Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bell-Bode, replika për rritjen ekonomike, taksat dhe shpenzimet e larta buxhetore

Ministri i Financave: Me FMN, konkurrencë parashikimesh
Konferenca e shumëpritur “Shqipëri-FMN” nuk është se ofroi ndonjë të re, përveçse sa konfirmoi edhe një herë pikëpamjet e kundërta mes qeverisë dhe ekspertëve të Fondit Monetar.
Ministri i Financave pranon se në tre vitet e fundit ka pasur në konkurrencë të fortë me FMN-në sa u takon vlerësimeve dhe parashikimit të rritjes ekonomike. Në konferencën e zhvilluar dje, palët nuk ndanë të njëjtat qëndrime, sa i takon borxhit, shpenzimeve, rishikimit të taksave dhe rritjes ekonomike.
Pas publikimit të raportit paraprak, ministrit Bode iu desh të jepte përgjigje lidhur me pikat që nuk ‘përputheshin’ me programin e qeverisë.
PPB-ja
Për rritjen ekonomike, FMN parashikon një nivel që nuk shkon më shumë se 2.7 për qind, kurse qeveria shqiptare planifikon ta arrijë në 5 për qind. Që këtu duket se vlerësimi mes palëve ka një diferencë të madhe.
“Rritja ekonomike për vitin 2010 vlerësohet rreth 3.5 për qind dhe ne parashikojmë që të ngadalësohet më tej në 2.7 për qind në 2011, për shkak të kërkesës së dobët vendase dhe eksporteve më të moderuara. Duke qenë se potenciali i përafrimit mbetet dhe investimet e kohëve të fundit në infrastrukturë do të bëhen funksionale, në afatin e mesëm, rritja mund të rimëkëmbet në rreth 4 për qind”, ishte vlerësimi i bërë nga Bell.
Ndërsa ministri Bode kundërpërgjigjet, duke i kujtuar Fondit disa parashikime të dështuara. “Në vitin 2009, FMN parashikoi rritje me 0.8% në një kohë që u arrit një nivel 3.3%. Në vitin e kaluar programi i FMN-së ishte rreth 2%, kur rritja shkoi në 4%. Është krejt normale që variantet dhe këndvështrimi i Fondit, sikurse e patë është më konservativi, më pesimisti”, tha ministri, që sipas tij, ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë për të pasur një rritje këtë vit me 5 për qind, ose 2 herë më shumë nga sa parashikon FMN-ja. Megjithatë, Bode e zbut situatën duke thënë se është krejt normale marrja e masave ekstreme që garantojnë stabilitetin.
Taksat
Niveli aktual i taksave krijoi një tjetër përplasje mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare. Sipas shefit të misionit, Bell, për t’i shërbyer më mirë uljes së borxhit, qeveria mund të rrisë normën e kontributeve, me 5 pikë për qind, pra ta rikthejë atë në nivelin e mëparshëm, duke qenë se nuk ka dhënë rezultat në rritjen e të ardhurave. “Norma mjaft e ulët e taksës së sheshtë mund të rritet pa rrezikuar pozicionin konkurrues të Shqipërisë”, tha Bell, duke sugjeruar një normë të re 12 apo 15 për qind, nga 10 për qind që është aktualisht. Të dyja këto variante u hodhën poshtë nga ministri i Financave.
“Rritja e taksave nuk përbën ndonjë element që dëmton avantazhet konkurruese të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, ne e konsiderojmë tërësisht të mundshme që të gjitha rregullimet e nevojshme buxhetore të vijnë brenda kuadrit fiskal aktual, pra të mos kemi rritje të taksave. Është e domosdoshme që një sërë taksash, jo ato kryesore, të rishikohen nga pikëpamja e praktikave të lehta për vjeljen e tyre”, u përgjigj ministri.
Shpenzimet
E vetmja pikë ku palët duket se kanë rënë dakord lidhet me shkurtimet në buxhetin e këtij viti. FMN sugjeron që reduktimi i buxhetit të arrijë në 20 miliardë lekë, fakt ky i pranuar edhe nga vetë ministri, pavarësisht se në dy javët e fundit kishte përmendur shifrën ‘17 miliardë’. Por sa i takon rritjes së pagave dhe shpenzimeve që kryen qeveria për personelin etj., Bode paraqiti një tjetër qëndrim.
“Sado impresionuese që të jenë modelet virtuale, në fund të fundit duhet gjykuar mbi realitetet. Kur bëjmë zgjedhjet ekonomike, bazohemi në një realitet konkret dhe sigurisht që ka hapësira dhe marzhe për të vepruar mbi këtë realitet konkret për të arritur qëllimin. Dhe ne do të veprojmë kështu”, ishte reagimi i shefit të Financave shqiptare, duke nënkuptuar se qeveria do të vijojë me programin e rritjes së pagave, pavarësisht se FMN sugjeroi një plan për ‘ngrirjen’ e tyre.

Gazeta Shqip, 23.06.2011