Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Benzina arrin 180 lekë/litër

Shtrenjtimi në bursa dhe mbarimi i rezervave sjell efektet në tregun vendas.
Pikat e karburantit në kryeqytet tregtojnë 1 litër naftë me 176 lekë – 178 lekë.
Kryeqytetasit e paguajnë më shtrenjtë një litër benzinë në krahasim me një litër naftë. Edhe pse qeveria po favorizon përdorimin e makinave me benzinë për shkak se ato janë më pak ndotëse për ambientin, duket se për shkak të çmimeve më të leverdishme mbeten makinat me naftë. Çmimi i benzinës ka arritur në 180 lekë për litër në pikat e karburantit në kryeqytet. Sipas të dhënave nga pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë u shit mesatarisht 164 lekë- 178 lekë, ndërsa 1 litër benzinë arriti në 180 lekë për litër.
Nafta në bursë
Pjesa e parë e shtatorit ka regjistruar çmime të larta të shitjes së karburanteve në përgjithësi krahasuar me muajin e gushtit. Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare për muajin tetor ka shënuar luhatje të shpeshta gjatë javës së fundit. Çmimi i një fuçie në tregun ndërkombëtar është luhatur mes 114 dhe 115 dollarë për fuçi. Në mbështetje të çmimit të naftës është edhe sezoni i stuhive në gjirin e Meksikës, të cilat deri më tani kanë mbyllur 37 për qind të aktivitetit prodhues të naftës në këtë zonë. Nafta Bruto Brent e Londrës për tetorin ra 22 cent në 115.58 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar kontrata evropiane u rrit 2.91 dollarë në 115.80 dollarë për fuçi, vlerë më e lartë se mesatarja e lëvizjes 100 ditore. Nafta bruto amerikane për tetorin u rrit 19 cent në 89.53 dollarë për fuçi.
Ndikimi i çmimeve
Sistemi i ri i taksave për automjetet e përdorura që hyri në fuqi nga 24 gushti sjell me vete një shtrenjtim me të paktën 6 lekë për litër deri në fund të këtij viti dhe nga 1 janari 2012 nafta dhe benzina do të kushtojnë 8,4 lekë më shtrenjtë me TVSH. Rritja e çmimit të naftës në bursat e huaja gjatë gjysmës së parë të këtij viti u reflektua edhe në vendin tonë. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, këto muaj shënuan vlerat më të larta të regjistruara për sa i përket këtyre mallrave. Ekspertët vlerësojnë se, zgjatja në kohë e veprimit të rritjes së çmimit të naftës, e ndërthurur me rritjen e çmimeve në tregun ushqimor, ushtruan presione të shtuara në inflacionin e brendshëm. Por nuk mbaron me kaq. Ekspertët janë të mendimit se kjo situatë do të vijojë edhe më tej, edhe pse në formë tjetër. “Presionet inflacioniste mbi nivelin e çmimeve në vend, të cilat burojnë prej luhatjeve të çmimeve të naftës dhe çmimeve të mallrave ushqimorë në konjukturat ndërkombëtare, vlerësohen se do të jenë të pranishme gjatë vitit në vazhdim, por në rënie të vazhdueshme”, – shprehen ekspertët. Por gjithsesi, ndikimi i tyre në çmimet e konsumit pritet të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, çmimi mesatar i naftës për fuçi në tregun ndërkombëtar ka regjistruar ritëm të përshpejtuar rritës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, një fuçi naftë u tregtua me mesatarisht 111.2 dollarë amerikanë, çmim ky që përfaqëson një rritje prej 43.7% në nivel vjetor. Megjithatë, ecuria mujore e çmimit mesatar të këtij produkti paraqet një prirje mujore rënëse për muajt maj e qershor. Të dhënat mbi zbutjen e rritjes ekonomike botërore të publikuara gjatë tremujorit të dytë të vitit, si dhe rënia e kërkesës në dy vendet me konsumin më të lartë të naftës, Kina e SHBA, ndikuan në rënien mujore të çmimit mesatar të naftës gjatë dy muajve të fundit. Kërkesa botërore për naftë gjatë gjysmës së parë të vitit regjistroi një rritje vjetore prej përafërsisht 1.7%, e ndikuar prej kërkesës më të lartë në vendet më të mëdha në zhvillim. Oferta botërore për naftë u vlerësua e rritur në bazë vjetore gjatë periudhës në analizë. Ndonëse kuotat e prodhimit u vlerësuan në rënie prej vendeve anëtare të OPEK-ut, përshpejtimi i prodhimit të këtij produkti në vendet e OECD-së, në Kinë e në Rusi, kushtëzoi rritjen vjetore të ofertës në botë.

Gazeta Metropol, 19.09.2011