Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fuqitë e mëdha pranojnë ofertën iraniane, bie nafta

Përfaqësuesja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, bëri të ditur se fuqitë e mëdha kanë pranuar ofertën e Iranit për të hapur një kapitull të ri negociatash, që do synojnë të garantojnë se programi bërthamor i Iranit nuk do përdoret për qëllime ushtarake. Baronesha Ashton është njëkohësisht përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë dhe Gjermanisë në bisedimet me Iranin. Data dhe vendi ku do rinisin bisedimet ende nuk është përcaktuar megjithatë janë rritur shpresat se Lindja e Mesme nuk do të përjetojë një luftë të re pas atyre të Afganistanit dhe Irakut.
Ndërkohë, në treg çtensionimi i situatës u reflektua në korrektimin e çmimit të naftës që më herët kishte prekur pikën më të lartë 1-vjeçare, madje e kuotuar në euro, nafta bruto theu edhe rekordin e korrikut të vitit 2008. Irani ofroi që të lejojë montuesit e Kombeve të Bashkuara të vizitojnë një zonë e cila dyshohet se përdoret për teknologjinë e bombës bërthamore. Oferta u krye në mesin e spekulimeve se kjo zonë do të ishte shënjestra e radhës e forcave ushtarake të perëndimit në muajt e ardhshëm. Ndërkohë, presidenti Obama ftohu më shumë situatën duke thënë se politikanët amerikane që “u bien daulleve të luftës” kanë detyrimin që të shpjegojnë edhe kostot dhe përfitimet nga një aksion i mundshëm ushtarak në Iran.
Ai tha se nocioni se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një vendim për sulm ushtarak në javët e ardhshme “nuk është i bazuar në fakte”. Por ai paralajmëroi se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të posedojë armë nukleare duke përforcuar deklaratën e sekretarit të mbrojtjes, Leon Panetta, që tha se në rast të dështimit diplomatik ushtria amerikane do garantojë se Irani nuk do ketë bombën. “Veprimi ushtarak është alternativa e fundit dhe ku gjithçka tjetër ka dështuar. Mos u gaboni, ne do ndërhyjmë kur të dështojnë të gjitha mjetet e tjera”, tha Paneta në një konferencë të përvitshme politike të organizuar nga grupi më i madh i lobimit pro-izraelit AIPAC.

Rritja e importit nga Kina rrit çmimin e naftës
Kontratat e naftës u rritën sesionin e sotëm pas deklaratës zyrtare të Kinës se do rrisë importin e naftës bruto në këtë vit. Në mbështetje të këtij çmimi të lartë është edhe qëndrueshmëria e tensionit mes Iranit dhe perëndimit pavarësisht se fuqitë e mëdha pranuan ofertën e Teheranit për bisedime. Nafta bruto amerikane për prillin u rrit 35 cent në 105.05 dollarë për fuçi.
Nafta bruto Brent e Londrës për prillin u rrit 45 cent në 122.34 dollarë për fuçi. Një ditë më parë çmimet e naftës ranë pas lajmit se fuqitë e mëdha pranuan ofertën për më shumë bisedime në lidhje me programin nuklear të Iranit ku përfshihen edhe vizitat e monitoruesve të kombeve të bashkuara në zonat e palejuara deri në këto momente. Por analistët thonë se premiumi i riskut që paguhet në treg nuk ka gjasa që të bjerë në terma afatshkurtra.

TV Scan, 07.03.2012