Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Blinin karburant me euro false, dy të arrestuar

Policia e Elbasanit arrestoi dje dy të rinj të cilët akuzohen për veprën penale “falsifikim monedhash”, ndërkohë që po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktiviteti kriminal. Nëpërmjet njoftimit për shtyp, Valbona Begu, zëdhënësja e Policisë së Qarkut, konfirmoi se rreth orës 08:00 të ditës së djeshme, u bë i mundur arrestimi i 20-vjeçarit Everest Merishaj dhe 29-vjeçarit Aurel Vogli, të dy nga qyteti i Elbasanit. “Të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hedhur në qarkullim, në qytetin e Elbasanit dhe në atë të Peqinit 100 euro fals. Këtë sasi eurosh dy të rinjtë e kanë përdorur për të blerë karburant në një pikë tregtimi, në lagjen ’28 Nëntori’ të qytetit të Elbasanit, si dhe në një tjetër pikë karburanti në fshatin Pajovë të rrethit të Peqinit. Arrestimi i tyre u bë pas denoncimit të bërë nga pronarët e pikave të karburantit. Po hetohet dhe mundësia e përdorimit të parave false edhe herë të tjera nga dy të ndaluarit”, – konfirmojnë burimet policore. Policia e Elbasanit i arrestoi të dytë rinjtë si dhe sekuestroi nën cilësinë e provës materiale 100 euro fals, si edhe mjetin tip motoçikletë pa targa, me të cilin ata udhëtonin pasi kishin arritur të mashtronin përkohësisht, shitësit e pikës së karburantit ku ishin furnizuar. Nisur nga fakti se kohët e fundit, hedhja në treg e kartëmonedhave false po shtohet, policia lokale po heton të gjitha rastet e fundit, me synim gjetjen e origjinës dhe të personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Gazeta Shqiptare, 20.06.2011