Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria, drejt efiçencës së energjisë

Eficenca e energjisë mbetet një zhargon i përsëritur në dhjetëra dokumente të rëndësishme kombëtare, por në praktikë vetëm 9% e banesave kanë të instaluar një element sipas këtij parimi. Deri në vitin 2030, do të duhen 228 milionë euro investime që të arrihet objektivi i kursimit 15.5% nga eficenca. BERZH, BE dhe qeveria austriake kanë bashkuar forcat për të aplikuar një program në Ballkanin Perëndimor për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), i cili prek edhe Shqipërinë dhe që ndalet tek investimet në sektorin rezidencial. Të paktën 9 milionë euro linjë kreditore do të mund të përfitohen nga qytetarët, që do të bëjnë investime sipas parimit të eficencës. Një pjesë e investimit do të kthehet si grant

 

Nga Nertila Maho

 

Më 11 mars, Komisioni Europian njoftoi se do të aplikojë një sistem të ri etiketash për eficencën e energjisë në pajisjet shtëpiake. Janë pesë grupe produktesh shtëpiake, si lavastoviljet, lavatriçet dhe makinat e tharjes, frigoriferët, përfshirë ata për ruajtjen e verës, llambat dhe pajisje elektronike si monitorët e televizorëve.

Kurse për bizneset do të jetë në dispozicion një grup pajisjesh frigoriferike. Të gjitha këto do të jenë të disponueshme për konsumatorët brenda 1 marsit 2021 dhe do të shoqërohet me një fushatë të gjerë informimi nga Bashkimi Europian. Informacioni mbi këto pajisje do t’ju mundësojë qytetarëve të dinë saktë sa energji kursejnë gjatë përdorimit, nivelin e zhurmës për secilin apo përdorimin e ujit.

E teksa lexon këtë njoftim në faqen e Komisionit Europian ndërgjegjësohesh për hendekun që ndan Shqipërinë nga ky komunitet. Eficenca e energjisë, e konceptuar në disa dhjetëra dokumente, strategji, plane veprimi, është në fazën e saj embrionale. Gjithsesi pozitive në gjithë këtë duket fakti që kanë nisur të hidhen hapat e parë konkretë dhe pjesë e tij janë institucione të rëndësishme financiare.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian, Korniza për Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe qeveria e Austrisë kanë bashkuar forcat për të zbatuar një program që synon pikërisht financimin e ekonomisë së gjelbër. Shqipëria është stacioni i fundit ku mbërrin kjo nismë, ndërkohë që ka nisur më herët në disa vende të rajonit. Mali i Zi është i vetmi që ende nuk e ka filluar, por që pritet që t’i bashkohet shumë shpejt.

 

Çfarë është Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF)

Në Shqipëri, vetëm 9% e banesave kanë të përfshirë një apo më shumë elemente që lidhen me eficencën e energjisë. Këto elemente kanë të bëjnë me teknologjinë apo materialet e përdorura siç mund të jetë izolimi i banesës, përdorimi i paneleve diellore, dyert apo dritaret specifike që ruajnë temperaturën. Niveli 9% konsiderohet si tejet modest, çka përbën një sfidë për Shqipërinë në lidhje me objektivat që ka vendosur në strategjinë e saj kombëtare për Energjinë për vitet 2018-2030.

Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) synon pikërisht nxitjen e investimeve që ndihmojnë vendin tonë në arritjen e këtyre objektivave, që i takojnë kursimit nga eficenca e energjisë. GEFF në Shqipëri është pjesë e programit prej 85 milionë euro, një program dedikuar financimit të ekonomisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor dhe që ka si qëllim që të zvogëlojë përdorimin e energjisë në sektorin e banesave, të ulë ndotjen e ajrit dhe të përmirësoje komoditetin e jetesës nëpërmjet një huaje që kalon te bankat partnere për të mbështetur investimet në teknologjinë e gjelbër. Union Bank dhe Fondi Besa janë dy institucionet e para financiare që iu bashkuan këtij programi, duke nënshkruar linja krediti me vlerën 9 milionë euro së bashku.

Pronarët e banesave që duan të bëjnë një investim që ka në bazë parimin e eficencës mund të zgjedhin se në cilat teknologji duan të investojnë, duke përdorur Selektorin e Teknologjisë, një katalog online i produkteve dhe pajisjeve të para, të aprovuara për eficencën e energjisë që gjenden në tregun shqiptar. Nëpërmjet këtyre investimeve, pronarët shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për një grant të Bashkimit Europian deri në 20% të vlerës së investimit të tyre. Për investimet si grup, pra në komunitet për ndërhyrjen në një godinë, granti mund të arrijë deri në 35% të vlerës së investimit. Në total, BE ka dedikuar 1.8 milionë euro për grante për programin GEFF.

Colangeli dhe Soreca: Ka hapësirë për mbështetje, qeveria të krijojë kushtet

Javën e shkuar, në Tiranë, u bë edhe prezantimi për atë çfarë përfaqëson Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të përfshira në program nga financuesit, te bankat partnere apo asistenca teknike. Drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli, u shpreh se fakti që në Shqipëri, vetëm 9% e banesave kanë elemente sipas parimit të eficencës do të thotë se ka një hapësirë të madhe për mbështetje.

Sipas tij, është krijuar një zinxhir i mirë bashkëpunimi, duke nisur nga institucionet kyçe si BERZH apo BE tek ato të asistencës teknike, shitësit lokalë të produkteve apo institucionet financiare lokale që i janë bashkuar nismës. Ai ftoi banka dhe institucione të tjera për t’u bashkuar, ndërkohë që nënvizoi se Union Bank dhe Fondi Besa janë të parat që janë rreshtuar pro kësaj “sipërmarrjeje”.

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, në fjalën e tij tha se në total, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po zbatohet ky program janë 36 banka dhe institucione financiare të cilat, përmes kredidhënies, kanë regjistruar histori të shumta suksesi. Nga ana tjetër, ai theksoi se qeveria e Shqipërisë duhet t’u përgjigjet këtyre nismave me ngritjen e infrastrukturës së qëndrueshme dhe mbështetje të energjisë së gjelbër me nisma të vetat.

Drejtori Ekzekutiv i Union Bank, Gazmend Kadriu, nënvizoi se institucioni financiar që ai përfaqëson, mbetet i angazhuar që vitin 2019 ta kthejë në një vit edhe më pozitiv sesa 2018, vit gjatë të cilit banka shënoi rezultate shumë të mira. “Bankën Union dhe BERZH-in që është një mbështetëse kryesore e këtij programi e lidh një histori e gjatë projektesh në këto dhjetë vite. Pak kohë më parë, Union Bank nënshkroi një marrëveshje për një kredi 6 milionë euro, që ka në objektiv mbështetjen e këtij programi për ekonominë e gjelbër.

Kjo marrëveshje na mundëson që t’iu ofrojmë klientëve tanë potencialë zgjedhje efikase, në kuadër të investimeve që kanë në bazë parimin e eficencës së energjisë. Aktualisht, po punojmë për të promovuar dhe për të rritur informimin, pasi Union Bank është e vetmja bankë, pjesë e programit në Shqipëri. Kemi potencialin e duhur për të vazhduar në 2019-n kreditimin e ekonomisë duke i dhënë një vend të veçantë edhe programit për financimin e ekonomisë së gjelbër”, tha Kadriu.

Nga ana tjetër, edhe Bajram Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Besa, nënvizoi se përmes fondit 3 milionë euro që parashikon marrëveshja që ky institucion ka me BERZH do të mbështeten individët që kanë në fokus të tyre investimin në funksion të eficencës së energjisë. Në finale, ky program do t’i shërbejë ekonomisë së gjelbër në vend.

 

Shqipërisë i duhen 228 milionë euro investime deri në 2030 për eficencën e energjisë

Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të arrijë një kursim energjie prej 15.5% nga masat për eficencën e energjisë. Këto masa përfshijnë ndërhyrjen në ndërtesat publike, aplikimin e skemave lehtësuese për ndërhyrje në banesat private, masa në sektorin e transportit si dhe një sërë elementesh të tjera.

Por të gjitha këto masa kanë pas tyre edhe një vlerë investimi. Referuar dokumenteve zyrtare, Shqipërisë do t’i duhen jo pak, por 228 milionë euro investime për të arritur objektivin e saj të kursimit prej 15.5%. “Për të arritur objektivin e eficencës së energjisë për një kursim të energjisë prej 6,8% në vitin 2020 dhe 15.5% në vitin 2030, është llogaritur përkatësisht një preventiv prej rreth 100 dhe 228 milionë euro investime, duke konsideruar një kosto mesatare të investimit për energji të kursyer prej 0,05 euro/kwh.

Pjesa më e madhe e investimeve të tilla do të jenë financim i drejtpërdrejtë, me mundësinë e ofrimit të garancive të huave, borxhe me interesa të ulëta, financim të diferencës të investimeve ose zvogëlimit të normave të interesit. Detyra kryesore e buxhetit të shtetit është të zhvillojë fushatë ndërgjegjësimi dhe projekte pilot për të promovuar EE-në në të gjithë sektorët ekonomikë”, thuhet në Strategjinë Kombëtare të Energjisë për Periudhën 2018-2030.

Angazhimi për eficencën e energjisë është jo rastësisht një ndër pikat që ka marrë një theks të veçantë, jo vetëm te pjesa e strategjisë, por ka të dedikuar një plan veprimi, i cili rishikohet çdo tre vjet. Kjo vjen si detyrim i angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për në kuadrin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, në ligjin për eficiencën e energjisë (nr. 124/2015) dhe në ligjin e ri për performancën e energjisë së ndërtesave.

Skenari i eficencës së energjisë supozon, gjithashtu, se Shqipëria do të zbatojë Planin e veprimit të dytë dhe të tretë dhe ky skenar përfshin 14 masa specifike të nevojshme për të rritur eficiencën e energjisë, si në anën e kërkesës, ashtu edhe në anën e furnizimit me burime energjetike. “Skenari për eficiencën e energjisë (EE) tregon se ekziston një potencial për të reduktuar importet e energjisë me 19%, konsumin final të energjisë me 28% dhe emetimet e GHG me 27% krahasuar me skenarin bazë”, – vlerësohet në strategji.

Flet Alma Lulja, zv.koordinatore e projektit GEFF Shqipëri dhe Kosovë

“Investimet për eficencën, si të përfitoni nga programi GEFF”

Të gjithë ata qytetarë që duan të bëjnë një investim në banesën e tyre dhe që përmbush kriteret sipas parimit të eficencës së energjisë mund të përfitojnë nga programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF). Alma Lulja, zëvendëskoordinatore e programit për Shqipërinë dhe Kosovën, në një intervistës për “Monitor” nënvizon se fondet në dispozicion janë 9 milionë euro dhe skema ka të përfshirë edhe grantet.

Këto të fundit përfitohen pas plotësimit të një sërë kushteve dhe verifikimit nga ekspertët e programit dhe mund të arrijnë deri në 20% të vlerës së investimit. Për të lehtësuar zbatimin e programit janë konceptuar një sërë risish nga Selektori i Teknologjisë te Kalkulatori i Kursimit, që informojnë qytetarët mbi çdo detaj të nevojshëm për të bërë zgjedhjen e duhur.

A mund të bëjmë një prezantim mbi atë çfarë përfaqëson Green Economy Financing Facility (GEFF – Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër).

Ky është një program kreditor për financimin e ekonomisë së gjelbër. Është një projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i cili do të operojë në 6 shtete në Ballkanin Perëndimor. Ka filluar që në 2017 në Bosnjë – Hercegovinë dhe më pas në Kosovë, në Maqedoni, Serbi tashmë në Shqipëri dhe shumë shpejt në Mal të Zi. Është një vëllim total i linjës kreditore prej 85 milionë eurosh që do të shpërndahet në këto 6 shtete. Aktualisht në Shqipëri janë dy institucione financiare, që janë bërë pjesë e projektit deri tani.

Është Union Bank dhe Fondi Besa, me një total volumi linje kreditore prej 9 milionë eurosh, të cilat do të jenë të destinuara për investime në banesa. Pra, jo për investime në biznes, por investime në shtëpi, të cilat synojnë të kursejnë energji të cilat mund të jenë investime në dritare, izolimi i mureve të jashtme, panele diellore, sistemet e ngrohjes, etj. Të gjitha ato produkte që sjellin jo vetëm reduktimin e konsumit të energjisë por edhe përmirësim të kushteve të jetesës, si dhe reduktim të ndotjes në mjedis.

Janë investime afatgjata dhe duke qenë se BERZH kërkon të zhvillojë tregun lokal të produkteve të eficencës së energjisë, është krijuar edhe një platformë online e njohur si Selektori i Energjisë. Këtë platformë mund ta aksesojë çdokush në www.ebrdgeff/albania. Aktualisht janë të regjistruara më tepër se 2,700 produkte të teknologjive të larta, të cilat janë të paraaprovuara nga GEFF për t’u financuar. Kjo është një platformë e dedikuar për produktet e eficencës së energjisë. Janë 11 kategori produktesh, duke nisur nga dritaret, panelet diellore e shumë të tjera dhe çdo qytetar i interesuar nga telefoni apo laptopi mund të shohë produktin që dëshiron apo se ku ndodhen tregtarët më afër tyre. Platforma ka informacion të detajuar edhe për bizneset që ofrojnë këto produkte të paraaprovuara, të cilat janë në gjithë Shqipërinë.

Cilat janë avantazhet që paraqet krijimi i Selektorit të Teknologjisë, cili është synimi i tij?

E para për të ndihmuar qytetarët që të kenë mundësi të shohin ku janë këto produkte dhe çfarë karakteristikash kanë. Së dyti, për të ndihmuar institucionet financiare, sepse normalisht përpara se të marrin vendimin e financimit, ato duhet të kenë informacion mbi aspektet teknike të investimeve që mbështeten. Këto produkte janë të paraaprovuara, ndaj nuk ka nevojë për vendime apo vlerësime shtesë nga BERZH apo GEFF. Së treti, ndihmohen edhe bizneset që shesin këto produkte. Kemi një trinom bashkëpunimi, që synon të çojë para objektivin e eficencës.

Duhet të them se ka edhe një risi tjetër ku përveçse ofrohet një mundësi financimi për individët, ofrohet edhe një mundësi granti. Kjo do të thotë që nëse një individ do të investojë vetëm në një teknologji, për shembull vetëm në dritare, le të themi 1 milion lekë, ai ka mundësi që të plotësojë edhe kërkesën për grant deri në 15% të vlerës së investimit. Pra 150 mijë lekë qytetarit i kthehen mbrapsht në formën e grantit. Në rast se dikush bën investim në dy teknologji pra dhe dritare dhe panele diellore apo izolim dhe panele diellore, atëherë granti shkon deri në 20% të investimit.

Kjo do t’ju japë mundësi individëve të kursejnë më tepër, sepse këto para kalojnë në llogari të tyre dhe ata mund t’i shpenzojnë si e shohin të arsyeshme. Pjesë e projektit, përveç individëve, mund të bëhen edhe grupet komunitare të një pallati për shembull. Nëse banorët e një pallati bien dakord që të bëjnë izolimin e tij, ata aplikojnë edhe për grant, i cili mund të arrijë deri në 35% nëse shkohet në dy teknologji, pra bëhet për shembull izolimi i fasadës dhe dritaret. Ky projekt është për ata individë që e kuptojnë rëndësinë dhe janë të ndërgjegjshëm për një investim të kësaj natyre, por që u mungon mbështetja financiare.

Mbështetja përfshin vetëm blerjen e teknologjisë apo projekti financohet nga fillimi në fund?

Ajo që mbështetet nuk është vetëm produkti, pra paneli apo materialet e izolimit. Programi mbështet investimin nga fillimi i tij deri te mbyllja, ku përfshihet instalimi dhe kostot e transportit. Pra të gjithë kostot ndihmëse të lidhura me instalimin e produktit.

Nëse unë si qytetar dua të aplikoj për këtë lloj financimi, kur mund ta shpreh interesin?

Aplikimi mund të bëhet në çdo moment. Çdo qytetar mund të shohë online se cilat janë produktet që kualifikohen dhe financohen dhe më pas, secili mund të printojnë certifikatën e pranueshmërisë së produktit që ka përzgjedhur. Me këtë certifikatë shkon te tregtari, zgjedh produktin dhe merr një ofertë për produktin e përzgjedhur. Pas kësaj, merr një kredi në institucionet financiare, që janë pjesë e këtij projekti dhe më pas, me të bërë investimin, bën dhe aplikimin për grant, përmes një formulari që është i disponueshëm pranë këtyre institucioneve financiare. Më pas, dorëzohet fatura dhe dëshmia e pagesës, për të treguar që është bërë investimi dhe kjo kalon te konsulentët e GEFF që bëjnë verifikimin e investimit dhe për të kaluar më pas te granti.

Në vendet ku është aplikuar më herët, si Maqedoni apo Kosovë, si ka rezultuar ky program?

Ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Unë jam koordinatore për Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo e fundit ka mbi një vit që ka nisur dhe kemi shumë interes. Në Kosovë, kemi verifikuar mbi 2.3 milionë euro investime në një kohë shumë të shkurtër. Individët kanë arritur të marrin grante dhe është një procedurë e kërkuar, pasi vjen me lehtësi të shumta, përfshirë aspektin teknik. Nga ana tjetër, edhe vetë konsumatorët po ndërgjegjësohen për përfitimet.

Mjafton të themi që në Shqipëri, mbi 50% e energjisë elektrike konsumohet nga sektori i banimit. Kjo do të thotë që nëse mendon në afatgjatë, një investim i kësaj natyre vërtet mund të ketë një kosto të caktuar, por e kthen veten shpejt. Është një mundësi që mbështetet edhe më shumë falë granteve të investuara nga Bashkimi Europian i cili ka dedikuar mbi 1,8 milion euro që do të jepen si grante për programin GEFF në Shqipëri.

Kur bëhet fjalë për eficencën, jo të gjithë arrijnë ta perceptojnë si një investim të rëndësishëm. Si mund të promovohet pjesa e investimeve të gjelbra për të rritur ndërgjegjësimin?

Ne jemi të vetëdijshëm për këtë pjesë dhe ndaj GEFF, por edhe Institucionet financiare, Union Bank, si dhe Fondi Besa, mbas lançimit të eventit do të nisin fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit, për të kuptuar sesa e rëndësishme është që të investohet tek eficienca dhe përfitimet që sjell ajo. Është krijuar një Kalkulator i Kursimeve të Energjisë dhe është lançuar online, i cili u vjen në ndihmë qytetarëve që të llogarisin përafërsisht kurimin e tyre të energjisë.

Ky kalkulator është përshtatur që të japë me përafërsi kursimin sipas zonës gjeografike ku jeton qytetari, tipologjisë së banesës apo elemente të tjera përbërëse të saj. Mendoj se në proces janë shumë aktorë të përfshirë dhe përkushtimi për informim dhe ndërgjegjësim nga të gjitha palët, do të ketë efektin e tij edhe te qytetarët.

Flet Redi Martiri, Drejtor i Departamentit Retail në Union Bank

“Nga izolimi i mureve, te kaldajat dhe panelet,  çfarë financohet në emër të eficencës”

Union Bank është e vetmja bankë në vend që është pjesë e programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër. Një marrëveshje e nënshkruar më herët me BERZH i mundëson asaj 6 milionë euro në dispozicion, të cilat do të orientohen tek investimet në sektorin rezidencial.

Redi Martiri, Drejtor i Departamentit Retail pranë Union Bank, në një intervistë për “Monitor” jep edhe detajet rreth mundësive që kanë qytetarët për të aplikuar, produktet bankare që mundësohen në kuadër të programit, investimet që përfshihen në emër të eficencës si dhe procedurat që ndiqen për certifikimet dhe vlerësimin e kushteve teknike.

Mund të themi dy fjalë lidhur me programin GEFF dhe përfshirjen e Union Bank në këtë program?

Programi GEFF – për financim të Ekonomisë së Gjelbër është lançuar së fundmi në Shqipëri dhe Union Bank është banka e parë, e cila ka përqafuar këtë projekt të nisur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Programi ka për qëllim forcimin e investimeve për kursimin dhe ruajtjen e energjisë në banesa dhe apartamente.

Roli i Bankës në këtë program konsiderohet thelbësor, pasi ndër të tjera u siguron klientëve, nëpërmjet kredive bankare, fondet e nevojshme për të kryer këto investime.

Kush mund të aplikojë për të përfituar nga linja e kreditit? Produkti(et) që ofron Union në kuadër të GEFF?

Kredia Kursim Plus i drejtohet çdo individi, i cili kryen investime që kanë për qëllim kursimin e energjisë në banesë, apartament apo shtëpi. Pavarësisht nëse banesa është me qira apo në pronësi të kredimarrësit.

Si zëra të investimeve mund të përmendim izolimin e mureve apo çative, zëvendësimin e dyerve apo dritareve, blerjen dhe instalimin e paneleve diellore, atyre fotovoltaike, vendosjen e bojlerëve dhe kaldajave, sistemin e ndriçimit, kondicionimit, etj.

Mund të thuhet se shumica e familjeve, kur bëjnë rinovime në banësë, të paktën një pjesë të mirë të investimit e kanë për të financuar shpenzimet e mësipërme, për qëllime që lidhen me eficencën e energjisë. Pra të themi që është mjaft e lehtë të jesh i kualifikueshëm për këtë lloj kredie.

Ndërkohë, avantazhi është i dukshëm. Në përfundim të investimit, klientit i kthehet në llogari 15 ose 20% e shumës së kredisë së marrë. 15% nëse investohet vetëm në një tip teknologjie, për shembull zëvendësim të dritareve dhe 20% nëse investohet në më shumë se sa një tip teknologjie, pavarësisht se sa është pesha specifike e secilit tip.

Ndërkohë, nëse financimi bëhet për një grup individësh, për shembull banorët e një pallati të cilët duan të izolojnë fasadën, përfitimi bëhet edhe më i madh, pasi granti është 25-35%.

Kredia Kursim + mund të ofrohet nga Union Bank si kredi konsumatore, por edhe si kredi me kolateral, kjo e dyta për vlera më të mëdha dhe më e shtrirë në kohë.

Pra praktikisht, asnjë individ, pavarësisht nga shuma e investimit nuk është i përjashtuar.

Kushtet që duhet të plotësojë një individ për të përfituar dhe si është një procedurë standarde?

Mund të thuhet se Kredia Kursim + kalon në dy procese të ndara dhe klienti ftohet që paralelisht t’i plotësojë të dyja:

Për të përfituar kredinë duhet të plotësohen kriteret financiare, pra të provohet aftësia paguese dhe të sigurohet kolateral nëse aplikohet për kredi me kolateral.

Ndërkohë, që të përfitohet granti 15-20% (25-35% për grupe individësh) investimet që kryhen duhet të jenë të certifikuara që ofrojnë standardet e lejuara të kursimit të energjisë. Nga ekipi GEFF është ndërtuar një listë me teknologjitë e certifikuara, listë e cila përditësohet dhe shtohet vazhdimisht.

Cila është asistenca që iu ofrohet individëve për këtë lloj kredie?

 Klientët priten nga një staf i kualifikuar, i cili u jep udhëzimet e duhura për anën financiare të lidhur me kredinë dhe për anën teknike të lidhur me certifikimin e teknologjisë. Për këtë aspekt të fundit shërbejnë materialet ndihmëse të publikuara në faqen e GEFF Shqipëri, por në rast nevoje, mundësohet dhe dhënia e ekspertizës nga inxhinierët e projektit.

Një pyetje që ka lindur herë pas here është se si veprohet kur lista e artikujve që po blihen dhe instalohen nuk është në listën e publikuar. Në këtë rast, Banka në bashkëpunim me ekipin e GEFF, merr përsipër certifikimin e tyre, gjithmonë nëse plotësohen kriteret teknike. Kuptohet në këtë rast procesi merr më tepër kohë.

Sa interes ka në lidhje me investimet e ekonomisë së gjelbër dhe si mund të rritet informimi për përfitimet që vijnë nga ky lloj investimi?

Kryerja e investimeve të tilla të lidhura me kursimin e energjisë që nënkupton reduktim direkt të shpenzimeve mujore, apo efekti social-mjedisor, i lidhur me kontributin për një të ardhme më të gjelbër, janë disa faktorë që po vlerësohen gjithmonë e më shumë nga shqiptarët.

Ndërkohë me futjen në lojë të Programit GEFF, granti i përfituar përkthehet në ulje të pastër të kostove të investimit, ku të gjitha palët janë të fituara. Klientët që paguajnë shumë më pak, shitësit që tregtojnë artikuj të tillë më të lirë dhe banka që jep një kredi sigurisht më të mirën në treg për këtë natyrë.

Besojmë se të gjitha palët janë të interesuara ta promovojnë këtë shërbim. Krahas buxheteve që banka dhe institucionet e tjera kanë në dispozicion për të promovuar Programin, besoj se tregtarët janë një palë shumë e interesuar dhe do ta promovojnë këtë formë financimi, ndërkohë që klientët që do të përfitojnë grantin sigurisht që do të përhapin më tej fjalën.

Edhe roli i mediave mendojmë se është thelbësor në përhapjen e informacionit, pasi si duket qartë nga ky projekt, të gjitha palët përfitojnë.

Monitor,  25.03.2019