Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, importuesit hedhin poshtë cilësinë e keqe nga jashtë vendit

Importuesit e karburantit në vend mbrojnë cilësinë e karburantit që futet nga importi. Sekretari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi shprehet se karburanti që futet nga importi është i cilësisë 10PPM, duke mos ditur të japë shpjegime se në ç’hallkë krijohen problemet. Sipas tij, i mbetet detyrë shtetit që të gjejë abuzimet që bëhen, ndërkohë që prej katër muajsh nuk ka më prodhim vendi. Importuesi tjetër Behar Çukaj, administrator i kompanisë ‘Bolv Oil’, mbron edhe ai idenë se karburanti që hyn nga importi është me cilësi të mirë. Edhe ai mbështet standardin e tij 10PPM. “Nëse unë marr 10 mijë ton nga importi, s’kam interes të marr cilësi të keqe. Në Itali nuk ble dot cilësi të keqe, se është e kontrolluar, por edhe këtu kontrollohet. Çdo gjë që futet nga importi ka cilësi të mirë, brenda standardeve”, – thotë Çukaj. Më tej argumenton se, nëse në Shqipëri ka makina të viteve ’80-’90, nuk ka faj karburanti, por makina që e djeg keq. “Për mua, 80% e pikave të karburantit kanë cilësi të mirë. Dhe cilësia ka shkuar në rritje, përmirësim nga viti në vit. Po ashtu edhe rritja e standardit të shërbimit, zbukurimi i ambienteve, distributorëve në përgjithësi dhe gjithë aksesorët që duhet të ketë një pikë karburanti sikurse distributorët e vendeve të tjera europiane”. Ndërkaq protagonistët ankohen pasi edhe pse numri i madh i pikave të karburanteve është i dobishëm nga njëra anë sepse rrit konkurrencën, por nga ana tjetër ul të ardhurat e bizneseve.

Gazeta Mapo, 18.01.2012