Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta virgin: Kontrabanda, nën akuzë edhe punonjësit e antikontrabandës

Prokuroria zgjeron rrethin e të akuzuarve.
Prokuroria zgjeron rrethin e personave të akuzuar për kontrabandën e naftës virgin, të denoncuar kohë më parë nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Pas vënies nën akuzë të një doganieri, të një tatimori, të pronarëve të dy firmave private dhe të shoferëve që transportonin këtë nënprodukt, njësia Task-Forcë është vënë në dijeni të një informacioni se disa punonjës të zyrës së antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave kanë pasur dijeni për këtë aktivitet të paligjshëm. Janë rreth pesë persona nga kjo strukturë, që mund të vihen nën akuzë nga prokuroria, megjithëse po verifikohet roli i gjithsecilit, kryerja apo moskryerja e detyrës. Burimet nga prokuroria pohojnë se këta persona nuk kanë kryer një hetim të hollësishëm të transportit të naftës virgin nga qyteti i Ballshit drejt Vlorës apo Durrësit. Madje kanë pasur informacione se në Portin e Vlorës, një anije do të mbushej me këtë produkt dhe do ta dërgonte për përpunim. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka shkuar për të kontrolluar këto të dhëna, në një kohë që asnjëri prej tyre nuk ka pasur informacion. Prokuroria thotë se hetimet e deritanishme mund t’i vënë nën akuzë këta persona, të cilët, pasi janë bërë publike faktet e kontrabandës së naftës, janë pushuar dhe transferuar nga detyra. Mësohet se dy prej personave që punonin në zyrën e antikontrabandës janë pushuar nga puna për mosvigjilencë ndaj këtij aktiviteti të dyshimtë, ndërsa personat e tjerë janë transferuar me poste të tjera për shkelje në detyrë. Të gjithë akuzohen se nuk kanë kryer siç duhet detyrën që përcaktohej qartë nga doganat. Burimet nga prokuroria thanë se shumë shpejt do të analizohet roli në këtë dosje dhe disa prej tyre mund të merren edhe të pandehur apo të shkojnë si të akuzuar në gjykatë. Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se hetimet për kontrabandën e naftës janë drejt fundit dhe “vonesa” në dërgimin e çështjes në gjykatë janë verifikimi i të dhënave të fundit që flasin për veprimtari të paligjshme të punonjësve të antikontrabandës me naftës virgin. “Kemi marrë informacion nga doganat se disa punonjës të zyrës së antikontrabandës janë pushuar dhe transferuar nga detyra. Motivacioni ka qenë mungesa e vigjilencës për verifikimin e destinacionit të virgin”, thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se shumë shpejt këta persona pritet të dërgohen në gjykatë.
Duket se deklaratat publike të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, që akuzonte strukturat shtetërore se kontrabandojnë naftë virgin, janë faktuar nga prokuroria, e cila pas hetimeve njëvjeçare, ka vënë nën akuzë dhjetëra persona. Megjithëse jozyrtarë të lartë shtetërorë, lista e të pandehurve përmban biznesmenë, tatimorë e doganierë, ndërsa janë “përjashtuar” punonjësit e policisë, për të cilët do të vazhdojnë hetimet. Hetimet kanë përfunduar dhe është saktësuar roli i gjithsecilit në këto vepra penale, që nga marrja e naftës virgin e deri te mashtrimet në tatime e dogana. Është konfirmuar se kjo sasi nafte është tregtuar në Shqipëri, megjithëse është e ndaluar me ligj, pasi dëmton automjetet dhe ndot ambientin. Prokuroria e Tiranës saktëson se u ka komunikuar akuzat doganierit, tatimorit dhe shoferëve të autoboteve. Mësohet se shoferët e autoboteve akuzohen për moskallëzim krimi, biznesmenët për mashtrim dhe kontrabandë, ndërsa tatimorët e doganierët për shpërdorim detyre. Procedimi penal me numër 4155, datë 13.10.2010, ka filluar pas deklarimeve të ish–ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, që ka deklaruar publikisht të dhëna që kanë të bëjnë me veprime abuzive me detyrën dhe kontrabandë të zhvilluar me naftën e prodhuar nga kompania ARMO sh.a për periudhën 2007–2009. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka regjistruar me iniciativën e saj këtë procedim penal për veprat penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”, “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Nga hetimet e zhvilluara është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007–2009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si ‘virgin’, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Ky aktivitet është realizuar nga subjekti privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj, si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës ARMO sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit.
Gazeta Shqip, 08.10.2011