Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kriza energjetike godet Ballkanin

Pas një muaji të gjatë thatësire, mungesa e elektricitetit në mbarë rajonin e Ballkanit po bëhet tani akute. Furnizuesit reaguan ndaj kërkesës së vazhdueshme dhe reduktuan furnizimin me një rritje çmimi prej 6.5 në 11 eurocent për kilovat orë.
Rënia dramatike në nivelet e ujit ka ndikuar në digat e hidrocentraleve, ndërsa prodhimi nga termocentralet dhe në Bullgari e Rumani nga strukturat bërthamore, po arrin kapacitetin e plotë.
“Situata është stabël, por shumë e vështirë.”,- i tha SETimes Momçillo Çebaloviçi, kreu i komunikacioneve në EPS,- ndërmarrja shtetërore ekonomate serbe e energjisë. “Për fat, ne bëmë në kohë mirëmbajtjen e rregullt dhe sistemi punon pa të meta edhe me këto ngarkesa.”
Sipas EPS, termocentralet po punojnë me të njëjtin kapacitet si termocentrale kryesore gjermane. Megjithatë, një mungesë mbetet për një numër arsyesh. Një është rënia e rrjedhës ujore në hidrocentrale, që po prodhojnë rreth 10 kilovat orë, prodhimi më i ulët që nga 1926-ta. Në të njëjtën kohë, elektriciteti në Serbi është relativisht jo i shtrenjtë, si për konsumatorët dhe për përdorim komercial. Për shkak të një çmimi të ulët shitjeje prej 5.5 eurocentësh, ngrohja me elektricitet është më shumë efektive në kosto në dimër.
Si shumë serbë të tjerë, Nikol Zharkoviçi nga Beogradi përdor energjinë elektrike për të ngrohur shtëpinë e tij.
“Lagjja ime nuk ka gaz apo tubacion të ngrohjes qendrore dhe patjetër që nuk mund të përdor dru apo qymyr për ngrohje në mes të qytetit. Edhe po të mundja, nuk do ta bëja sepse është më lirë të paguash 70 euro për elektricitet gjatë tre apo katër muajve në një sezon, se sa 60 euro çdo muaj si ata me sisteme të ngrohjes qendrore.”,- tha Zharkoviç për SETimes.
Konsumi i përditshëm aktual është 118.3 milion kilovat/orë dhe 16.6 milion kilovat orë janë importuar, rreth 14% e kërkesës për elektricitet. Megjithatë, situata konkrete mund të mos ndryshojë kur të përfundojë thatësira, pasi mungon kapaciteti prodhues dhe investimet në infrastrukturën energjetike janë të shtrenjta dhe japin rezultat në afat të gjatë.
“Kur keni gjithë paratë që duhen dhe të gjitha planet të përfunduara, prapë duhet “të paguani” dy vjet për të ndërtuar një termocentral me gaz dhe katër apo pesë vjet për një termocentral me qymyr”,- i tha SETimes konsulenti i energjisë Dejan Stojadinoviç. “Edhe kur do të ndërrosh gjeneratorin në një central të vjetër elektrik, duhet të presësh një vit apo më shumë që ta bëjë prodhuesi. Nuk mund ta blesh atë nga stenda e dyqanit.”
Pas një dekade të rritjes statike në sektorin e energjisë së Serbisë, megjithatë, janë shenjat e hovit përpara.
Aleksandar Jakovljeviçi, kreu i sektorit të strategjisë të EPS i tha SETimes se ekipet e “TE Kolubara B” dhe “EPS” po punojnë ngushtë me firmën energjetike italiane “Edison” mbi një studim paraprak të realizueshmërisë, me një kompani të përbashkët që pritet të ngrihet në fund të shkurtit 2012-të. Italianët ofrojnë të ndërtojnë dy centrale me fuqi 375 megavat.
Ndërkohë, Banka Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin do t’i ofrojë Serbisë 45 milion euro për ndërtimin dhe zhvillimin e një serie digash hidrocentralesh.
Kompanitë kineze e ruse po investojnë gjithashtu në një numër projektesh në sektorin e energjisë me naftë, gaz dhe qymyr.
Por Serbia nuk është i vetmi vend në rajon mbërthyer nga mungesa e energjisë.
Në Rumani, për shembull, prodhimi ka rënë dhe eksportet e energjisë janë pakësuar. Prodhuesi kryesor, Hidroelektrika, u detyrua të ndërpresë kontratat komerciale, pas një aksidenti në një nga strukturat e saj në tetor.
Të gjitha centralet, duke përfshirë strukturën bërthamore të Kozlloduit, po punojnë siç duhet në Bullgari, me 1,200 megavat (MW) të eksportuara. Por vendi është pranë kapacitetit maksimal transferues të eksportit prej 1,230 MW për orë. Situata është tejet më keq në Malin e Zi dhe Shqipëri, që po importojnë elektricitet për shkak të kushteve të thatësirës. Drejtori ekzekutiv i EP të Malit të Zi, Zoran Gjukanoviç, i bëri thirrje konsumatorëve të ruajnë energjinë.
Situata nuk është më mirë në Maqedoni, e cila importon 400 MW për orë, dhe është vetëm pak më mirë në Greqi, ku janë transferuar afërsisht 250-300 MW për orë.
Kroacia dhe Bosnje dhe Hercegovina po importojnë gjithashtu elektricitet, 800 MW dhe 100-150 MW për orë respektivisht.
Republika Srpska, një eksportues i elektricitetit, u detyrua të anulojë kontratat e shitjeve, për shkak të situatës së vështirë hidrologjike.

Gazeta Shqiptare, 28.12.2011