Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konfederata padit qeverinë për mungesën e investimeve në minierë

Minatorët kanë deklaruar se janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre
Dje pasdite këshilli sindikal dhe komisioni i grevës së minatorëve të Bulqizës ka zhvilluar një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me hapat që do të ndiqen deri në nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë ACR. Fillimisht Kol Nikollaj, Taf Koleci e Dilaver Përkoxha, drejtuesit kryesorë të minatorëve, kanë analizuar gjendjen shëndetësore të minatorëve dhe janë shprehur se minatori Sali Alliu ndodhet i shtruar në spitalin e Burrelit, ndërkaq nëntë minatorët e tjerë paraqesin probleme serioze me shëndetin e tyre dhe se drejtoria e shëndetit publik Bulqizë duhet të rrisë masat për t’u ardhur në ndihmë grevistëve.
Deklarata
“Protestat dhe greva e urisë së minatorëve nuk do të ndalen deri në zgjidhjen e të gjitha kërkesave të bëra publike nga minatorët” – tha Taf Koleci pak çaste pas përfundimit të takimit. Ai nënvizoi se grevistët e urisë dhe minatorët nuk pranojnë ofertat e ACR-së, por këmbëngulin në zgjidhjen e të gjitha kërkesave ekonomike. “Dy janë çështjet për të cilat ACR nuk bie dakord, largimi i drejtorit të minierës dhe të paguhen të gjitha ditët e grevës, nga 4 korriku i këtij viti e deri në ditën e fillimit të punës. ACR padrejtësisht vazhdon të mbajë në detyrë drejtorin Medat Zogu, një person që e ka braktisur punën prej tre muajsh dhe nuk na paguan ditët e protestave. Pa u plotësuar edhe këto dy kushte, 700 minatorët e Bulqizës nuk do të hyjnë në galeri”-deklaroi Koleci. Ky i fundit tha gjithashtu se ditë më parë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka ngritur një padi ndaj qeverisë shqiptare për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar ekonomisë shqiptare për shkak të moskryerjes së investimeve prej 21 milionë dollarësh në minierën e Bulqizës nga firma e huaj. Mirëpo kjo padi ka pak shanse të gjejë zbatim ligjor, pasi sindikata e ka të pamundur të paguajë 3% të kësaj vlere si tatim për fillimin e procedurës gjyqësore. “Këto para, i kërkojmë nga qeveria që të kthehen në investime për pusin e thellësisë, pasi ACR, megjithëse e ka garantuar këtë kur ka fituar koncesionin, nuk e ka kryer atë” – tha sindikalisti i punonjësve të industrisë.
Minatorë kanë marrë ditët e fundit mesazhe nga ACR për rritjen e pagës 20 për qind, kryerjen e investimeve dhe transparencën e tyre, pagesën për 20 ditë dhe gjithë periudhën e ndërprerjes së punës. Nëpërmjet mesazhit u thuhej minatorëve që kompania nuk është dakord të largojë drejtorin e minierës. Sipas këshilli sindikal, protesta dhe greva do të vazhdojë deri në nënshkrimin e marrëveshjes.

Gazeta Mapo, 29.09.2011