnjë lloj arsye që të bëhet ky privatizim, përveçse le të mendojmë që në këtë privatizim ka disa lloj prapaskenash që shqiptarët do t’i shohin gradualisht në procesin e privatizimit, kjo sepse të gjithë e morën vesh që është i vetmi rast ku do të shiten 100 për qind të aksionit, pra nuk janë shitur në asnjë rast tjetër në sektorin strategjik”, tha Bello.
Por pak dite e pare, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço deklaroi se shitja e Albetrolit, po behet edhe pasi shteti nuk mund të kontrollojë marrëveshjet ekzistuese koncesionare, të dhënat për vendburimet e naftës.
Pajtim Bello thote se pas kësaj deklarate, ministrit dhe qeverise nuk i mbetet veçse të japë doreheqjen, duke shpjeguar edhe arsyet.
“Të deklarosh një gjë të tillë, duhet të pranosh se ke humbur kontrollin në fushën që drejton, pra vetë ministri e ka humbur, por e ka humbur edhe qeveria. Kontrolli humbet në dy raste, ose kur ministri është i paaftë, ose kur trysnia politike dhe interesat që rrinë pas politikës janë shumë të forta, ose të kompletuara,të koordinuara të dy bashkë këta faktorë, dhe mesa duket në këtë rast janë të dyja edhe paaftësia edhe trysnia politike”, tha Bello.
Sipas zotit Bello, shitja e Albpetrolit, pa specifikuar vendburimet, eshte nje rast i paprecedentë, qe lidhet sipas tij me prapaskena politike apo përfitime të dyshimta.
“Siç u pa në Parlament ishte edhe kulmi i asaj që u quajt skandal, fakti që po votohej një aneks, në një letër të bardhë, pra një aneks i pashkruar, por vetëm që shkruhej në ligj, aneksi C. Këtu kulmon një degjenerim politik institucional i maxhorancës dhe i vetë Parlamentit, sepse është si t’i japësh një çek të bardhë, dikujt që ta përdorë, pra ai aneksi C është një çek i bardhë për ministrin, për Qeverinë apo për dikë që pret të marrë 100 për qind aksionet e Albpetrolit”, tha Bello.
Javen e kaluar maxhoranca e djathte ne Parlament votoi pro privatizmit te 100 për qind te aksioneve te  Albpetrolit. Sipas ligjit, me blerjen e Albpetrolit, kompania private fiton pronesinë totale jo vetem te pasurive fizike, por edhe mbi drejtat e posaçme, përfitimet e veçanta që merr shteti nga kompanitë e huaja, që kanë marrëveshje koncesioni ekzistuese.

TOP Channel, 28.03.2012

Shtetëzimi i naftës si zgjidhje
Kontratat në vendburimet ekzistuese të naftës në Shqipëri po e shkatërrojnë çdo ditë këtë pasuri gjigante natyrore e cila është e pa rikuperueshme. VB nafte si Patos-Marinza me mbi 200 milionë ton rezerva gjeologjike në shtresë janë të pa hasura tjejtërkund në Ballkan dhe të rralla në botë. Ato ndiqen nga Cakran-Mollaj, Gorisht-Koculi, Ballshi, Visoka dhe Delvina.
Ato janë puna dhe gjaku i naftëtarëve në vite dhe paraja e popullit që po e vjedhin çdo ditë kompanitë e huaja dhe hajdutët e politikës tonë. Kontratat e lidhura janë abuzive dhe si të tilla ato duhet të ndalohen urgjentisht dhe kjo pasuri ti nënshtrohet menjëherë organizimit shtetëror siç ka qenë dhe siç e kanë shumica e vendeve të botës, ku industria e naftës është shtetërore.
Në vitin 1994, Sali Berisha mësoi se kishte naftë në Shqipëri dhe e hapi thesin për të përfituar ç’të mundte së bashku me qeverinë Meksi duke krijuar dhe një agjenci fantazmë hidrokarburesh me në krye Fatbardh Ademin. Më vonë këtë thes e mbajti hapur Fatos Nano me Ylli Bufin dhe dhe të tjerë.

Gazeta Shekulli, 28.03.2012

“Albpetrol”, në privatizim asetet, jo nafta e nëntokës
Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, që përfshin mes të tjerave dhe raportet e shtetit me kompaninë që do të privatizojë “Albpetrol”-in, vijueshmërinë e marrëveshjeve hidrokarbure deri në 25 vjet për shfrytëzimin e burimeve të naftës, gazit shqiptar, etj. Ndryshimet parashikojnë që me privatizimin, “Albpetrol” i hiqet trajtimi preferencial fiskal dhe rregullohen marrëdhëniet hidrokarbure që ajo ka me palët e treta pas privatizimit, kur të operojë si kompani private. Zëvendësministri Bozdo shprehet se, “me privatizimin, një kompani, që sot është shtetërore, nesër, do të operojë si gjithë kompanitë e tjera private në këtë sektor”. Ndryshimet rregullojnë statusin e “Albpetrol” pas privatizimit dhe mbrojnë shoqëritë e treta që kanë kontrata bashkëpunimi me të. “Në bazë të ndryshimeve, në p/ligj parashikohet që kompania që do të privatizojë ‘Albpetrol’ do të kryejë operacione hidrokarbure kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e gazit për 25 vjet”, tha Bozdo. Ai është shprehur se, privatizimi i kompanisë do të jetë i plotë. “Do të transferohen të drejtat e posaçme që ka si kompani publike me të gjitha të drejtat tek privati për pjesët kur ka pasur marrëveshje me të tjerë” dhe se, “nuk do të preken kontratat aktuale”. Bozdo sqaron se, shteti do të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga renta minerare, taksa të ndryshme, etj. Bozdo siguron se, “rezervat e naftës ngelen pasuri të këtij vendi, puset dhe nafta nuk privatizohen”. Sipas studimeve gjeologjike, Shqipëria ka rezerva mbajtëse të naftës në nëntokë në 480 milionë ton, që kërkojnë investime për t’u bërë të shfrytëzueshme. Deri sot, vendi ka 30 milionë ton rezerva të nxjerrshme nafte, pasi nga 80 milionë ton naftë të nxjerrshme, janë harxhuar deri tani 50 milionë ton. Ministria e Ekonomisë bashkë me konsulenten “Patton Boggs” pas miratimit të p/ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993 ‘Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)'”, pritet të vijojë me organizimin e procedurave të privatizimit të “Albpetrol”-it, si shpalljen e ftesës për ofertë ndërkombëtare, garën, vlerësimin e ofertave, etj.
Privatizimi i aseteve të “Albpetrol”, me ligj të veçantë
Ligji i veçantë për privatizimin e “Albpetrol” u miratua në Kuvend në 15 dhjetor 2011 dhe ndryshe nga privatizimet e tjera në sektorët strategjikë, parashikon shitjen 100% të aksioneve të aseteve, garë të hapur botërore vetëm me investitorë strategjikë, që operojnë si kompani në sektorin hidrokarbur. Privatizimi i kompanisë publike të naftës “Alpetrol” u tentua edhe para vitit 2005, por rezultoi pa sukses. Procesi për privatizimin e “Albpetrol”-it është konsultuar nga kompania amerikane “Pattom Bogs”, e cila drejtoi dhe procesin e privatizimit të kompanisë publike të përpunimit “Armo” në vitin 2008.
“Albpetrol” zotëron asete shtetërore që lidhen me aktivitetin dhe licencë pa afat për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës. Përveç aseteve me vlerë rreth 420 milionë USD, ka në pronësi fondin me 1.264 puse aktive, që prodhojnë rreth 135 mijë ton naftë/vit. Në vitet 2004-2011 tek kompania “Albpetrol” u investuan rreth 482 milionë USD. Në kompaninë “Albpetrol” ku punojnë 4050 punonjës.
Privatizimi 100% i aksioneve të “Albpetrol” synon të sigurojë investime private në zhvillimin e sektorit, përmirësim të teknologjisë, sistem menaxhimi me standarde mjedisore, liberalizim të tregut të hidrokarbureve.
“Albpetrol” zotëron ndarje prodhimi me marrëveshje hidrokarbure me 7 kompani të huaja
Sot, “Albpetrol” nuk është operatorja e vetme në nxjerrjen e naftës, pasi ka lidhur 7 marrëveshje hidrokarbure (MH) për nxjerrje nafte me kompani të huaja me ndarje prodhimi, ndër to, kanadezet “Bankers Petroleum” që punon në zonën më të pasur naftëmbajtëse të Patoz-Marinzës, me “Stream Oil”, etj. Sivjet në shkurt, AKBN njoftoi marrëveshjen e re hidrokarbure me “Transoil Group”, kompani zvicerano-ruse, që do të investojë këtë vit 20 milionë USD në vendburimin naftëmbajtës të Visokës, vendburim 13 km larg Fierit dhe mes operacioneve në vlerësim dhe prodhim nafte sipas MH-së me “Albpetrol” do të nxjerrë rreth 955 mijë fuçi naftë.
“Transoil group” ka në plan që në tre vitet e ardhshme të investojë 80 milionë USD dhe është pasuese e “IEC Visoka”. Me këto kompani, “Albpetrol”, duke u kaluar një pjesë të puseve të saj me koncesion, prej vitesh siguron prej tyre përqindje në ndarjet e prodhimit të naftës. Pikërisht, raportet e blerësit të “Albpetrol”-it pas privatizimit me kompanitë e huaja që zotërojnë marrëveshje hidrokarbure deri në 25 vjet, rregullohen me p/ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993 ‘Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)'”. Zëvendësministri i METE-s, Enno Bozdo vlerëson se, reforma rregullatore për koncesionet po ndikon direkt në zhvillimin, tërheqjen e investimeve të huaja dhe në punësim në sektorin e naftës. “Nga 2 marrëveshje hidrokarbure në vitin 2005, përmirësimi i klimës së biznesit ka bërë që sot të numërohen 14 të tilla, prej të cilave, 7 në kërkim dhe 7 në prodhim”, është shprehur Bozdo.
Biznesi privat, a është gati të investojë për përpunimin e naftës?
Pavarësisht privatizimeve të pronës publike, për konsumatorin shqiptar problemi kryesor që krijohet nga tregu i naftës mbetet raporti mes prodhimit dhe përpunimit në vend të naftës shqiptare. Sot, tregu i karburanteve mbështetet në shumicë tek importi i tyre, ndërsa nafta e nxjerrë nga kompani të huaja sipas marrëveshjeve hidrokarbure, eksportohet krejtësisht jashtë vendit. Drejtori ekzekutiv i “Biznes Albania”, Bardhi Sejdarasi, konsideron se rritja e përpunimit të naftës në vend në raport me importin mbetet element me ndikim për një çmim të pranueshëm të karburanteve në ekonomi. Por, ai shton se, “në kushtet konkrete nuk ka shumë shanse, jo vetëm për shkak të kapaciteteve përpunuese të kufizuara, por sepse një pjesë e kompanive të huaja që veprojnë në fushën e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të burimeve të naftës e eksportojnë si lëndë e parë jashtë vendit”. Për të zbutur efektet në ekonomi nga rritjet e vijueshme të çmimit të karburanteve, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, anëtare e “Biznes Albania” e sheh pozitiv futjen e biznesit privat në ndërtimin e impianteve përpunuese të naftës. “Gjithnjë ka mundësi për rritjen e investimeve në këtë fushë, diversifikimin e portofoleve dhe eliminimin e monopolit që ekziston në përpunimin e naftës nga një kompani e vetme”, shprehet Sejdarasi. Edhe ing. Hajredin Fratari, president i Konfindustria Shqiptare parashikon efekte negative për ekonominë nga rritja e çmimit të karburanteve në tregun shqiptar, ku sektorët që preken më shumë janë transporti, peshkimi, prodhimi industrial dhe ai bujqësor, si dhe ndërtimi, si konsumatorët më të mëdhenj të tyre. Për ATSH-në, ing. Fratari shpjegon se, “nxitja e prodhimit në vend, privatizimi sa më shpejtë i ‘Albpetrol-it’, nxitja për krijimin e një cikli të mbyllur në prodhimin dhe përpunimin e hidrokarbureve, nxitja e projekteve për linjat e transportit të gazit pa deformuar tregun e lirë, janë disa nga masat që Konfindustria Shqiptare i vlerëson se duhen marrë sa më shpejt nga qeveria”.

Gazeta Rilindja Demokratike, 29.03.2012