Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fund rezervat, rritet nafta

BSH: Gjysma e parë e vitit çmimet e tregut vendas shënuan vlerat më të larta
Mbarojnë fuçitë e importuara. Shtrenjtohen me 6 lekë çmimet e karburanteve
Fundjava ka regjistruar çmime të larta të shitjes së naftës dhe benzinës krahasuar me ditët e fundit të gushtit. Ashtu siç ishte paralajmëruar pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për taksimin e automjeteve të përdorura, rritja e çmimeve ka qenë me rreth 6 lekë për litër. Sipas tregtarëve, një tjetër faktor i ndryshimit të çmimit është edhe mbarimi i rezervave të naftës dhe benzinës që ishin importuar më herët.
Çmimet
Sistemi i ri i taksave për automjetet e përdorura që hyri në fuqi nga 24 gushti sjell me vete një shtrenjtim me të paktën 6 lekë për litër deri në fund të këtij viti dhe nga 1 janari 2012 nafta dhe benzina do të kushtojnë 8,4 lekë më shtrenjtë me TVSH. Sipas të dhënave të mbledhura në disa pika të tregtimit të karburantit, nafta shitet nga me 176 – 178 lekë për litër, ndërsa benzina nga 173 -186 lekë për litër, sipas llojit të saj. Edhe në tregun ndërkombëtar nafta ka arritur në pikën më të lartë 1-mujore. Sipas të dhënave të bursave të huaja nafta Brent u rrit, duke shtuar shpresat për rritjen e ekonomisë amerikane dhe duke shuar një pjesë të shqetësimeve që lidhen me vendet e industrializuara. Nafta bruto Brent e Londrës për tetorin preku kulmin ditor të 115.27 dollarë për fuçi, duke regjistruar rritje 25 cent nga mbyllja një ditë më parë. Nafta bruto amerikane për tetorin West Texas Intermediate u rrit 29 cent në 89.10 dollarë për fuçi.
Ndikimi i çmimit të karburanteve
Rritja e çmimit të naftës në bursat e huaja gjatë gjysmës së parë të këtij viti u reflektua edhe në vendin tonë. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, këto muaj shënuan vlerat më të larta të regjistruara për sa i përket këtyre mallrave. Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt edhe në përcaktimin e normës së inflacionit total, duke ndikuar shportën e “Mallrave të konsumit joushqimor”. Një tjetër mall i shtrenjtë i kësaj shporte ishte rritja e çmimit të barnave, që e bënë në total shportën të fitojë gjithnjë e më tepër terren në përcaktimin e normës totale të inflacionit gjatë këtij viti. “Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, ekonomia shqiptare u përball me presione të vazhdueshme nga tregjet e huaja të mallrave ushqimorë dhe lëndëve të para, veçanërisht naftës. Faktorë të tjerë të brendshëm, si rritja e akcizës dhe ndryshimi në politikën e taksave për barnat mjekësore dhe profesionet e lira, kanë gjeneruar gjithashtu kosto shtesë për konsumatorin shqiptar, gjë që ka çuar në materializimin e efekteve të raundit të dytë, edhe pse në masë të vogël. Tendenca në rritje e çmimit të naftës në tregjet botërore gjatë muajve të fundit, është reflektuar edhe në çmimet e tregut vendas, të cilat kanë shënuar vlerat më të larta gjatë kësaj periudhe. Rritja e çmimeve të barnave, në mënyrë të veçantë në tremujorin e parë të vitit, çoi në rritjen e mëtejshme të kontributit të kësaj kategorie në inflacionin total”, – theksohet në analizën e Bankës Qendrore. Ekspertët vlerësojnë se, zgjatja në kohë e veprimit të rritjes së çmimit të naftës, e ndërthurur me rritjen e çmimeve në tregun ushqimor, ushtruan presione të shtuara në inflacionin e brendshëm. Por nuk mbaron me kaq. Ekspertët janë të mendimit se kjo situatë do të vijojë edhe më tej, edhe pse në formë tjetër. “Presionet inflacioniste mbi nivelin e çmimeve në vend, të cilat burojnë prej luhatjeve të çmimeve të naftës dhe çmimeve të mallrave ushqimorë në konjukturat ndërkombëtare, vlerësohen se do të jenë të pranishme gjatë vitit në vazhdim, por në rënie të vazhdueshme”, – shprehen ekspertët. Por gjithsesi, ndikimi i tyre në çmimet e konsumit pritet të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin.
Nafta në botë
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, çmimi mesatar i naftës për fuçi në tregun ndërkombëtar ka regjistruar ritëm të përshpejtuar rritës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, një fuçi naftë u tregtua me mesatarisht 111.2 dollarë amerikanë, çmim ky që përfaqëson një rritje prej 43.7% në nivel vjetor. Megjithatë, ecuria mujore e çmimit mesatar të këtij produkti paraqet një prirje mujore rënëse për muajt maj e qershor. Të dhënat mbi zbutjen e rritjes ekonomike botërore të publikuara gjatë tremujorit të dytë të vitit, si dhe rënia e kërkesës në dy vendet me konsumin më të lartë të naftës, Kina e SHBA, ndikuan në rënien mujore të çmimit mesatar të naftës gjatë dy muajve të fundit. Kërkesa botërore për naftë gjatë gjysmës së parë të vitit regjistroi një rritje vjetore prej përafërsisht 1.7%, e ndikuar prej kërkesës më të lartë në vendet më të mëdha në zhvillim. Oferta botërore për naftë u vlerësua e rritur në bazë vjetore gjatë periudhës në analizë. Ndonëse kuotat e prodhimit u vlerësuan në rënie prej vendeve anëtare të OPEK-ut, përshpejtimi i prodhimit të këtij produkti në vendet e OECD-së, në Kinë e në Rusi, kushtëzoi rritjen vjetore të ofertës në botë.

Gazeta Metropol, 05.09.2011