Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, problemi i ngritur nga “Tv Scan” vë në lëvizje AK

Sensibilizimi i RTV Scan për trajtimin e pabarabartë të industrisë vendase të përpunimit të naftës, përmes tarifës doganore për lëndën e parë, ka tërhequr vëmendjen e Autoritetit të Konkurrencës. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se rreth këtij rasti do të mblidhet informacion, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Kryetarja e Komisionit të Konkurrenës, Lindita Milo, ka bërë vazhdimisht thirrje që bizneset, të cilat vuajnë probleme që lidhen me shkeljen e rregullave të konkurrencës, të drejtohen pranë Autoritetit.
Në këtë rast, duket se ekzistojnë hapësirat që kompania ARMO ta bëjë një gjë të tillë, sepse taksimi i lëndës së parë mund të përbëjë një rast të krijimit të pabarazisë dhe diskriminimit të operatorëve ekonomikë në treg. Në këto raste, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka kompetencën ligjore për të ndryshuar apo revokuar akte administrative të institucioneve të tjera, siç janë qeveria apo Kuvendi. Por, Autoriteti i Konkurrencës, mund t’i drejtohet institucioneve përmes rekomandimeve zyrtare për të krijuar kushte të konkurrencës së ndershme mes gjithë aktorëve të tregut. Për këtë ekzistojnë shumë precedentë, me rekomandime të drejtuara Qeverisë, Kuvendit, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Entit Rregullator të Energjisë.
Madje, një prej precedentëve lidhet direkt me tregun e karburanteve. Në vitin 2009, pas privatizimit të ARMO, qeveria shtyu me një vit afatin e përdorimit të gazoilit D2 të prodhuar në vend, ndërkohë që një gjë e tillë nuk u lejua për të njëjtin produkt të importuar. Në atë rast, kompanitë importuese ju drejtuan Autoritetit të Konkurrencës, që ju dha të drejtë dhe i kërkoi qeverisë shfuqizimin e vendimit. Sot duket se pozitat janë përmbysur. Përmes taksimit doganor vetëm për naftën bruto, Qeveria po favorizon kompanitë importuese dhe po diskriminon ARMO-n. Autoriteti i Konkurrencës mund të japë një tjetër provë integriteti dhe profesionalizmi, duke përdorur të njëtin metër gjykimi dhe duke i rekomanduar qeverisë të shfuqizojë taksën doganore që diskrimnon industrinë vendase të prodhimit të karburanteve.   

TV scan, 21.03.2012