Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shkozet – Porto Romano, nisin shembjet e ndërtesave

Fadromat e Inpektoriat Ndërtimor kanë nisur një aksion për prishjen e objekteve me apo pa leje, ndërtuar kryesisht kohët e fundit në zonën e Ish-Kënetës, të cilat janë bërë pengesë e punimeve për rrugën e re Shkozet -Porto Romano, segment ky që do të lidhë superstradën Tiranë-Durrës me parkun energjitik në veri të qytetit bregdetar.
Nën mbështetjen e 50 efektivave të RENEA-s dhe 70 efektivave të policisë së rendit, fadromat nisën prishjen e banesave e të themeleve. Aksioni nisi mëngjesin e së hënës, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit  duke shembur shtëpi banimi, objekte në proces ndërtimi, si dhe objekte të tjera që funksiononin si garazhde. Nën sitën e inspektoriatit ndërtimor pritet të kalojnë plot 20 objekte, mes tyre dhe shtëpi banimi, objekte këto që janë bërë pengesë për përfundimin e zgjerimit dhe asfaltimit të  rrugës. Ndërhyrja e inepektoriatit ndërtimor fillimisht u kundërshtua nga dhjetëra banorë të ish-Kënetës, përfshi këtu edhe gratë e fëmijët, të cilët u mblodhën  përpara fadromave të ndërtimorëve, për të mos lejuar prishjen e shtëpive të tyre.
Madje disa prej tyre janë konfrontuar edhe me forcat e policisë ku është dashur ndërhyrja e forcave speciale për t’i larguar. Sipas përfaqësuesve të inpektoriatit ndërtimor 13 nga pronarët e këtyre shtëpive janë dëmshpërblyer nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ndërsa pjesa tjetër e objekteve nuk janë përfitues të kompensimit, pasi nuk disponojnë dokumentacionin përkatës, si dhe nuk janë në proces legalizimi. Por banorët nuk ndajnë të njëjtin mendim, madje ata pretendojnë se janë në procesin e legalizimit dhe disponojnë dokumentacion e nevojshëm për përfitimin e shpronësimit.
Sulltana Kalia, njëra prej banorëve shprehet se nuk do të lejojnë që banesat e tyre të shemben. “Nuk do të dal nga shtëpia ime që e kam ndërtuar me djersën e ballit dhe duke iu përgjysmuar fëmijëve të mi ushqimin. Nuk kam pse të dal. Unë shtëpinë e kam në proces legalizimi, ashtu si gjithë të tjerët. Pse pikërisht mua nuk më shpronësojnë dhe të tjerët janë shpronësuar madje, lekë për shpronësimin kanë marrë edhe ata që nuk u janë prishur shtëpitë. Kam tre fëmijë të vegjël dhe së bashku me ta nuk do të dalim nga shtëpia. Ne do të qëndrojmë brenda në banesë ndërkohë që ata do të shembin banesën”, shprehet, nëna e tre fëmijëve.
Punimet për rrugën e re Shkozet -Porto Romano, që do të lidhë superstradën Tiranë-Durrës me parkun energjitik në veri të qytetit bregdetar, me 4 korsi dhe gjatësi 8.3 km, një investim i buxhetit të shtetit, kishte hasur  vështirësi për shpronësimin e disa familjeve dhe në 800 metrat e para të rrugës puna ende nuk ka filluar.
Por me shembjen e objekteve, punimet pritet të nisin, duke përfunduar investimin në këtë aks të rëndëishëm. Burime zyrtare nga firma ndërtuese, bënë të ditur se në dy lotet e parë me gjatësi 6.2 km me financimin afro 1.2 miliard lekë punojnë pesë firma ndërtuese, të cilat tashmë kanë shtruar thuajse plotësisht trasenë e rrugës së re, ndërsa 60 përqind e saj ka përfunduar së asfaltuari. Rruga që nis nga mbikalimi i Shkozetit, 3 km larg Durrësit, kalon mespërmes ish-kënetës drejt pjesës veriore të qytetit dhe ka vetëm një kryqëzim, atë me rrugën Spitallë – Shën Vlash në gjysmën e gjatësisë së saj, pikërisht aty ku do të ndërtohet edhe një rrethrrotullim për trafikun e automjeteve.

Gazeta Shekulli, 01.08.2011