Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshime në ligjin për efiçencën e energjisë

LIGJ Nr. 5/2019

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 124/2015 “PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 124/2015 “Për efiçencën e energjisë” bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 4, pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Auditues energjetik” është një person fizik i certifikuar ose person juridik që, ka të punësuar auditues energjie të certifikuar, i cili kryen auditime energjetike, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.”.
Neni 2
Në nenin 16, pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Auditimet energjetike kryhen nga auditues energjetikë të certifikuar ose nga persona juridikë, që kanë të punësuar auditues energjetikë të certifikuar, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.”.
Neni 3
Neni 17 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 17 Audituesi energjetik
1. Audituesi energjetik, për kryerjen e veprimtarisë së auditimit energjetik, pajiset me certifikatë nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë, e cila mban, përditëson dhe publikon në faqen e saj zyrtare një listë të audituesve energjetikë.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë, miraton procedurën, kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit dhe të eksperiencës profesionale për personin, të cilit i lëshohet certifikata e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
3. Audituesi energjetik detyrohet të regjistrojë në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e veprimtarisë së audituesit energjetik.
4. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban regjistrin kombëtar për personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet si auditues energjetikë.
5. Auditimi energjetik nuk kryhet nga një auditues energjetik, i cili:
a) zotëron aksione ose kuota në një shoqëri, që ka kërkuar të auditohet, ose së cilës i bëhet auditimi;
b) është anëtar i një organi drejtues të entitetit, që ka kërkuar, ose të cilit i bëhet auditimi, ose është i punësuar nga personi që ka kërkuar auditimin;
c) është i afërm i shkallës së dytë i personit, që, për shkak të pozitës së tij në personin e audituar, mund të ndikojë mbi audituesin energjetik.
6. Audituesi energjetik mban konfidenciale të gjitha të dhënat lidhur me personin fizik ose juridik, të përftuara në kuadrin e auditimit të kryer në objektet energjetike të këtij personi. Audituesi energjetik nuk duhet të përfitojë nga këto të dhëna dhe nuk duhet t’i përdorë në interes ose në dëm të subjektit të audituar apo të një pale të tretë. Detyrimi i konfidencialitetit mund të hiqet me miratimin me shkrim nga personi fizik ose juridik, objekt i auditimit energjetik, ose nëse bërja publike e tyre parashikohet nga një ligj tjetër.
7. Agjencia për Efiçencën e Energjisë, me iniciativën e saj, pas një procedure në përputhje me legjislacionin në fuqi, që i garanton audituesit të certifikuar të drejtën për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për t’u ankuar lidhur me shkeljen, vendos revokimin e certifikatës të audituesit energjetik në rast se:
a) provohet se në procesin e auditimit energjetik janë shkelur dispozitat e këtij ligji dhe kërkesat e përcaktuara në aktet nënligjore;
b) provohet se audituesi bën publik informacionin dhe të dhënat e shoqërisë, si dhe sekretet tregtare të konsumatorëve, me të cilat ai është njohur për shkak të auditimit, me kusht që publikimi i tyre të jetë ankimuar nga subjekti i audituar.
8. Agjencia për Efiçencën e Energjisë njofton me shkrim audituesin energjetik për vendimin e tij për revokimin e certifikatës, sipas pikës 7 të këtij neni.
9. Një auditues energjetik, të cilit i është revokuar certifikata, sipas pikës 7, të këtij neni, ka të drejtë të aplikojë për certifikatë të re jo më herët se tre vjet nga data e marrjes së vendimit të mësipërm.
Në rast se të njëjtit person i revokohet certifikata për herë të dytë, atëherë ky person nuk ka më të
drejtë të aplikojë për certifikatë.”.
Neni 4
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Shërbimet energjetike ofrohen nga persona juridikë që certifikohen nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe kanë të regjistruar në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e kësaj veprimtarie, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban, përditëson dhe publikon në faqen e saj zyrtare një listë të ofruesve të shërbimeve energjetike.”.
2. Në pikën 3, pas fjalës “miraton” shtohet fjala “procedurën”.
3. Pas pikës 5 shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:
“6. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban regjistrin kombëtar për personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet si ofrues të shërbimeve energjetike.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 7.2.2019

Shpallur me dekretin nr. 11081, datë 20.2.2019 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

energjia.al  23.02.2019